Ekonomi

OEK-ja i kërkon ZRRE-së ta pezullojë vendimin për daljen e bizneseve në treg të hapur të energjisë

Lartperquesit, rryma, energjia elektrike,  kostt

Foto- Ilustrim

Foto: Driton Paçarada

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) i ka kërkuar Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që ta pezullojë e vendimit për daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike nga data 01.06.2025.
Sipas njoftimit kjo kërkesë bazohet në shqetësimet e shumta të anëtarëve të OEK-së dhe në analizat që thuhet se tregojnë që një hap i tillë në këtë periudhë do të kishte pasoja serioze për sektorin privat dhe ekonominë në përgjithësi.

“Me lejoni që përmes kësaj kërkese publike të ju drejtohem për pezullimin e vendimit të ZRRE-së për daljen në tregun e lirë të bizneseve që kanë të punësuar mbi 50 punëtorë ose mbi 10 milionë euro qarkullim vjetor, me efekt nga data 01.06.2025”, thuhet në kërkesën e nënshkruar nga kryetari i OEK-së, Lulzim Rafuna. 

Në letër thuhet sipas të gjitha analizave të bëra nga anëtarët e OEK-së, ky nuk është momenti i favorshëm që bizneset të dalin në tregun e hapur në këtë periudhë. 

Në letër janë specifikuar 5 arsye se pse ky vendim dihet të anulohet. 

“1. Janë njoftuar vetëm në fund të muajit shkurt për daljen në tregun e lirë më 01.06.2025, që do të thotë se brenda vetëm tre muajve janë urdhëruar që të dalin në tregun e lirë. 2. Afati është shumë i shkurtër dhe nuk u është dhënë kohë e mjaftueshme për t'u përgatitur për daljen në tregun e lirë. 3. Nuk ka pasur një komunikim apo konsultim me bizneset për të përcaktuar kohën e duhur për këtë hap të rëndësishëm. 4. Shumica absolute e furnizuesve nuk janë nga Kosova, por të huaj. 5. Çmimi që ofrojnë këta furnizues është nga 200% deri në 300% më i lartë se çmimi me të cilin janë furnizuar bizneset deri më sot”, thuhet në letër.

Dalja në treg të hapur në këto kushte thuhet se mund t'i sjellë shumë biznese pranë falimentimit për shkak të pamundësisë financiare për t’i përballuar çmimet aktuale. 

“Për pasojë, edhe produkti vendor do të goditet rëndë. Prodhimi vendor do ta humbasë konkurrueshmërinë me produktet e importuara, duke rrezikuar edhe më shumë praninë tonë në tregjet e rajonit dhe ato evropiane, për shkak të rënies së kërkesës për produktet vendore si rezultat i rritjes së kostos së prodhimit që vjen nga shtrenjtimi i energjisë elektrike”, thuhet ndër të tjera në letër.

Bazuar në vendimin e ZRRE-së mbi 1 mijë biznese nga 1 qershori duhet t’i zgjedhin vetë furnizuesit për energji elektrike.