LAJMET E MBRËMJES

Mes shumë kundërshtish, bizneset e mëdha kalojnë në treg të hapur

Pavarësisht kundërshtimeve e thirrjeve për shtyrje, Zyra e Rregullatorit për Energji ka njoftuar se ka filluar me sukses vazhdimi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike. Por, me nisjen e zbatimit të këtij vendimi janë paralajmëruar pasoja për ekonominë e vendit, posaçërisht për bizneset e mëdha. Oda Ekonomike, Dhoma e Tregtisë dhe e Industrisë si dhe Aleanca Kosovare e Bizneseve, kanë bërë thirrje sërish që vendimi të shtyhet. Thirrja të tilla janë bërë edhe nga opozita

Mes shumë kundërshtish, bizneset e mëdha në vend, nga 1 qershori kanë kaluar në treg të hapur për furnizim me energji elektrike. 

Bizneset me mbi 50 punonjës ose 10 milionë euro qarkullim vjetor, duhet vetë të gjejnë furnizuesit dhe çmimi nuk do të jetë i rregulluar, si në rastin e bizneseve më të vogla dhe amvisërive nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

“ZRRE-ja i fton të gjithë konsumatorët e kualifikuar për të dalë në treg të lirë, që ende nuk e kanë përzgjedhur furnizuesin e tyre të energjisë elektrike, që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për ta gjetur furnizuesin më të përshtatshëm, sipas nevojave të tyre dhe kushteve më të favorshme që i ofron tregu”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së të dielën.

Bizneset që përmbushin kushtin për të dalë në treg të hapur e që ende nuk kanë gjetur furnizuesin, do të mund të mbështetën edhe për dy muaj si fazë kalimtare te KEK-u.

“Që nga sot, KEK, në cilësinë e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF), furnizon të gjitha ndërmarrjet që kanë dalë në treg të lirë e nuk kanë arritur të nënshkruajnë kontrata furnizimi. KEK njofton se energjia për këto ndërmarrje për ditën e sotme, pra 1 qershor, është siguruar me çmim mesatar prej 64.55 €/MWh përmes Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX). U bëjmë thirrje ndërmarrjeve që në afat sa më të shkurtër dhe brenda afatit ligjor të nënshkruajnë marrëveshjen e furnizimit me KEK si FMF, ose të gjejnë furnizues alternativ”, ka shkruar në një status ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. 

Sipas saj, KEK-u është në dispozicion për informata rreth furnizimit përmes mundësisë FMF-së, ndërsa nga ZRRE-ja pret që të monitorojë tregun me përpikëri dhe të ndihmojë të gjitha palët për një tranzicion sa më të lehtë.

“Ndërsa Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar të ndihmojë ndërmarrjet që tashmë kanë dalë në treg për të bërë zgjidhjet më të favorshme për biznesin e tyre. Sa më shpejt që ndërmarrjet informohen saktë, aq më i lehtë e më i shpejtë do të jetë tranzicioni për to”, ka thënë Rizvanolli.

Kalimi në treg të hapur, ka nxitur reagimin e odave ekonomike dhe të opozitës.

Kërkesë e bizneseve ishte që dalja në treg të hapur të shtyhet për një vit.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka shkruar se fatura për bizneset, që dalin në treg të hapur, do të jetë trefish më e lartë. 

Ajo i ka bërë thirrje prokurorisë që të hetohet tregtimi i energjisë.

“Kosova kurrë nuk ka importuar më shumë energji sesa në këta katër vjetët e fundit. Sot, rreth 1300 ndërmarrje që e punësojnë gjysmën e atyre që punojnë në sektorin privat dhe që e gjenerojnë gjysmën e buxhetit të Kosovës, po dalin në një treg të hapur të energjisë, i cili nuk ekziston, ndërsa fatura e energjisë po u trefishohet. Për Qeverinë e kaluar të LVV-së këto janë vetëm 1% e kompanive (në fakt janë 1.54% nga gjithsej 84.500 ndërmarrje sa janë aktive në treg), por a po e kuptoni se qeveria po punon kundër këtyre 1.300 kompanive për t’ia rregulluar tregun kompanive si NOA dhe për t’ia rritur nesër shanset në treg kompanisë së vëllait të Luan Dalipit. Hetim dhe auditim për të gjithë”, ka shkruar ajo në një status në Facebook.

Ndërsa, në Odën Ekonomike dhe në Dhomën e Tregtisë dhe të Industrisë, kanë thënë se bizneset kanë marrë vetëm një ofertë - nga KESCO.

Sipas tyre, nuk ka kompani të tjera që ofrojnë këtë shërbim pos KESCO-s, ndonëse të regjistruara janë edhe 20 të tjera gati.

Kryetari i dhomës së Tregtisë, Kushtrim Ahmeti, ka paralajmëruar pasoja sa i përket prodhimit vendor dhe bilancit tregtar, nëse vendimi zbatohet.

“Ai nuk mund të dalë me të njëjtin çmim, e ka të pamundur. Ai do ta shtyjë ndoshta për një muaj a dy, por e ka totalisht të pamundur për kohë të gjatë ta shtyjë. Edhe atëherë vetëm ia hap derën produkteve, sidomos atyre serbe, të cilat janë shumë më konkurruese, sesa të gjitha produktet e tjera, të gjitha produktet e tjera që vijnë nga importi në Kosovë. Hapja tash edhe atyre derën, le ta zënë edhe pjesën tjetër të produkteve vendore dhe po i mbyllim të gjitha kompanitë (e mëdha prodhuese vendore v.j.), ka thënë Ahmeti.

Për të shtyrë këtë vendim nga hyrja në fuqi, javën e shkuar bizneset e mëdha bllokuan për dy orë edhe hyrjet në Prishtinë në shenjë proteste.

Në reagim të kësaj, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se ka kaluar koha e bllokadave. 

Por Aleanca Kosovare e Bizneseve, në reagimin e saj ka thënë se ZRRE-ja ka vepruar në mënyrë të njëanshme, pa transparencë "dhe duke shpërfillur realitetin ekonomik të vendit". Po ashtu, ka paralajmëruar se bizneset do të vazhdojnë kundërshtimet edhe përmes protestave.

“Nëse ky vendim nuk pezullohet, bizneset do të vazhdojnë kundërshtimin në të gjitha format demokratike e ligjore, përfshirë protesta të organizuara në edhe në mbarë Kosovën. Protesta nuk është zgjedhja jonë, por është bërë e pashmangshme.

Ne nuk do të heshtim përballë padrejtësisë! Do ta mbrojmë punën tonë, të ardhmen tonë dhe të drejtën për të zhvilluar një ekonomi të qëndrueshme dhe konkurruese”, thuhet nën reagimin e AKB-së.

Sipas të dhënave nga Agjencia Tatimore e Kosovës, janë rreth 1300 biznese që plotësojnë kriteret për të dalë në treg të hapur për furnizim me energji.