LAJMET E MBRËMJES

Rreth 8 për qind e bizneseve të mëdha pa furnizues për energji

Zyra e Rregullatorit për Energji ka bërë të ditur se 8 për qind e bizneseve që kanë dalë në treg të lirë janë ende pa kontrata për furnizim me rrymë. Ajo ka përsëritur edhe një herë se vendimi i saj është në përputhje me ligjin. Por, Oda Ekonomike e Kosovës dorëzoi padi ndaj vendimeve, duke e konsideruar ato se janë në kundërshtim me ligjin dhe në dëm të ekonomisë

 Rreth 8 për qind e bizneseve që kanë dalë në treg të hapur të energjisë, sipas Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), nuk kanë nënshkruar ende kontrata për furnizim dhe që nga e shtuna janë pa energji.

Ky institucion ka bërë të ditur se nga 9,963 pika matëse të ndërmarrjeve ekonomike i plotësojnë kriteret ligjore për të dalë në tregun e hapur të energjisë elektrike, 751 pika matëse janë pa furnizues.

Sipas ZRRE-së, procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike është një detyrim ligjor, i përcaktuar me ligjet e miratuara nga Kuvendi në vitin 2016.

“ZRRE-ja do të vazhdojë mbikëqyrjen e procesit dhe inkurajon të gjithë konsumatorët që i plotësojnë kriteret për të dalë në treg të hapur, e të cilët ende nuk kanë nënshkruar kontrata komerciale, sa më shpejt të lidhin kontratë me njërin nga furnizuesit e licencuar për të garantuar furnizim të qëndrueshëm”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.

Por, njoftimi i ZRRE-së për dalje në treg të lirë të 1,300 bizneseve është atakuar të martën në Gjykatën Supreme nga Oda Ekonomike e Kosovës.

Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, ka bërë të ditur se kjo shoqatë pret nga Gjykata që të vendosë, siç tha, në të mirë të ekonomisë.

“Ne kemi atakuar vendimet që nuk janë vendime të ligjshme dhe që nuk janë në frymën e ligjit të vitit 2017. Këto janë pikat kryesore dhe besojmë që Gjykata do të vendos në bazë të dispozitave ligjore, në bazë të provave që kemi ofruar, dhe në të mirë të ekonomisë dhe në interes publik të Republikës së Kosovës”, ka thënë Rafuna.

Të shtunën zyrtarët e KEDS-it kanë nisur shkyçjen nga rrjeti të bizneseve që nuk kanë pasur kontrata me ndonjë nga operatorët e licencuar nga ZRRE-ja. 

Kjo ngjalli reagim nga bizneset, përfaqësues të të cilave deklaruan se një gjë e tillë i dëmton ata dhe do të detyrohen që t’i dërgojnë punëtorët në shtëpi.

Vendimi për shkyçje u mor pasi ZRRE-ja pranoi një vendim të shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, e cila vendosi në favor të saj, duke mos shtyrë ekzekutimin e daljes së bizneseve të mëdha në treg të hapur të energjisë.