Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka deponuar kallëzim penal ndaj kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për moszbatim të vendimit të Gjykatës Supreme rreth liberalizimit të tregut të energjisë. Në ZRRE thonë se Gjykata në aktgjykimin e saj nuk ka urdhëruar pezullimin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike. Sipas ZRRE-së, kthimi i këtyre konsumatorëve në tarifa të rregulluara do të dëmtonte rreth 750 mijë konsumatorët familjarë me rritjen e tarifave të energjisë
Oda Ekonomike e Kosovës ka deponuar kallëzim penal ndaj kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për moszbatim të vendimit të Gjykatës Supreme lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë.
Sipas OEK-ut, kryesuesi Ymer Fejzullahu dhe anëtarët e tjerë të Bordit të ZRRE-së nuk kanë zbatuar vendimin e Gjykatës, duke keqpërdorur pozitën zyrtare, shkeljen e detyrave zyrtare, mashtrim në detyrë dhe cenim të interesit ekonomik publik.
“Ky veprim pason kërkesën e OEK-ut drejtuar Bordit të ZRRE-së për reflektim dhe fillimin e zbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Supreme, me qëllim kthimin e bizneseve të nxjerra me dhunë në tregun e lirë me çmimet e rregulluara. Megjithatë, Bordi i ZRRE-së ka vendosur të injorojë dhe keqinterpretojë këtë aktgjykim, duke dëmtuar bizneset dhe qytetarët e Kosovës, me fatura energjetike më të lartat në historinë e Republikës”, thuhet në njoftim.
Dorëzimi i kallëzimit, sipas OEK-ut, mbështetet në aktgjykimin e formës së prerë të Gjykatës Supreme, dokumentet dhe komunikatat zyrtare të ZRRE-së, si dhe materialet që dëshmojnë dëmin ekonomik të shkaktuar. Sipas OEK-ut, bizneset po paguajnë 200 për qind më shtrenjtë për energjinë në tregun e lirë.
Por, në përgjigjen e ZRRE-së për OEK-un që e ka siguruar KOHA thuhet se Gjykata në aktgjykimin e saj nuk ka urdhëruar pezullimin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.
“Gjykata në aktgjykimin e saj nuk ka urdhëruar pezullimin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike nuk ka konstatuar të drejtë të re për furnizim universal dhe nuk ka urdhëruar rikthimin e konsumatorëve në shërbimin universal. Po ashtu Gjykata ka hedhur poshtë kërkesën për shfuqizimin e njoftimit publik të 12.3.2025, duke vërejtur se ky njoftim nuk ka qenë akt normativ që krijon të drejta të reja apo detyrime të reja për konsumatorët”, thuhet në letër-përgjigjen e ZRRE-së.
Sipas ZRRE-së, kthimi i këtyre konsumatorëve në tarifa të rregulluara do të dëmtonte rreth 750 mijë konsumatorët familjarë me rritjen e tarifave të energjisë.
“ZRRE sqaron se kontratat e furnizimit të lidhura në treg të hapur ndërmjet Furnizueseve dhe konsumatorëve jofamiljarë janë marrëdhënie të rregullta civile-tregtare të lidhura në bazë të Ligjit për Energjinë Elektrike dhe të dispozitave të Ligjit për Marrëdhëniet e detyrimeve. Aktgjykimi i Gjykatës Supreme nuk ka konstatuar asnjë parregullsi, mospërputhje apo element të pavlefshëm në këto kontrata dhe nuk ka dhënë asnjë urdhër që cenon vlefshmërinë ose ekzekutimin e tyre. Për pasojë, kontratat mbeten plotësisht të vlefshme dhe prodhojnë të gjitha efektet e tyre juridike”, thuhet në letrën e ZRRE-së.
Sipas ZRRE-së, prishja eventuale e njëanshme e kontratave nga ana e konsumatorëve jofamiljar nuk krijon dhe nuk mund të krijojë të drejtë për rikthim në shërbimin universal, pasi një efekt i tillë do të ishte në kundërshtim të hapur me ligjin dhe me interpretimin e dhënë nga Gjykata Supreme.
“ZRRE vlerëson se pretendimet për pezullim të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, anulim kontratash, rikthim kolektiv në shërbimin universal dhe rishikim retroaktiv të faturimit nuk gjen mbështetje në Ligji për Energjinë Elektrike, Direktivën 2009/72/EC apo në aktgjykimin e Gjykatës Supreme”.
Gjykata Supreme ka shfuqizuar nene të udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë, që kanë të bëjnë me kriteret e daljes në treg të hapur. Por, në ZRRE kanë thënë se vendimi i saj për tarifa me pakicë për vitin 2025 nuk është i bazuar në dispozitat e shfuqizuara të udhëzuesit.
Rregullatori në mars të këtij viti ka njoftuar për daljen e detyrueshme në treg të lirë të energjisë të rreth 1.300 bizneseve, duke detyruar që të zgjedhin vetë furnizuesin. Vendimi ka prekur bizneset me mbi 10 milionë euro qarkullim ose me mbi 50 punëtorë.