Ekonomi

Oda Ekonomike dorëzon kallëzim penal ndaj ZRRE-së për moszbatim të vendimit të Supremes

Oda Ekonomike e Kosovës

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka njoftuar se ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ymer Fejzullahu, dhe anëtarëve të bordit, për moszbatim të vendimit të Gjykatës Supreme për çështjen e liberalizimit të tregut të energjisë të bizneseve. 

Sipas OEK-ut, Supremja ka konstatuar qartësisht se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike është zbatuar në kundërshtim me ligjin. 

Në njoftimin e OEK-ut janë listuar 5 vepra penale që sipas tyre i kanë kryer Fejzullahu dhe anëtarët e bordit të ZRRE-së. 

“Mos-ekzekutimin e vendimit gjyqësor”,  “Keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Shkeljen e detyrimit zyrtar”, “Mashtrimin në detyrë” dhe “Cenimin e interesit ekonomik publik”, janë veprat penale që i ka listuar OEK-u.

“Ky veprim pason kërkesën e OEK-së drejtuar Bordit të ZRRE-së për reflektim dhe fillimin e zbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Supreme, me qëllim kthimin e bizneseve të nxjerra me dhunë në tregun e lirë me çmimet e rregulluara. Megjithatë, Bordi i ZRRE-së ka vendosur të injorojë dhe keqinterpretojë këtë aktgjykim, duke dëmtuar bizneset dhe qytetarët e Kosovës, me fatura energjetike më të lartat në historinë e Republikës”, thuhet në njoftim. 

Dorëzimi i kallëzimit thuhet se mbështetet në “aktgjykimin e formës së prerë të Gjykatës Supreme, dokumentet dhe komunikatat zyrtare të ZRRE-së, si dhe materialet që dëshmojnë dëmin ekonomik të shkaktuar”.