LAJMET E MBRËMJES

OEK-u kërkon pezullim të vendimit të ZRRE-së

Bizneset nuk kanë hequr dorë nga kërkesa për pezullim të vendimit për kalim të tyre në treg të hapur të energjisë. Kryetari i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, ka kërkuar të hënën që vendimi të pezullohet deri më 1 shkurt 2026, përndryshe, sipas tij, bizneset kosovare do t’i humbin tregjet e jashtme

Pezullim të vendimit për kalim të bizneseve të mëdha në tregun e hapur të energjisë ka kërkuar të hënën Oda Ekonomike e Kosovës.

Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, në një konferencë për media, i ka bërë thirrje Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që ta pezullojë vendimin për dalje në treg të hapur deri më 1 shkurt 2026.

“Pasojat e mosshtyrjes tashmë po vërehen dhe do të jenë pasoja të mëdha që as prodhuesit e as bizneset nuk mund ta përballojnë. Na është rritur 12 për qind importi, do të shkojmë nga muaji i vjeshtës dhe energjia elektrike do të rritet dhe do të rritet çmimi i prodhimeve tona. Nuk do të mund të jemi konkurrentë me prodhimet e importuara, do të humbim tregjet e jashtme dhe ka filluar të bjerë eksporti ynë”, ka thënë Rafuna. 

Nga 1 qershori bizneset me mbi 50 punëtorë ose me mbi 10 milionë euro qarkullim vjetor kanë kaluar në treg të hapur. Ato biznese që nuk kanë arritur të gjejnë furnizues kanë KEK-un si Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF), por që kjo periudhë përfundon pas dy ditësh, më 30 korrik. 

E Rafuna ka kërkuar që të ndërmerret diçka sa më shpejt.

“Ky vendim i ZRRE-së më së paku shkon në favor të bizneseve. I bëjmë thirrje ZRRE-së t’i thërrasë mendjes, të mbrojë bizneset, ndërsa institucionet tona nuk e kanë kryer përgjegjësinë e tyre për çka janë të zgjedhur dhe ne nuk do të ndalemi. Do të luftojmë në mënyrë ligjore që të kemi vendim sa më të prerë që ta pezullojë tregun e lirë të energjisë”, ka thënë Rafuna. 

Sipas të dhënave nga ATK-ja, rreth 1.300 biznese plotësojnë një nga kriteret, numrin e punonjësve ose qarkullimin vjetor, për të kaluar në treg të hapur të energjisë.