Arbëri

Rafuna: Tregu i papërgatitur për liberalizim, nuk kemi marrë as faturat nga KEK-u

Lulzim Rafuna

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka bërë thirrje sërish që të pezullohet deri më 1 shkurt të vitit të ardhshëm vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për daljen e bizneseve në treg të hapur të energjisë. 

Rafuna në “Interaktiv” të KTV-së tha se ka shumë pasiguri te bizneset. Ai ka thënë se nuk janë kundër daljes në treg të lirë të energjisë, por thotë se tregu nuk është i përgatitur ende për këtë. Ka thënë se ka mungesë të ofertave. 

Rafuna ka thënë se bizneset ende nuk i kanë marrë faturat për dy muaj sa janë furnizuar nga furnizuesi i fundit KEK-u. 

“Asnjë biznes ende s’ka pranuar faturën e KEK-ut. Na është thënë se KEDS-i i lëshon pasi i shikon orët. KEDS ende nuk i ka lëshuar. Është gjuajtje ZRRE me KEDS derisa gjejnë rrugën, mënyrën e kalkulimit. Ka lloj-lloj kalkulimi. Është çmimi i rrymës që blihet, transmisionit, marzhës, shpenzime administrative etj. Kjo është ajo që kemi thënë nga fillimi. Duhet të përgatitet tregu. Nuk është përgatitur as në kuptim të furnizuesve”, ka thënë Rafuna. 

Ai ka thënë se shumë biznese janë detyruar të lidhin kontrata, pasi ZRRE-ja ka njoftuar se nga 1 gushti bizneset që plotësojnë kushtet për të kaluar në treg të hapur e që s’kanë lidhur marrëveshje do të shkëputen nga rrjeti energjetik. 

Ai ka thënë se janë rreth 1300 biznese që i plotësojnë njërën nga dy kriteret për të kaluar në treg të lirë – 50 punonjës apo qarkullim 10 milionë euro. Janë 143 mijë të punësuar në to, ka thënë Rafuna duke iu referuar të dhënave të ATK-së. 

Rafuna ka thënë se është shqetësuese pasi po goditet prodhimi. 

Rafuna ka thënë se për të shtyrë vendimin deri më 1 shkurt, ZRRE-ja ka thënë se duhet subvencionuar 50 milionë euro. 

Rafuna ka thënë se pritet të ketë rritje të çmimeve në rast se nuk pezullohet vendimi dhe se faturën e fundit e paguan konsumatori. 

Kreu i Odës Ekonomike ka treguar se në takim që kishin pasur me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, para 1 qershorit, ai u kishte thënë biznese se është me to. Ai ka treguar se bizneset kishin dëshmuar se si dëmtohen dhe se ka monopol. 

“Ai tha se ju mbështeti, jam me ju. Çfarë mbështetje? Mbështetje morale”, tha Rafuna.