Arbëri

ZRRE-ja nuk tërhiqet nga vendimi, OEK-u paralajmëron pasoja në ekonomi

ZRRE-ja nuk është sprapsur nga vendimi, përkundër që përfaqësues të bizneseve kanë kërkuar të shtyhet koha kur ato duhet të dalin të treg të hapur të energjisë. Për pasojë, nga e diela nuk e kanë të garantuar furnizimin. Në Odën Ekonomike alarmuan për pasoja në ekonomi, nëse vendimi i ZRRE-së nuk pezullohet.

Rreth 1.300 biznese në Kosovë, që nga e diela janë obliguar të dalin në tregun e hapur të energjisë, përbëjnë 60 për qind të ekonomisë së vendit, ka deklaruar Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike.

Në një konferencë për media, Rafuna paralajmëroi pasoja të rënda për ekonominë, në rast se Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk e shtynë kohën kur bizneset duhet të dalin në treg të hapur.

“Do të dëmtohen dhe do ketë efekte shumë të mëdha negative për biznese, për ekonominë e vendit dhe qytetarët. Kërkesa jonë është që të shtyhet për një kohë që të përgatitet tregu më mirë sepse s’është përgatitur fare, të rritet konkurrenca, të njoftohen bizneset. E theksoj se asnjë biznes nuk është kundër daljes në tregun e lirë, por vetëm fazën e tranzicionit që të ketë një ofertë më të madhe, siç është një çmim i volitshëm siç e kanë vendet e rajonit dhe Bashkimit Evropian”, ka thënë Rafuna.

Në këtë konferencë, Rafuna iu përgjigj edhe akuzave se kundërshtimi i vendimit të ZRRE-së është i motivuar politikisht.

“Me ligj e kemi për obligim me i mbrojtë interesat e bizneseve. Nuk është politizim i çështjes nëse ti e ngrit zërin për biznesin, nuk është politizim. Ne nuk merremi me politikë, ne jemi puro, pastër biznes. Edhe protestën që e kemi mbajtur, e keni parë që ka qenë vetëm biznes. Nuk ka pasur asnjë ndërhyrje, as një kontakt me askënd prej politikës, as nuk duam me pasë”, ka thënë ai.

Pas njoftimit të ZRRE-së, ofertat për energji që bizneset kanë marrë janë deri në trefish më të shtrenjta se çmimi aktual i energjisë që paguajnë.

Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve që funksionon në kuadër të kësaj ode, Kushtrim Ajvazi, ka theksuar se institucionet nuk kanë ofruar asnjë udhëzim apo sqarim se si duhet bërë kalimi në tregun e hapur të energjisë.

“Në mesin e 1.300 bizneseve janë rreth një mijë kompani të cilat jashtëligjshëm po detyrohen të dalin në tregun e lirë e të cilat duhet t’iu drejtohen gjykatave. Këtë kanë mundur ta ndalojnë institucionet e vendit, të mos detyrohemi të shkojmë në gjykata. Fatkeqësisht deri në këtë moment nuk ka pasur asnjë lëvizje”, ka thënë Ajvazi.

Ndërkaq, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë një ditë më parë se ka ftuar bizneset në takim për të diskutuar lidhur me daljen në treg të hapur të energjisë, por sipas saj, Oda Ekonomike ka ushtruar presion ndaj tyre që të mos marrin pjesë në takime, por të protestojnë.

Të enjten, bizneset kanë bllokuar pjesërisht hyrjet për në Prishtinë, në shenjë proteste kundër vendimit të ZRRE-së që nga 1 qershori bizneset me qarkullim vjetor më shumë se 10 milionë euro ose që kanë më shumë se 50 punëtorë, të dalin në treg të hapur të energjisë.