Arbëri

“Mos e ndal zhvillimin ekonomik”, bizneset protestojnë kundër vendimit të ZRRE-së

Protestë e bizneseve kundër vendimit të ZRRE-së

Foto: Driton Paçarada

Ka filluar protesta e bizneseve kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për tregun e lirë të energjisë, që ka hyrë në fuqi më 1 qershor. 

“Mos e ndal zhvillimin ekonomik”, “Mos na ndalni prodhimin”, “Importi falënderon ZRRE-në për ndihmën”, “Treg i lirë me zor, rritje e papunësisë”, “Mos e favorizoni importin”, “Energji për zhvillim jo për shkatërrim”, janë disa nga thirrjet e protestuesve. 

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se bizneset nuk janë kundër daljes në treg të lirë të energjisë, por duan të dalin me vullnet jo në mënyrë të dhunshme. 

Ai ka akuzuar se me këtë vendim nuk bëhet fjalë për konkurrencë, por për monopol.

“Kjo padrejtësi që po na bëhet si biznese, si ekonomi e vendit, si qytetarë të Kosovës. Nuk jemi sot këtu për luks, nuk jemi për të kërkuar mëshirë, jemi për të kërkuar një të drejtën tonën që na takon. Energjia elektrike është dritë, është motor i zhvillimit ekonomik, edhe buka që pjekët vjen nga energjia elektrike që e konsumojnë qytetarët. Çdo ndërhyrje në çmimin e energjisë është ndërhyrje në standardin jetësor të qytetarëve. Ne të gjithë e kemi një kërkesë të vetme, të kemi një fazë të tranzicionit, përgatitni tregun për kalim në tregun e lirë. Ne nuk jemi fajtorë që së pari nuk është përgatitur tregu, nuk kemi konkurrencë, kemi monopol. Asnjë biznes nuk është kundër daljes në tregun e lirë, por duam të dalim në treg të lirë me vullnetin tonë, jo në mënyrë të dhunshme. Ata që na heshtin nuk do të fitojnë, do të fitojë zëri i biznesit”, ka thënë ai.

Në përmbyllje të protestës, organizatorët kanë dhënë 10 ditë ultimatum që të bie poshtë ky vendim, duke thënë se përndryshe do të detyrohen të ndërmarrin hapa tutje. 

Protesta ka filluar nga ora 11:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë dhe ka zgjatur deri në orën 12:00.

Një numër i madh i njerëzve është parë të jetë i pranishëm në këtë protestë.

Më 29 maj bizneset dolën në protestë si shenjë pakënaqësie lidhur me procesin e daljes së bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike, duke bllokuar hyrje-daljet në Prishtinë.

Lexo përditësimet tjera
Bizneset protestojnë kundër vendimit të ZRRE-së

Bizneset 10 ditë ultimatum që të hidhet poshtë vendimi për liberalizim të tregut energjetik