Me kërkesën që të shtyhet për një vit dalja në treg të lirë e energjisë, biznese të mëdha të Kosovës kanë protestuar për herë të dytë në Prishtinë. Protesta nisi para objektit të Qeverisë e përfundoi para zyrave të ZRRE-së. Aty u paralajmërua se protestat do të vazhdojnë nëse ZRRE-ja nuk e pezullon vendimin për 10 ditë
Me mbishkrimet “Mos na i shumëfishoni faturat”, “Mos ma shkatërro biznesin” e “Mos e ndal eksportin”, qindra punëtorë e përfaqësues të bizneseve protestuan të mërkurën para objektit të Qeverisë së Kosovës.
Në protestë u kërkua pezullimi i vendimit për kalim të bizneseve të mëdha në tregun e lirë të energjisë, që ka hyrë në fuqi më 1 qershor.
E për këtë pezullim ZRRE-së i janë dhënë 10 ditë kohë, në të kundërtën, sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, do të vazhdohet me protesta.
“Ne të gjithë e kemi një kërkesë të vetme, na jepni një fazë të tranzicionit, përgatiteni tregun për kalim në tregun e lirë. Më pas edhe një paketë të cilën e kanë pasur të gjitha vendet e rajonit, të Evropës por edhe më gjerë, që i kanë ndihmuar biznesit për mos me vërejtur asnjë efekt negativ. Andaj prapë e përsëris, kërkesa jonë është që brenda 10 ditësh ZRRE ta pezullojë këtë vendim”, ka deklaruar Rafuna.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Skënder Krasniqi, tha se tregu i lirë nuk mund të fillojë me monopol të një kompanie, duke iu referuar KESCO-s.
“Respektojeni ligjin, tregu i lirë nuk mund të fillojë me një monopol, këto janë kushtet tona, asgjë më shumë. Qeveria para disa ditësh ndau para për rritjen e pagave për sektorin publik e aq na duhen neve të ruajmë vendin e punës”, është shprehur Krasniqi.
Kushtrim Ajazi, kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës, u shpreh se kjo çon në rritjen e çmimeve.
“Nuk kërkojmë lëmoshë, kërkojmë tranzicion, nuk ka tranzicion kur nuk ka konkurrencë në tregun e lirë, mos na detyroni të rrisim çmimin, respektojeni ligjin”, ka thënë Ajazi.
Pas adresimit të kërkesave para objektit të Qeverisë, protestuesit vazhduan drejt zyrave të ZRRE-së.
Aty i lanë të gjitha pankartat me mesazhe që i shpalosën para Qeverisë. E mesazhi kryesor ishte se protestat do të vazhdojnë deri në pezullim të vendimit.
“Besoj se deri në momentin e fundit ose do të protestojmë, sepse nuk mundemi që të mbesim pa punë, nuk mund të mbajmë familjen pa rroga, pa pare”, ka theksuar Shaban Berisha, punëtor i njërës nga kompanitë që preken nga vendimi.
Për të kundërshtuar daljen në treg të hapur, bizneset organizuan protestë edhe më 29 maj, duke bllokuar një pjesë të hyrje-daljeve të Prishtinës.
Sipas vendimit të ZRRE-së, në treg të lirë kanë kaluar bizneset me mbi 50 punëtorë ose mbi 10 milionë euro qarkullim vjetor. Të tilla, sipas ATK-së, janë afro 1.000.