Bizneset me mbi 50 punëtorë apo me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro janë paralajmëruar se do të shkyçen nga rrjeti të mërkurën, nëse nuk kanë siguruar kontrata me furnizues në treg të hapur të energjisë. E, përfaqësues të bizneseve kanë kërkuar shtyrjen e afatit deri në fillim të vitit të ardhshëm dhe alarmuan se në të kundërtën do të bllokohet aktiviteti ekonomik
Që nga e enjtja përfundon afati i furnizimit përmes KEK-ut, si zgjidhje e përkohshme për bizneset e mëdha që janë obliguar që energjinë elektrike ta sigurojnë përmes tregut të hapur.
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka paralajmëruar se të gjitha bizneset me mbi 50 punëtorë apo me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, e që nuk kanë lidhur kontratë me ndonjë furnizues të licencuar, prej 31 korrikut do të mbesin pa energji elektrike.
ZRRE-ja nuk ka dëgjuar thirrjet që vendimi të pezullohet deri më 1 shkurt të 2026-s.
“Vendimi i Zyrës së Rregullatorit (ZRRE) për dalje në treg të lirë të konsumatorëve që nuk i plotësojnë kushtet për shërbim universal është plotësisht në përputhje me Ligjin Nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike, si dhe me kuadrin rregullativ në fuqi. Ky vendim ka për qëllim zbatimin e detyrimeve ligjore për liberalizimin e tregut dhe krijimin e një mjedisi konkurrues, transparent dhe jodiskriminues. ZRRE-ja është duke monitoruar me kujdes zbatimin e këtij vendimi dhe zhvillimet në treg, ky vendim nuk mund të shtyhet, pasi zbatimi i tij përbën një obligim ligjor, i cili nuk mund të shtyhet mbi baza të kërkesave të palëve të interesit”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së dhënë KOHËS.
Sipas ZRRE-së, më 31 korrik, të gjitha bizneset në Kosovë me mbi 50 punëtorë, ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, që nuk kanë lidhur kontratë me ndonjë furnizues të licencuar të energjisë elektrike, do të mbesin pa rrymë.
“ZRRE-ja u bën thirrje të gjithë konsumatorëve komercialë që duhet të jenë në treg të lirë dhe që ende nuk kanë lidhur kontratë komerciale të furnizimit, të veprojnë pa vonesë dhe të zgjedhin një nga furnizuesit e licencuar, të publikuar në faqen zyrtare të institucionit, sepse nga data e nesërme pasojnë ndërprerjet pasi furnizimi i garantuar përmes FMF nuk do të jetë më i vlefshëm ligjërisht”, thuhet në përgjigje.
Pas paralajmërimit, kanë reaguar organizatat që përfaqësojnë bizneset, e të cilat kanë paralajmëruar pasoja për ekonominë e edhe masa për t’iu kundërvënë vendimit të ZRRE-së.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, u është drejtuar me një letër presidentes, Vjosa Osmani, kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, me kërkesën që të pezullojnë vendimin e ZRRE-së.
Rafuna i është referuar kërkesës si thirrja e fundit për të ndaluar “një veprim arbitrar që po e dëmton rëndë ekonominë e Kosovës”.
Në letër thuhet se ky proces do të shkaktojë pasoja të rënda ekonomike dhe rrezikon mbylljen e fabrikave, humbjen e mijëra vendeve të punës dhe shkatërrimin e prodhuesit vendor, që thuhet se është shtylla kryesore e zhvillimit të vendit.
“Shoqata e Prodhuesve të Kosovës ka kryer një hulumtim me kompanitë prodhuese të sektorëve kryesorë. Rezultatet tregojnë se rritja e kostove të energjisë është e papërballueshme: 1. Kostoja e energjisë për industrinë është rritur mesatarisht 3 herë krahasuar me vitin 2024. 2. Në disa industri, ndikimi i kostos së energjisë në shpenzimet operative (OPEX) ka arritur deri në 44%, duke e bërë të pamundur vazhdimin normal të prodhimit. 3. Vetëm për sektorin e ndërtimit, rritja e kostos ka qenë mbi 5.6 milionë euro, ndërsa për industrinë e ushqimit mbi 1.7 milionë euro”, thuhet në letrën e kryetarit të OEK-ut. “Ju bëjmë thirrje që të ndërmerrni një akt patriotik për Kosovën duke pezulluar menjëherë vendimin për daljen e detyruar në treg të lirë të energjisë deri në finalizimin e lëndëve gjyqësore dhe vendimeve për masën e sigurisë”.
Edhe bizneset anëtare të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë gjatë ditës kanë paralajmëruar veprime të ashpra nëse ZRRE-ja nuk tërhiqet nga vendimi për liberalizimin e tregut të energjisë.
Në njoftimin e kësaj shoqate biznesi thuhet se përgjegjësia për çdo krizë do të bjerë mbi ZRrE-në.
“Nëse ZRRE-ja nuk merr SOT vendim për shtyrjen e menjëhershme të këtij procesi, bizneset do të detyrohen të ndërmarrin masa demokratike dhe ligjore të kundërshtimit, përfshirë protesta të gjera dhe bllokim të aktiviteteve ekonomike”, thuhet tutje në njoftim të kësaj dhome.
Vendimin e ZRRE-së e vlerësoi me dëme të mëdha edhe ish-kryeministri Avduall Hoti, i cili tha se do të sjellë pasoja.
“Pasojat do të jenë të mëdha: largim i investitorëve ekzistues vendorë e ndërkombëtarë, mosardhje e investitorëve të rinj, mungesë e investimeve vendore, rritje e kostove të bizneseve vendore, humbje e aftësisë konkurruese të produkteve vendore në tregun e brendshëm dhe të jashtëm, shtrenjtim i kostos së jetesës për qytetarë, rritje e papunësisë. Si rezultat, brenda një kohe të shkurtër do të vërejmë përkeqësim të bilancit tregtar, pasi produktet e huaja do të vërshojnë tregun tonë”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Por, KEDS-i ka njoftuar se që nga e enjtja do të shkyçen nga rrjeti i energjisë të gjithë konsumatorët që nuk kanë një marrëveshje të rregullt furnizimi me një furnizues aktiv.
Në njoftim, KEDS-i ka theksuar se veprimi bazohet në nenin 39 të Ligjit për Energjinë Elektrike dhe Rregullin për Furnizuesin e Mundësisë së Fundit, ku parashihet që furnizimi emergjent për bizneset të mos zgjasë më shumë se 60 ditë pa një kontratë të rregullt.
“Pas përfundimit të kësaj periudhe, në mungesë të një kontrate të rregullt furnizimi dhe për të ruajtur integritetin e sistemit energjetik, është e nevojshme të bëhet shkyçja”, thuhet në komunikatën e KEDS-it.
KEDS-i ka theksuar se nuk ka rol furnizues, por vetëm vepron si Operator i Sistemit të Shpërndarjes (OSS) dhe është i detyruar të zbatojë vendimet e ZRRE-së.
Kompania ka apeluar te bizneset që ende nuk kanë lidhur marrëveshje me ndonjë furnizues të licencuar që ta bëjnë këtë sa më parë, për të shmangur ndërprerjen e energjisë dhe pasojat që ajo sjell për operimin e tyre.
Në prill bordi i ZRRE-së, krahas vendimit për shtrenjtim të rrymës, njoftoi se nga 1 qershori bizneset që i përmbushin kriteret do të kalojnë në treg të hapur të energjisë.
Deri të mërkurën, kompanitë me mbi 50 punëtorë, ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, që nuk kanë lidhur kontratë me ndonjë furnizues të licencuar të energjisë elektrike, janë furnizuar nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), e cila vepron si Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF). Për këtë furnizim të përkohshëm është përcaktuar se nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë dhe ofrohet me çmime më të larta sesa ato të tregut mesatar. Afati prej 60 ditësh ka skaduar me përfundimin e së mërkurës.
Në ATK figurojnë rreth 1 mijë e 300 biznese që plotësojnë kriteret për treg të hapur të energjisë.