Shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale ka vendosur në favor të Zyrës së Rregullatorit për Energji duke refuzuar shtyrjen e ekzekutimit të daljes në treg të hapur të energjisë për 1 mijë e 300 biznese. Në ZRRE kanë thënë se ende nuk e kanë pranuar vendimin. E përfaqësues të bizneseve theksuan se do të vazhdojnë betejën ligjore ndaj vendimit të ZRRE-së
Rreth 1.300 biznese do të vazhdojnë të operojnë në treg të hapur të energjisë, pasi shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale ka vendosur në favor të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Kjo shkallë ka aprovuar ankesën e ZRRE-së, duke refuzuar shtyrjen e ekzekutimit të daljes së bizneseve në treg të lirë të energjisë elektrike.
“Aprovohet si e bazuar ankesa e të paditurit Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) me seli në Prishtinë. NDRYSHOHET pika IV e Aktgjykimit K.A.nr.301/25 e datës 29.07.2025 e Gjykatës Komerciale të Kosovës – Dhomat e Shkallës së Parë – Departamenti për Çështje Administrative, ashtu që vendoset si në vijim: Refuzohet si e pabazuar kërkesa e paditësit … me seli në Prishtinë, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit nr.272/23 të datës 05.04.2025 dhe njoftimit të datës 12.03.2025 të nxjerrë nga ZRRE”, thuhet në vendimin e shkallës së dytë të Komerciales.
Nga ZRRE-ja kanë thënë për KOHËN se ende nuk kanë pranuar vendimin nga Gjykata dhe se pas pranimit do të dalin me njoftim zyrtar.
E përfaqësues të bizneseve kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë betejën ligjore kundër këtij vendimi.
Kryetari i Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, ka kërkuar nga ZRRE-ja të mos ndërmarrë veprime të tjera që do t’i dëmtonin bizneset.
“Ne si Odë Ekonomike do të vazhdojmë betejën ligjore. Do t’i shfrytëzojmë të gjitha mjetet e rregullta dhe mjetet e jashtëzakonshme, do ta shohim mundësinë në Supreme. Por, deri në Kushtetuese do ta ndjekim çështjen, nuk do të ndalemi, në emër të bizneseve të cilat janë të detyruara me dhunë të dalin në tregun e lirë. Si vendim nuk e komentojmë, respektojmë, janë institucione të pavarura, do ta ndjekim betejën ligjore”, ka thënë Rafuna.
E Kushtrim Ajazi, kryetar i Shoqatës Prodhuese, ka thënë se ky është një dëm i madh për bizneset dhe ekonominë pasi, siç ka thënë, pritet të ketë një valë të re të inflacionit.
“Bizneset e kanë të pamundur që të mbulojnë koston e energjisë që është trefishuar sipas ofertave që kanë pranuar për tregun e lirë dhe detyrimisht do të detyrohen që t’i rrisin çmimet e produkteve të tyre ato kompani që do të mund të ngrenë, sepse, sipas informatave dhe takimeve që kemi mbajtur, disa biznese nuk do të mund fare të depërtojnë në treg dhe do të mbyllen”, ka thënë Ajazi.
Edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka shprehur “shqetësimin e thellë” për aktvendimin e shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, me të cilin i jepet dritë e gjelbër vazhdimit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, pavarësisht se kjo odë ka konstatuar se “procesi ka një mori shkeljesh ligjore dhe procedurale”.
“DHTIK vlerëson se gjykata ka pasur mjaftueshëm prova dhe argumente të qarta për shkeljet e bëra, të cilat janë prezantuar në mënyrë të përsëritur në çdo takim me institucionet, por fatkeqësisht nuk janë marrë për bazë”, thuhet në reagim.
Në reagim është thënë se forma e zgjedhur nga ZRRE-ja, e përkrahur në heshtje nga të gjitha institucionet relevante, do të shkaktojë pasoja të rënda për ekonominë e vendit, duke përfshirë: Rritjen e ndjeshme të çmimit të energjisë elektrike; Rritjen e çmimit të produkteve; Rrezikimin e mijëra vendeve të punës; Uljen e prodhimit vendor dhe mbytjen e tij nga importet që po rriten çdo ditë; si dhe Mbylljen e një numri të madh veprimtarish biznesore.
“DHTIK i bën thirrje edhe një herë ZRRE-së dhe Qeverisë së Kosovës që të pezullojnë menjëherë zbatimin e vendimit dhe të hapin një proces të rishqyrtimit transparent, duke respektuar konsultimet publike dhe përfshirjen e komunitetit të biznesit, siç kërkohet nga ligji. Gjithashtu institucionet të ndajnë mjete shtesë në përkrahje të bizneseve në mënyrë që të mos ketë pasoja të rënda për ekonominë dhe të ardhmen e vendit tonë”, thuhet në reagim. “Po ashtu, DHTIK u bën thirrje të gjitha bizneseve që të shfrytëzojnë të gjithë mekanizmat ligjorë për të kundërshtuar këtë vendim të dëmshëm. DHTIK së bashku me bizneset do të përdorë çdo mjet ligjor dhe institucional për të mbrojtur interesat e ekonomisë së Kosovës”.
ZRRE-ja në mars kishte njoftuar se bizneset me mbi 50 të punësuar apo mbi 10 milionë euro qarkullim do të dalin në treg të hapur të energjisë. Ky njoftim është kundërshtuar nga biznese të ndryshme, të cilat kanë ngritur lëndë të veçanta në gjykatë.
E, javë më parë Komercialja pati anuluar njoftimin për dalje në treg të lirë.
Vendimi i Komerciales për anulim të njoftimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji dhe të njërës pikë të vendimit për liberalizimin e tregut, sipas juristëve, qe i vlefshëm për të gjitha bizneset dhe nënkupton se ato nuk janë të detyruara që të dalin në treg të hapur të energjisë. Vendimi i ZRRE-së ishte dërguar për trajtim në Gjykatën Komerciale nga kompania “Proex”, nën pretendimet se është i paligjshëm.
Por, pas apelimit në shkallë të dytë nga ZRRE-ja, vendimi i shkallës së parë është anuluar.
Në Kosovë liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2016, por zbatimi i tij është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme.
Në vendet e Bashkimit Evropian procesi i liberalizimit të tregut të energjisë ka filluar në fund të viteve ’90 me qëllim rritjen e konkurrencës, efikasitetit, sigurisë dhe zgjedhjes për konsumatorët.
Në Ballkanin Perëndimor ky proces është ende në zhvillim e sipër.