Arbëri

Shkalla e dytë e Komerciales i jep të drejtë ZRRE-së për liberalizim të tregut

Mbledhja e Bordit të ZRRE-së më 10 korrik

Mbledhja e Bordit të ZRRE-së më 10 korrik

Shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale ka miratuar ankesën e Zyrës së Rregullatorit për Energji duke refuzuar shtyrjen e ekzekutimit të daljes së bizneseve në treg të lirë të energjisë elektrike.

“Aprovohet si e bazuar ankesa e të paditurit Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) me seli në Prishtinë. NDRYSHOHET pika IV e Aktgjykimit K.A.nr.301/25 e datës 29.07.2025 e Gjykatës Komerciale të Kosovës – Dhomat e Shkallës së Parë – Departamenti për Çështje Administrative, ashtu që vendoset si në vijim: Refuzohet si e pabazuar kërkesa e paditësit … me seli në Prishtinë, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit Nr.272/23 të datës 05.04.2025 dhe njoftimit të datës 12.03.2025 të nxjerrë nga ZRRE”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Për rastin ka reaguar Oda Ekonomike që ka thënë se do ta vazhdojë betejën ligjore.

“Përkundër këtij vendimi, OEK kërkon nga Zyra e Rregullatorit për Energji që të mos marrë veprime të tjera që do t’i dëmtonin bizneset, të cilat tashmë janë dëmtuar nga vendimet e ZRrE-së që kanë shkuar në dëm të ekonomisë së vendit dhe kanë ndikuar në shtrenjtimin e jetesës së qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në ditët në vijim, ne do të konsultohemi me bizneset dhe do të shqyrtojmë hapat e tjerë që do të ndërmerren. Për këtë, do të njoftoheni me kohë”, thuhet në reagimin e OEK-ut.

Në mars të këtij viti, Zyra e Rregullatorit të Energjisë njoftoi për daljen në treg të hapur të energjisë për bizneset e mëdha. Ky vendim prek mbi 1000 kompani private.

Javë më parë, Komercialja pati anuluar njoftimin për dalje në treg të lirë.

Vendimi i Komerciales për anulim të njoftimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji dhe të njërës pikë të vendimit për liberalizimin e tregut, sipas juristëve, qe i vlefshëm për të gjitha bizneset dhe nënkupton se ato nuk janë të detyruara që të dalin në treg të hapur të energjisë. Vendimi i ZRRE-së ishte dërguar për trajtim në Gjykatën Komerciale nga kompania “Proex”, nën pretendimet se është i paligjshëm.

Në vendimin e Gjykatës thuhej se njoftimi të cilin ZRRE-ja e ka publikuar më 12 mars për liberalizimin e tregut energjetik është i kundërligjshëm, ngase përbën detyrim për palët dhe ka efekte për të gjitha bizneset që kalojnë në treg të lirë, si dhe nuk i plotëson kriteret e një akti administrativ.

Komercialja e ka konsideruar të kundërligjshme edhe pikën 4 të vendimit të marrë nga ZRRE-ja më datë 5 prill për liberalizim të tregut, nën arsyetimin se nuk i ka përcaktuar qartë disa pika të kalimit të bizneseve në treg të lirë energjetik.