Arbëri

Komercialja pezullon vendimin e ZRRE-së për daljen në tregun e lirë të energjisë edhe për 5 kompani

Lartperquesit, rryma, energjia elektrike,  kostt

Foto- Ilustrim

Foto: Driton Paçarada

Oda Ekonomike e Kosovës ka njoftuar se Gjykata Komerciale, ka pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për daljen në tregun e lirë të energjisë për pesë kompani që kanë ushtruar padi individuale ndaj këtij vendimi. 

“Siç kemi theksuar edhe më herët, legjislacioni aktual nuk parasheh padi në formë grupore ose kolektive, prandaj vetëm paditë individuale po trajtohen dhe po pranohen nga gjykata. Këto pesë kompani kanë fituar të drejtën e tyre ligjore përmes këtij mekanizmi”, thuhet në njoftim.

Edhe në këtë njoftim OEK-ja i ka bërë thirrje ZRRE-së që të anulojë vendimin për daljen e dhunshme në tregun e lirë të energjisë, në mënyrë që të mos dëmtohet konkurrenca, bizneset, qytetarët dhe ekonomia e vendit.

Komerciale që nga hyrja në fuqi e vendimit të ZRRE-së i ka miratuar edhe disa padi të tjera të kompanive individuale. 

Ndërkohë më 9 korrik ZRRE-ja OEK-u kanë njoftuar të martën se Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesat për vendosjen e masës së sigurisë ndaj liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.

Vendimi, sipas ZRRE-së, u mor më 9 korrik, pas shqyrtimit të dy kërkesave të ndara të parashtruara nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe bashkërisht nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Shoqata e Prodhuesve të Kosovës (SHPK).

Kërkesat kishin synuar pezullimin e zbatimit të liberalizimit të tregut të energjisë, që ka hyrë në fuqi nga 1 qershori. Mbi 1 mijë e 300 biznese janë detyruar të dalin në treg të hapur, duke zgjedhur vetë furnizuesin. ZRRE-ja për ato biznese që nuk kanë gjetur furnizues ka angazhuar KEK-un si furnizues fundor për një periudhë gjashtëmujore.

Sipas ZRRE-së, në arsyetimin e saj, Gjykata ka theksuar përfitimet e liberalizimit, përfshirë nxitjen e konkurrencës mes furnizuesve, presionin për çmime më të ulëta dhe shërbime më cilësore, mundësinë për oferta më të favorshme për konsumatorët dhe rritjen e efikasitetit në sektorin energjetik.