Oda Ekonomike e Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media ka thënë se Gjykata Komerciale e ka anuluar në tërësi njoftimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për daljen në treg të hapur të bizneseve me mbi 50 punëtorë ose mbi 10 milionë euro qarkullim në vit.
“Oda Ekonomike e Kosovës i bën thirrje ZRRE-së për anulimin e vendimit. Me aktgjykimin e fundit të datës 29.07.2025, KA.nr.301/25, Gjykata Komerciale e Kosovës, Dhomat e Shkallës së Parë, Departamenti për Çështje Administrative, ka anuluar në tërësi njoftimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) të datës 12.03.2025, përmes të cilës janë njoftuar kompanitë për kalimin e detyrueshëm në tregun e hapur të energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin e Odes Ekonomike të Kosovës (OEK).
Në njoftim thuhet se ZRRE-ja është e detyruar të zbatojë aktgjykimet përfundimtare të gjykatës, dhe se moszbatimi i tyre përbën shkelje të rëndë të rendit juridik që sjellë përgjegjësi penale.
Ndërkohë në një komunikatë Oda Ekonomike Amerikane ka theksuar se “pas vendimit të sotëm të Departamentit për Çështje Administrative, të Gjykatës Komerciale, për pezullimin e njoftimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për liberalizimin e tregut të energjisë, si dhe caktimin e masës së sigurisë, në pritje të aktgjykimit përfundimtar, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përsërit thirrjen e saj që ZRRE-së të shfuqizojë menjëherë vendimin e saj të kontestuar për liberalizimin e tregut të energjisë”.
“Aktgjykimi i sotëm, por edhe ato të para disa javëve, konfirmojnë shqetësimet e ngritura nga bizneset dhe Oda Amerikane, duke theksuar më tej të metat procedurale dhe substanciale në procesin e liberalizimit. Pasiguria juridike e krijuar muajve të fundit ka shkaktuar konfuzion të jashtëzakonshëm në mesin e bizneseve, duke minuar parashikueshmërinë rregullative dhe duke cenuar planifikimin operativ”, thuhet në komunikatë.
KOHA nuk ka arritur që të marrë një përgjigje nga ZRRE-ja lidhur me këtë vendim të Gjykatës Komerciale.
Posa të arrijë të marrë përgjigje, teksti do të përditësohet.