Oda Ekonomike e Kosovës ka dorëzuar padi ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, në Gjykatën Supreme për çështjen se daljes së bizneseve në treg të lirë të energjisë. Të shtunën nisi shkyçja e bizneseve që nuk kanë nënshkruar kontrata për furnizim me energji.
Lulzim Rafuna, kryetar i OEK-ut, ka thënë se do ta përdorin çdo hapësirë ligjore për të kundërshtuar vendimin e ZRRE-së.
“Nuk ka qenë e drejtë që energjia elektrike të ndërpritet ditën e shtunë kur është vikend e që biznesi të jetë deri sot pa energji elektrike dhe të mos ketë mundësi të bëjë asgjë. Gjatë vikendit na kanë informuar që me polici ju kanë shkuar, ju kanë krijuar një imazh shumë të keq sikur të jenë biznese kriminale, se jo biznese shumë të ndershme, që kanë paguar tatim dhe çka ka pasur të bëhet një shkëputje e energjisë elektrike”, ka thënë Rafuna një ditë më parë.
Vendimi për liberalizimin e tregut ka hyrë në fuqi më 1 qershor 2025, sipas të cilit të gjitha kompanitë me më shumë se 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro në vit, janë të obliguara të kalojnë në tregun e hapur.
Për të mos mbetur pa energji gjatë një periudhe tranzitore, mbi dy muaj bizneset u furnizuan përkohësisht nga KEK-u si Furnizues i Mundësisë së Fundit. Por, nga 16 gushti ka nisur shkyçja e tyre.
ZRRE-ja më 13 gusht u ka bërë thirrje kompanive që të nënshkruajnë kontrata, si paralajmërim të fundit para 16 gushtit. Ky njoftim u bë pas vendimit të shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, që vendosi në favor të ZRRE-së, duke mos shtyrë ekzekutimin e daljes në treg të hapur të rreth 1300 bizneseve.