LAJMET E MBRËMJES

OEK-u paralajmëron falimentim masiv të bizneseve si pasojë e vendimit të ZRRE-së

Oda Ekonomike e Kosovës ka kërkuar edhe një herë nga institucionet pezullimin e vendimit për daljen në treg të hapur të energjisë për bizneset e mëdha pasi, sipas saj, kjo do të pasojë me falimentime masive. Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, ka thënë se ky vendim do të ndikojë në tkurrje të prodhimit vendor. Sipas tij, prodhimi vendor ka nisur të tkurret qysh tash

Prodhimet vendore kanë filluar të tkurren, sipas Odës Ekonomike të Kosovës. E kjo, pritet të përkeqësohet nga 1 qershori kur bizneset e mëdha pritet të dalin në treg të hapur të energjisë, duke u obliguar që të zgjedhin vetë furnizuesin, kanë thënë udhëheqës të odës. 

Shkak për këtë, sipas kryetarit të këtij institucioni, Lulzim Rafuna, janë ofertat me çmime prej 200 për qind më të larta që kanë marrë për furnizim me energji. 

“Të dhënat po na tregojnë se prodhimi i Kosovës është duke rënë. Sot, kur ende nuk kanë dalë në tregun e lirë, është duke rënë. Tregu nuk është i mirë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në tregun e BE-së. Shqetësuese është se inflacioni është duke u rritur dhe do t’i godasë qytetarët e Kosovës. Edhe pse në vitin 2024 e kemi mbyllur me 1.6 për qind, menjëherë për katër muaj, inflacioni ka filluar me tendencë rritjeje. Dhe do të shkojë duke u rritur edhe më shumë nëse do të vazhdohet me këtë kërkesë për të dalë në tregun e lirë”, ka thënë Rafuna të martën në një konferencë për media.

KOHA ka kontaktuar disa nga 19 kompanitë e licencuara për furnizim për të parë se çfarë ofertash kanë ofruar ato për bizneset, porse ato kanë thënë se janë ende në fazën e ofertimit dhe se nuk mund të flasin për ofertat.  

Ato nuk kanë folur as nëse do të mund të ofrojnë furnizim të qëndrueshëm me energji për bizneset e mëdha.

Por kryetari i OEK-ut Rafuna ka përsëritur kërkesën drejtuar institucioneve për pezullim së paku edhe një vit të vendimit të ZRRE-së për daljen në treg të hapur.

“Kur jemi te bilanci tregtar i mallrave, këto janë të dhëna zyrtare që janë shumë shqetësuese për të gjitha institucionet e vendit tonë dhe për të gjitha partitë politike që janë prezente në Kuvend. Kërkojmë që sa më shpejt të themelohen institucionet që të ndërmarrin hapat për të shpëtuar biznesin, ta shpëtojmë ekonominë e vendit tonë... Importi e ka kaluar vlerën për katër muaj mbi 2 miliardë, ndërsa eksporti ka rënë në 275 milionë. Për këta 4 muaj, bilanci është thelluar mbi 18.83 për qind, afërsisht 19 për qind, dhe kjo është shumë shqetësuese, sepse prodhimi ynë është duke humbur”, ka thënë ai.

Mbi 1 mijë biznese nga 1 qershori duhet t’i zgjedhin vetë furnizuesit për energji elektrike. 

Por, bizneset kanë kërkuar që të ketë sërish shtyrje, ani se një vendim i tillë është shtyrë që nga viti 2017.

OEK-u ka kërkuar nga Avokati i Popullit që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të atakuar vendimin e ZRRE-së, për shkak të situatës ekonomike të vendit dhe kohës jo të përshtatshme për të dalë në treg të hapur.

Edhe Oda Ekonomike Amerikane (OEAK) ka paralajmëruar se dalja në treg të hapur në këtë kohë do të krijojë vështirësi te bizneset.

“Kemi një pozitë de fakto monopolistike për aq kohë që 18 furnizuese nuk janë në gjendje të ofrojnë energji elektrike ose të operojnë si duhet krahasuar me njërin prej furnizueseve i cili ka ndoshta aftësinë më të madhe edhe për të negociuar edhe për të furnizuar me energji. Bizneset në masë të madhe mendojnë se do të ballafaqohen me tarifa më të larta, e që në fakt efekti i daljes dhe mundësia e gjetjes së furnizueseve në treg të lirë do të duhej të ofronte çmime më të lira”, ka thënë ditë më parë, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës, Arian Zeka.

E në një anketë që OEAK e ka bërë me anëtarët e saj, sipas Zekës, rreth 80 për qind e tyre janë deklaruar se liberalizimi do të ketë ndikim negativ në operacionet e bizneseve.

“Mbi 70 për qind e tyre presin që do të humbasin në një shkallë të caktuar aftësinë e tyre konkurruese sidomos kundrejt shteteve tjera të rajonit. Duhet të kemi parasysh se edhe ashtu Kosova është treg i vogël dhe çfarëdo cenimi i përparësisë konkurruese mund t’i bëjë kompanitë më të brishta në raport me konkurrencën që ato ballafaqohen”, ka theksuar ai.

Vendimet e ZRRE-së sipas Zekës janë përcjellë me mangësi, pasi sipas tij, bizneset do të duheshin të paralajmërohen së paku 1 vit më herët që të përgatiten për krijimin e mirëfilltë të tarifave të energjisë, e po ashtu edhe furnizuesit e licencuar të operonin në treg.

KOHA ka raportuar se si Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk ka sqaruar se si do të ndikojë në tarifat e energjisë dalja në treg të hapur e konsumatorëve me mbi 10 milionë euro qarkullim ose me mbi 50 punëtorë.

Kritika për këtë proces ka adresuar edhe Instituti për Politika Zhvillimore. Sipas tij, koha e shpalljes së vendimit nga ZRRE-ja ngre dyshime mbi transparencën dhe qëllimin e këtij hapi, pasi nuk është ofruar asnjë analizë e qartë mbi ndikimin që largimi i këtyre konsumatorëve do të ketë mbi tarifat e konsumatorëve të mbetur.

“Pavarësisht rëndësisë së liberalizimit për konkurrencën dhe zhvillimin e tregut, mënyra se si ky proces është menaxhuar nga ZRrE, me shtyrje dhe paqartësi të vazhdueshme, cenon rëndë besimin e konsumatorëve dhe aftësinë e tregut për t’u përshtatur në mënyrë efektive dhe të qëndrueshme”, thuhet në raportin e INDEP-it.

Po ashtu si shqetësim ishte ngritur edhe çështja e stabilitetit energjetik që do t’u ofrohet konsumatorëve që dalin në treg të hapur, pasi që sipas njohësve, shkaku i fyteve të ngushta në momentin që ndërpritet rryma, ndërpritet për krejt rajonin.