Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka parashikuar se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do ta zgjerojë luftën e nisur në Ukrainë duke sulmuar një shtet tjetër evropian.
Duke folur në Kiev pas takimit me presidentin amerikan Donald Trump në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në New York, presidenti ukrainas ka thënë se Rusia po përgatitet për luftë edhe më të madhe.
“Putini nuk do të presë ta përfundojë luftën e tij në Ukrainë. Ai do të nisë diçka në drejtim tjetër. Askush s’e di ku. Ai e dëshiron këtë”, ka thënë Zelensky.
Presidenti ukrainas ka thënë se Kremlini është duke testuar vazhdimisht kapacitetin e Evropës për ta mbrojtur hapësirën ajrore, pasi rasteve të fundit kur dronët rusë shkelën hapësirën ajrore të Estonisë dhe Polonisë. Ndërsa në Danimarkë janë vënë re dronë të panjohur.