Botë

Zelensky flet për riaktivizim të procesit diplomatik për fundin e luftës në Ukrainë

Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të martën se Ukraina do të përpiqet të "riaktivizojë" procesin diplomatik për t'i dhënë fund luftës së vendit të tij me Rusinë.

"Është e rëndësishme të kemi mbështetje për këtë", ka thënë Zelensky në një konferencë shtypi në Madrid së bashku me kryeministrin e Spanjës, Pedro Sanchez.

Më vonë, ai ka thënë se planifikonte të diskutonte me presidentin e Turqisë, Tayyip Erdogan, të mërkurën se si të arrijë një "paqe të drejtë" në Ukrainë.

Turqia ishte vendi i bisedimeve midis përfaqësuesve ukrainas dhe rusë në pranverën e vitit 2022, si dhe në fillim të këtij viti, por ata nuk arritën të sillnin fundin e luftimeve.

"Mendoj se ky (takimi me Erdoganin) do të jetë i mjaftueshëm për një diskutim thelbësor", ka thënë ai.

"Kemi disa qëndrime dhe sinjale nga SHBA-ja, do ta shohim nesër", ka shtuar Zelensky pa dhënë detaje.