Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky pritet të takohet me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer në Downing Street të enjten.
Kjo do të jetë një përpjekje e fundit që kërkesat evropiane të dëgjohen përpara se Donald Trumpi të takohet me Vladimir Putinin për të diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë.
Zelensky dhe udhëheqës të tjerë evropianë, të cilët nuk po marrin pjesë në takim, kanë zhvilluar një telefonatë të përbashkët me Trumpin të mërkurën duke përsëritur qëndrimin e tyre, teksa Starmer ka thënë se "integriteti territorial" i Ukrainës duhet të mbrohet dhe kufijtë ndërkombëtarë "nuk duhet të ndryshohen me forcë".
Javën e kaluar Trumpi ka paralajmëruar se mund të ketë "disa shkëmbime territoresh, në të mirë të të dyja vendeve", duke shtuar frikën se Ukraina mund të duhet të heqë dorë nga disa zona në mënyrë që t'i japë fund konfliktit të përgjakshëm.
Ukraina ka këmbëngulur se nuk do të pranojë kontrollin rus të tokës që ka pushtuar, përfshirë Krimenë, dërsa Moska dëshiron të ruajë kontrollin.