Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të takohet me presidentin amerikan, Donald Trump në Florida të dielën, për rundin e fundit të bisedimeve që synojnë t'i japin fund gati katër vjetëve të luftës me Rusinë.

Dyshja do të diskutojë një version të përditësuar të planit të paqes të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, të cilin Moska ende nuk e ka mbështetur, si dhe propozime të veçanta për garancitë e sigurisë nga SHBA-ja.

Takimi Trump-Zelensky do të jetë i pari ballë për ballë i dyshes që nga tetori, kur Trumpi ka refuzuar të plotësonte kërkesën e Zelenskyt për raketa me rreze të gjatë veprimi Tomahawk.

Takimi i tyre në shtëpinë e presidentit amerikan në Mar-a-Lago vjen pas bombardimeve intensive ruse të Kievit gjatë fundjavës, të cilat, sipas Zelenskyt, janë prova se Moska "nuk dëshiron paqe".

Të premten në mbrëmje, një sulm 10-orësh me raketa dhe dronë që synonte kryeqytetin e Ukrainës ka vrarë dy persona dhe ka lënë 32 të tjerë të plagosur, kanë thënë autoritetet lokale.

Sulme të mëtejshme ruse ka pasur edhe të shtunën në mbrëmje.

Në takimin në Florida, Zelensky pritet të ngrejë çështjen e garancive të sigurisë dhe lëshimeve territoriale për Ukrainën, të cilat janë çështje për të cilat Rusia më parë nuk ka qenë e gatshme të bëjë kompromis.

Ata do të diskutojnë gjithashtu planin e ri të paqes me 20 pika, një version i rishikuar i një plani të mëparshëm prej 28 pikash, të hartuar nga i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, i cili u pa gjerësisht si shumë i favorshëm për Rusinë.

Kontrolli i Donbasit lindor të Ukrainës ka qenë një pikë e rëndësishme ngërçi deri më tani, por Zelensky tani ka thënë se një "zonë e lirë ekonomike" mund të jetë një opsion.

Moska aktualisht kontrollon rreth 75% të rajonit të Donetskut dhe rreth 99% të Luhanskut fqinj. Rajonet njihen kolektivisht si Donbas.

Kremlini nuk ka komentuar ofertën e Zelenskyt për të tërhequr trupat nga rajoni lindor i Donbasit, nëse edhe Rusia tërhiqet.

Por të shtunën, presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se Ukraina "nuk po nxitonte ta zgjidhte këtë konflikt në mënyrë paqësore", raportoi agjencia shtetërore e lajmeve Tass.

Putini ka shtuar se nëse Kievi nuk donte ta zgjidhte konfliktin në mënyrë paqësore, Rusia do t'i arrinte objektivat e saj ushtarakisht.

Presidenti ukrainas ka shprehur optimizëm në lidhje me draftin e ri të planit të paqes, duke e përshkruar atë si "një dokument themelor për përfundimin e luftës".

Lavrovi paralajmëron se trupat evropiane në Ukrainë do të ishin “shënjestër legjitime”

1 muaj më parë / 28 dhj 2025 19:27
Lavrov: Diskutimet e sigurisë për Ukrainën pa Rusinë s’çojnë kurrkund

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka paralajmëruar se vendosja e çdo trupe evropiane në Ukrainë do të përbënte “shënjestër legjitime”. 

Në një intervistë për agjencinë ruse të lajmeve “TASS”, Lavrov, tha se liderët evropianë “s’kanë nevojë të frikësohen se Rusia do ta sulmojë ndokënd”. 

Por, ai shtoi se “nëse ndonjëri do ta shqyrtojë ta sulmojë Rusinë, atëherë do të merrte goditje shkatërruese”. 

Disa shtete në të ashtuquajturin “koalicioni i të vullnetshmëve” – grup i aleatëve të Kievit që thotë se synim e ka ta sigurojë një paqe të qëndrueshme në Ukrainë – ka shprehur gatishmërinë për të vendosur trupa në terren në Ukrainë në rast të arritjes së një marrëveshjeje të armëpushimit. 

Rusia ka kundërshtuar këtë. Lavrov ka thënë se Rusia “vlerëson” angazhimin e presidentit të SHBA-së për të arritur marrëveshje, por ka paralajmëruar se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky “nuk është gati të angazhohet në bisedime konstruktive”. 
 

Trumpi thotë se zhvilloi bisedë “të mirë e shumë produktive” me Putinin

1 muaj më parë / 28 dhj 2025 18:09
Donald Trump dhe Vladimir Putin

Foto: Arkiv

Photo: Associated Press

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se ka zhvilluar një bisedë telefonike “të mirë dhe shumë produktive” me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, para se ta presë sot në takim presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky. 

“Pata një telefonatë të mirë dhe shumë produktive me presidentin e Rusisë, Putin”, ka shkruar Trump në “Truth Social”. 

Trump ka shkruar se takimi me Zelenskyn do të zhvillohet në rezidencën e tij Mar-al-Lago dhe se gazetarët janë të ftuar. 

Zelensky ka thënë se “shumë gjëra mund të vendosen para Vitit të Ri”.