Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, F.N., M.A. dhe B.A., të cilët ndodhen në paraburgim, nën dyshimin se në bashkëkryerje kanë kultivuar dhe përgatitur për shitje mbi gjysmë ton marihuanë në fshatin Maqitevë të Suharekës.
Sipas aktakuzës, të pandehurit, nga një periudhë e pavërtetuar deri më 16 shtator 2025, kanë kultivuar kanabis në dy parcela në një zonë malore të Maqitevës. Për kultivim, ata dyshohet se kishin instaluar sistem të ujitjes me rezervuar dhe gypa me sistem pikë-pikë.
Aktiviteti i tyre është zbuluar më 16 shtator 2025, kur gjatë kontrolleve në një shtallë janë gjetur dhe sekuestruar 512 kilogramë marihuanë, e cila, sipas Prokurorisë, ndodhej në fazën e tharjes dhe përgatitjes për shpërndarje dhe shitje. Mostrat e ekzaminuara nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë kanë rezultuar pozitive për kanabis që përmban substancën psikoaktive THC.
Përveç veprave penale që lidhen me narkotikët, të tre të pandehurit akuzohen veçmas edhe për posedim të paautorizuar të armëve. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar një raketë krahu antitank, një mortajë dore, një pushkë gjuetie, një pushkë gjysmëautomatike dhe fishekë.
Prokuroria ka kërkuar që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Po ashtu, është kërkuar konfiskimi i përhershëm i pasurisë dhe sendeve që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprave penale ose janë përfituar përmes tyre. Në mesin e tyre janë dy parcela me sipërfaqe prej 1,963 dhe 1,438 metrash katrorë, shtëpia dhe shtalla, narkotikët dhe pajisjet për kultivim, armët dhe municioni, telefonat mobilë, traktori me rimorkio dhe prova të tjera materiale.