Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, ka pritur të hënën në Londër për një takim, presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron, për bisedime lidhur me planin për fundin e luftës në Ukrainë.
Duke folur shkurt në fillim të takimit, Zelensky ka falënderuar Starmerin për takimin teka ka shtuar se “ka gjëra që nuk mund t'i menaxhojmë pa amerikanët, ... nuk mund t'i menaxhojmë pa Evropën”.
Ndërkohë Macroni ka thënë se “kemi shumë letra në duar", ndërsa ka folur për opsionet për Evropën dhe ekonominë gjithnjë e më të vuajtur të Rusisë.
Presidenti francez ka folur po ashtu për nevojën për të gjetur një mënyrë për t'i afruar Evropën dhe SHBA-në për të rënë dakord për rrugën përpara.
E Merzi ka deklaruar se “këto mund të jenë ditë vendimtare për të gjithë Evropën”.
Megjithatë, kancelari gjerman është shprehur se është "skeptik" për "disa nga detajet që vijnë në dokumentet nga pala amerikane" dhe thotë se për këtë dëshiron të flasë me udhëheqës të tjerë.
Pas deklarimeve të para, të katër liderët tani janë duke zhvilluar bisedime me dyer të mbyllura.
Javëve të fundit janë zhvilluar bisedime intensive SHBA-Rusi dhe SHBA-Ukrainë, në përpjekje të administratës Trump për t’i dhënë fund luftës së nisur më 2022.