Botë

Zelensky takon udhëheqësit evropianë në Londër për bisedime për përfundimin e luftës

Zelensky

Foto: Associated Press

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, sot në Londër do t‘i takojë liderët e Britanisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë për të diskutuar propozimin e fundit të paqes të hartuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), i cili synon t’i japë fund luftës së Rusisë në Ukrainë.

Bisedimet disa-ditore mes zyrtarëve amerikanë dhe atyre ukrainas përfunduan të shtunën pa një përparim të dukshëm. Zelensky i vlerësoi diskutimet si “konstruktive, megjithëse jo të lehta”, ka raportuar The Gruadrian.

Të dielën në mbrëmje, presidneti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Zelensky “ende nuk e ka lexuar propozimin”, duke pretenduar se “njerëzit e tij e pëlqejnë atë”. 

Ndërkohë, kryenegociatori ukrainas, Rustem Umerov, bëri të ditur se presidenti do të njoftohet të hënën mbi bisedimet e ekipit të tij me zyrtarët amerikanë dhe do të marrë të gjitha dokumentet përkatëse të planit të paqes.

SHBA-ja, pas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Trump për armëpushimin në Gazë, po përpiqet të shtyjë përpara një marrëveshje paqeje mes Kievit dhe Moskës. Sipas zyrtarëve amerikanë, negociatat ndodhen në fazën përfundimtare, megjithëse ka pak gjasa që Ukraina ose Rusia të pranojnë kornizën aktuale të hartuar nga ekipi negociator i Trumpit.

Presidenti amerikan në deklaratat e tij të fundit, ka theksuar se Rusia është pajtuar me marrëveshjen por se Zelensky jo. 

“Rusia, besoj, është në rregull me marrëveshjen, por nuk jam i sigurt që Zelensky është. Njerëzit e tij e mbështesin, por ai nuk është ende gati”, ka theksuar ai.

Në Londër, Zelensky pritet të pritet nga kryeministri britanik, Keir Starmer, kancelari gjerman, Friedrich Merz, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, për të diskutuar mbi ecurinë e negociatave.

Ndërkohë, ministrja e jashtme britanike, Yvette Cooper, do të udhëtojë të hënën drejt Uashingtonit për t’u takuar me homologun e saj amerikan, Marco Rubio. “Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja do të riafirmojnë angazhimin e tyre për arritjen e një marrëveshjeje paqeje në Ukrainë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme britanike.

Plani fillestar i Washingtonit për të përfunduar pothuajse katër vjet luftë parashikonte që Ukraina të dorëzonte territore që Rusia nuk ka arritur t’i pushtojë në fushëbetejë, në këmbim të garancive të sigurisë që nuk përputhen me objektivin e Kievit për t’u anëtarësuar në NATO. Procesi i bisedimeve ka ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve mbi garancitë e sigurisë dhe statusin e territoreve të pushtuara nga Rusia.

Starmer ka theksuar vazhdimisht se Ukraina duhet të përcaktojë vetë të ardhmen e saj dhe se një forcë paqeruajtëse evropiane do të kishte një rol “vendimtar” në garantimin e sigurisë së vendit.

Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk ka dhënë ende miratim publik për planin e Shtëpisë së Bardhë dhe javën e kaluar ka deklaruar se disa pjesë të propozimit të Trump janë të pazbatueshme. Emisarët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner u takuan me Putinin në Kremlin javën e kaluar, por nuk arritën një përparim të dukshëm.