Botë

Britania dhe Franca pajtohen të dërgojnë trupa në Ukrainë nëse arrihet armëpushimi

Macron

Foto: Associated Press

E përditësuar (20:17) - Negociatat mbi protokollet e sigurisë kryesisht kanë përfunduar, thotë i dërguari i SHBA-së

I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, ka thënë gjatë konferencës për shtyp në përfundim të samitit të Parisit për Ukrainën se presidenti Donald Trump dëshiron paqe në Ukrainë.

"Ne jemi të vendosur në emër të tij të bëjmë gjithçka që është e mundur për të arritur këtë paqe", ka deklaruar Witkoff.

Ai ka deklaruar se mendon që protokollet e sigurisë janë kryesisht të përfunduara. 

"Ne mendojmë se kemi përfunduar kryesisht me protokollet e sigurisë", ka deklaruar ai.

"Por ne gjithashtu mendojmë, në mënyrë kritike, se jemi shumë afër përfundimit të një marrëveshjeje prosperiteti më të fortë se çdo vend ka parë ndonjëherë duke dalë nga konflikte të tilla”.

Steve Witkoff/Foto: AP

Mbretëria e Bashkuar dhe Franca do të krijojnë qendra ushtarake në Ukrainë në rast të një marrëveshjeje paqeje me Rusinë, ka deklaruar të martën vonë kryeministri i Britanisë, Sir Keir Starmer.

Ai e ka bërë njoftimin gjatë një konference për media bashkë me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pas samitit të Parisit i cili kishte pikë kryesore të agjendës luftën e Ukrainës.

Starmer ka thënë se është nënshkruar një deklaratë qëllimi për vendosjen e forcave në Ukrainë "në rast të një marrëveshjeje paqeje".

"Kjo është një pjesë jetësore e angazhimit tonë të fortë për të qëndruar me Ukrainën për një kohë të gjatë", ka thënë Starmer.

"Kjo hap rrugën për kuadrin ligjor sipas të cilit forcat britanike, franceze dhe partnere mund të veprojnë në tokën e Ukrainës, duke siguruar qiellin dhe detet e Ukrainës dhe duke rigjeneruar forcat e armatosura të Ukrainës për të ardhmen”, ka shtuar ai.

Megjithatë Starmer ka shtuar se hapat më të vështirë janë ende përpara. 

"Është e rëndësishme që po e fillojmë vitin kështu - aleatët evropianë dhe amerikanë, krah për krah me presidentin ukrainas Zelensky, duke qëndruar për paqen. Dhe ne jemi më afër këtij qëllimi se kurrë. Por sigurisht, hapat më të vështirë janë ende përpara”, ka deklaruar ai.

"Qëllimi i koalicionit të të vullnetshmëve është të ndihmojë në arritjen e një paqeje që mund të zgjasë dhe të punojë me SHBA-në për të garantuar sigurinë e Ukrainës për një afat të gjatë”, ka shtuar ai. 

Gjermania flet për një prani afër Ukrainës në rast të armëpushimit

1 d. më parë / 6 jan 2026 20:36
Friedrich Merz

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka thënë se Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën politikisht, financiarisht dhe ushtarakisht.

Por ai ka thënë se në rast të një armëpushimi, Gjermania po ashtu do ta vazhdonte mbësjhtetjen duke pasur një prani në një zonë fqinje të NATO-së.

Merz e ka bërë këtë deklaratë gjatë një konference për media në Paris të martën, pas samitit të mbajtur për Ukrainën, në të cilin ishin pjesëmarrës liderët kryesorë evropianë dhe po ashtu të dërguarit e SHBA-së, Steve Witkoff e Jared Kushner. 

I ashtuquajturi Koalicion i Gatishmërisë, ka thënë Merz,, dëshiron të marrë përsipër përgjegjësitë e tij dhe të ndihmojë për t'u siguruar që në të ardhmen të ketë forca të armatosura të forta në Ukrainë për të ofruar një pengesë të besueshme për Rusinë.

Ai ka shtuar se ata po punojnë pa u lodhur drejt paqes, por do të duhet të bëjnë kompromise dhe ndoshta nuk do të jenë në gjendje të arrijnë idealin e një paqeje të hartuar në mënyrë të përsosur.