Botë

Ushtria izraelite pranon për herë të parë se mbi 70 mijë palestinezë u vranë gjatë luftës në Gaza, thuhet në një raport

Ushtria izraelite

Ushtria izraelite ka pranuar për herë të parë shifrat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë e Gazës, që tregojnë se më shumë se 70 mijë palestinezë janë vrarë gjatë luftës në Gaza që nisi më 7 tetor të vitit 2023, thuhet në një raport.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës thotë se 71,667 persona janë vrarë që kur operacionet ushtarake të Izraelit filluan më 7 tetor të vitit 2023, përfshirë 492 që janë vrarë që nga finalizimi i një marrëveshjeje armëpushimi në tetor, transmeton "The Independent".

Burime të Ushtrisë izraelite i thanë gazetës “Haaretz” se numri i viktimave tani është pranuar nga zyrtarët ushtarakë. Këto shifra konsiderohen të besueshme nga organizatat humanitare, përfshirë Kombet e Bashkuara.

Të dhënat përfshijnë ata që janë vrarë drejtpërdrejt nga sulmet izraelite, jo ata që kanë vdekur nga shkaqe të tjera, përfshirë nga uria. Disa studime sugjerojnë se numri i viktimave mund të jetë shumë më i lartë.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës raporton gjithashtu se 171,343 persona janë plagosur nga sulmet izraelite, që përfaqëson rreth 8.1 për qind të popullsisë së territorit.

Regjistrat e Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës identifikojnë pothuajse të gjitha viktimat duke përdorur emrat dhe numrat e tyre të identifikimit, por nuk bëjnë dallim mes militantëve të Hamasit dhe civilëve. Sipas “Haaretz”, Ushtria izraelite aktualisht po analizon të dhënat mbi vdekjet për të llogaritur se sa nga personat e vrarë janë luftëtarë dhe sa civilë.

Një studim i kryer nga profesori Michael Spagat i Universitetit të Londrës sugjeroi se më shumë se 75,000 persona kishin vdekur gjatë luftës deri në janar të vitit 2025. Në atë kohë, Ministria e Shëndetësisë e Gazës e vendoste numrin pak mbi 45,600, duke sugjeruar se kishte nënvlerësuar totalin e vërtetë me rreth 40 për qind.

Hulumtime të tjera, të publikuara në revistën mjekësore “The Lancet” në janar 2025, sugjeruan gjithashtu se numri i vdekjeve ishte rreth 40 për qind më i lartë se shifrat e regjistruara.
Dhuna ka vazhduar në Gaza edhe pasi një armëpushim i brishtë hyri në fuqi në tetor të vitit të kaluar.