Botë

Izraeli kryen sulme të reja në Gazë, sfidon armëpushimin

Izraeli kryen sulme të reja në Gazë, sfidon armëpushimin

Ushtria e Izraelit ka kryer sulme ajrore të shtunën ndaj militantëve të Hamasit në Gaza, duke sfiduar sërish armëpushimin që nisi më 10 tetor. Zyrtarët e shëndetësisë në Gaza raportuan se të paktën 24 persona janë vrarë e 54 të tjerë janë lënduar.

Sulmi i Izraelit erdhi në ditët kur Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të siguruar dhe qeverisur territorin. Plani autorizon një forcë ndërkombëtare stabilizuese që ofron siguri dhe e miraton një autoritet kalimtar që do të mbikëqyret nga presidenti Donald Trump si dhe parashikon një rrugë të mundshme në të ardhmen drejt shtetit të pavarur palestinez.

Edhe më herët Izraeli ka kryer valë të tilla sulmesh pas raportimeve se forcat e saj janë sulmuar. Të paktën 33 palestinezë janë vrarë për 12 orë mes të mërkurës dhe të enjtes.

Cak i sulmeve të së shtunës ishte një automjet. 11 u vranë e mbi 20 palestinezë u plagosën. Shumica e tyre ishin fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore. Tjetri sulm ndodhi në qendër të Gazës në një shtëpi duke vrarë tre persona e duke plagosur 11 të tjerë. Një tjetër ndodhi në një shtëpi në kampin Nuseirat e një tjetër në Deir al-Bahal të Gazës.

Ushtria e Izraelit ka thënë se ka kryer sulme kundër Hamasit “pasi një terrorist i armatosur” kaloi në një zonë izraelite dhe qëlloi mbi ushtrinë. Izraeli ka thënë se asnjë ushtar nuk është lënduar. Sipas ushtrisë, personi ka kaluar në territorin e mbajtur nga Izraeli duke kaluar nëpër një rrugë që shfrytëzohet si korridor për të çuar ndihma në Gazë.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor, kur një sulm i Hamasit ndaj Izraelit përfundoi me 1200 të vdekur e rreth 250 pengje. Pothuajse të gjitha pengjet ose trupat e tyre janë kthyer në kohën e armëpushimit apo marrëveshje të tjera.

Si ofensivë ndaj këtij sulmi, Izraeli deri tash ka vrarë gati 70 mijë palestinezë.