Botë

Ukraina pret sqarime mbi garancitë e sigurisë nga SHBA-ja dhe aleatët e tjerë

Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Ukraina do të zhvillojë takimet intensive për të kuptuar se çfarë lloj garancish sigurie janë të gatshëm të ofrojnë aleatët e saj. 

Detajet po përcaktohen midis këshilltarëve të Sigurisë Kombëtare dhe zyrtarëve ushtarakë dhe Zelensky mendon se ato do të marrin formë më të qartë brenda 10 ditësh. Ai më pas pret të jetë gati të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me presidentin rus, Vladimir Putin për herë të parë që nga pushtimi në shkallë të plotë, shkruan AP.

Bisedimet mund të zhvillohen gjithashtu në një format trepalësh së bashku me Ppresidentin e SHBA-së Donald Trump, ka thënë Zelensky.

"Ne duam të kemi një kuptim të arkitekturës së garancive të sigurisë brenda shtatë deri në 10 ditësh.

Dhe bazuar në këtë kuptim, ne synojmë të zhvillojmë një takim trepalësh. Kjo ishte logjika ime”, ka thënë Zelensky për gazetarët të mërkurën, pas udhëtimit të tij në Uashington së bashku me udhëheqësit më të lartë të Evropës.

"Presidenti Trump sugjeroi një logjikë paksa të ndryshme: një takim trepalësh përmes një takimi dypalësh. Por pastaj të gjithë ramë dakord që, në çdo rast, të vazhdojmë të punojmë për garancitë e sigurisë, duke krijuar këtë kornizë të përafërt, të ngjashme me Nenin 5. Dhe ajo që kemi sot është mbështetje politike për këtë”, ka shtuar Zelensky.

Një vend për takimin po diskutohet teksa Zvicra, Austria dhe Turqia po shihen si mundësi, ka thënë presidenti ukrainas.

Kiev ende nuk ka qartësi se çfarë lloj mbështetjeje mund të presë nga aleatët. Një koalicion prej më shumë se 30 vendesh është zotuar në parim të kontribuojë në garancitë e sigurisë, por bisedimet kanë ngecur kur SHBA-ja mbeti e pavendosur në lidhje me rolin e saj.

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, ka thënë se koordinimi mbi marrëveshjet e sigurisë në Ukrainë pa përfshirjen e Moskës nuk do të funksiononte, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve RIA Novosti.

"Ne nuk mund të pajtohemi me faktin se tani propozohet të zgjidhen çështjet e sigurisë kolektive pa Federatën Ruse. Kjo nuk do të funksionojë. Ne kemi shpjeguar më shumë se një herë se Rusia nuk i ekzagjeron interesat e saj, por ne do t'i sigurojmë interesat tona legjitime në mënyrë të vendosur dhe të ashpër", ka thënë Lavrov në një konferencë shtypi të mërkurën.

Sinjalet pozitive të fundit nga Trumpi që sugjerojnë se SHBA-ja do të mbështesë garancitë e sigurisë “të ngjashme me Nenin 5” dhe shpresat e Ukrainës për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian i kanë ringjallur këto diskutime, sipas Zelenskyt.

“Sot kemi një sinjal pozitiv nga Amerika, nga presidenti Trump, nga ekipi i tij, se ata do të jenë pjesëmarrës në garancitë e sigurisë për Ukrainën. Dhe kjo hap mundësinë për vendet e tjera. Tani shtabi i përgjithshëm i vendeve kryesore ka filluar të flasë për atë për çfarë janë gati”, është shprehur ai.

Turqia ka shprehur gatishmërinë e saj për të ofruar siguri përgjatë Detit të Zi pasi Trumpi u shfaq i hapur ndaj mundësisë së mbështetjes së garancive të sigurisë për Ukrainën, ka thënë më tej Zelensky

Zelensky ka folur pozitivisht për takimin e tij me Trumpin në Zyrën Ovale të hënën së bashku me udhëheqësit më të lartë të Evropës. Ai është përpjekur ta bindte Trumpin se situata e fushëbetejës nuk ishte aq e keqe për Ukrainën sa e ka portretizuar Putini.

Zelensky ka vënë në dukje gabimet në hartën e SHBA-së të vijës së frontit për të cilën ka thënë se tregonte që Rusia mbante më shumë territor sesa mban në të vërtetë.

“Presidenti Trump ishte i interesuar të dëgjonte detajet. Ne folëm shumë për Donbasin, për Lindjen, çfarë rëndësie ka ai. Vura re se nëse ushtria jonë tërhiqet nga ky territor dhe ai pushtohet, atëherë ne do të hapim rrugën për në Kharkiv”, ka thënë Zelensky, duke shtuar se i tregoi Trumpit rrugët që të çojnë në qendrën industriale të Ukrainës në Dnipropetrovsk.

Zelensky dëshiron “reagim të fortë” nga SHBA-ja nëse Putini refuzon takimin me të

3 o. më parë / 21 gus 2025 09:53
Zelensky dhe Trump

Photo: Associated Press

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se do të donte të shihte një “reagim të fortë” nga SHBA-ja nëse presidenti rus, Vladimir Putin nuk do të ishte i gatshëm të ulej për një takim dypalësh me të.

Zelensky ka përsëritur se Ukraina është gati të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me Putinin.

"Po sikur rusët të mos jenë gati? Evropianët e ngritën çështjen. Nëse rusët nuk janë gati, atëherë do të donim të shihnim një reagim të fortë nga Shtetet e Bashkuara", ka thënë ai.

Ukraina edhe më parë ka shprehur shpresën se SHBA-ja do ta ndëshkojë Rusinë me më shumë sanksione nëse nuk tregon një gatishmëri serioze për t'i dhënë fund luftës.

Zelensky ka shtuar se nuk ishte e qartë se çfarë lëshimesh ishte e gatshme të bënte Moska në lidhje me territorin dhe se Budapesti si një vendndodhje e propozuar për bisedime të ardhshme midis dy vendeve ishte "sfiduese".