Blloqet e apartamenteve të periudhës sovjetike në fund të një linje tramvaji në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv, tregojnë një fytyrë indiferente ndaj botës, bosh dhe gri. Por pas çdo dritareje të ndriçuar ekziston një histori.
Aty ndodhet çifti që vajton se mund të mos jetojë kurrë në shtëpinë që po ndërtohet për ta në Buçën e përgjakur. Është familja që kaloi orë të tëra në strehën e bodrumit të tyre në Irpin, të bllokuar mes ushtrive. Aty ndodhet gruaja që iku nga Kharkivi, duke u zhvendosur për herë të dytë në një dekadë.
Ata ikën të gjithë në Lviv, së bashku me rreth 500 mijë të tjerë - pjesë e vogël e 10 milionë ukrainasve që janë ndjekur nga lufta nga shtëpitë e tyre dhe janë zhvendosur diku tjetër në vend.
Shumë flenë në dyshekë në qendra kulturore dhe shkolla, strehohen në dhoma të mbushura me njerëz, me të afërmit dhe miqtë. Disa planifikojnë të ecin përpara, ndoshta duke kaluar kufirin në Poloninë e afërt dhe më gjerë. Të tjerë kanë hedhur rrënjët e para të brishta. Pjesa tjetër nuk e ka idenë se çfarë të bëjë.
Shumica vetëm duan të shkojnë në shtëpi, nëse ajo ekziston akoma.
Edhe
Lindje nën tokë, nën bombardime: Të sjellësh në jetë një fëmijë në Ukrainë
Rreth 50 kanë gjetur strehë në një ndërtesë nëntëkatëshe në bulevardin Trylovskoho. Është qetë; ata mund të vështrojnë nga dritaret e tyre dhe të shohin një shkollë, një shesh lojërash, jo një tank apo raketë. Është një botë larg rrezikut që i bëri ata të largoheshin nga shtëpitë e tyre, megjithëse ditët e fundit, edhe Lviv ka qenë një objektiv i raketave ruse.
Familjet e ndara
Familjet jetojnë hapa të ndarë. Ata nuk e njohin njëri-tjetrin, por ata mund t’i njohin njerëz të zhvendosur si puna e tyre në shikim të parë, pa shkëmbyer asnjë fjalë. Merrni ashensorin e vogël e të zhurmshëm, ecni nëpër korridoret e errëta dhe vizitoni ata në apartamentet e tyre të përkohshme dhe do të gjeni harresë.
“Nuk është banesa ime. Nuk është jeta ime”, thotë Marta Kopan. "Por tani jam këtu."
Marta është 40 javë shtatzënë; foshnja, një vajzë, e shqelmon fuqishëm teksa kalon nëpër çanta me rroba për fëmijë në apartamentin e katit të katërt që familja kishte marrë hua nga një kushëri. Plani i saj i lindjes, si shumë të tjera, është braktisur - vendi ku ajo priste të lindte u bombardua.
"Më 24 shkurt, jeta jonë e lumtur ndaloi", thotë Marta, 36 vjeç. Asaj i kujtohet se shikonte nga dritarja e apartamentit të familjes në Kiev dhe shihte radhët e makinave që drejtoheshin vendeve të sigurta. Brenda pak ditësh, Kopanët - Marta, burri dhe dy djemtë e saj - u bashkuan me ta.
Tani, rreth 300 milje larg, ajo ndonjëherë nuk ndien asgjë. Ndonjëherë gjithçka bëhet e tepërt.
“Nuk kam nevojë të lexoj lajmet”, thotë ajo dhe fillon të qajë. “Sapo i marr lajmet nga miqtë e mi”. Ata i tregojnë asaj për shtëpitë e shkatërruara dhe trupat e gjetur copë-copë. Një mik tani punon si mjek obstetër në një strehë nëntokësore. Ai i dërgoi fotot e afro 200 grave shtatzëna që prisnin të lindnin.
Marta është e vetëdijshme që ajo mund të ishte njëra prej tyre.
Kievi nuk është e gjithë familja e mbetur pas. Një shtëpi e re, e projektuar nga nëna e Martës, e priste familjen në Buça, pak jashtë kryeqytetit. Aty pranë ka pyje, me shtigje për shëtitje dhe mundësi për të mbledhur kërpudha dhe manaferra. Tani pushtuesit rusë janë tërhequr, duke lënë pas disa nga tmerret më të këqija të luftës dhe familja nuk e di nëse shtëpia e tyre e ëndrrave ka mbetur e paprekur.
Dëshira e familjeve
Ata duan të qëndrojnë në Ukrainë, por nuk kanë ndonjë plan afatgjatë. Marta dhe burri i saj janë mjekë dhe duan të qëndrojnë dhe të ndihmojnë. Tani për tani, ata jetojnë nga dita në ditë. Djali i madh, Nazari, 6 vjeç, vazhdon shkollimin online.
Edhe pse ai e di më mirë, ndonjëherë ai kërkon të kthehet në shtëpi në Kiev. "Unë dua jetën time normale," thotë ai.
Marta po ashtu. "Unë dua që fëmijët e mi të kenë dhomat e tyre me Legot e tyre, me lapsat e tyre të ndryshëm", thotë ajo.
Djali përkulet dhe puth barkun e nënës së tij, një ngushëllim për të dhe një përshëndetje për motrën e tij. "Shpresoj se ai do ta dojë atë kur ajo do të qajë", thotë Marta.
Disa orë më vonë, menjëherë pas perëndimit të diellit, sirena e sulmit ajror vajton. Familja, si shumë të tjerë këtu, nuk shkon në strehë. Marta ulet me një pallto të fryrë në lëkundëse, e vetme në muzg, ndërsa Nazari luan.
Iryna Sanina, 33, flet nga pushimorja e shkallëve në një hapësire betoni midis kateve. Ajo mbështetet te burri i saj, Volodymyr, dhe vesh të vetmen triko që mori me vete kur ata ikën nga Irpin. Ajo ka pantofla të gëzofta dhe këmbët e saj janë të zhveshura, edhe kur del jashtë për të pirë duhan në mot të ftohtë.
Sytë e saj mbushen me lot gjersa tregon historinë e saj. Ajo dhe bashkëshorti i saj u bllokuan për ditë të tëra midis forcave ukrainase dhe ruse, duke mësuar shpejt të dallonin midis zjarrit që hynte dhe dilte. Ura drejt sigurisë u shkatërrua nga pala ukrainase për të ngadalësuar përparimin rus. Edhe pse i shoqi këmbënguli që ajo të largohej, ajo donte të qëndronte.
Ata u fshehën në një strehë nën bodrum në oborr. Sa herë që granatimet lehtësoheshin, ata ngjiteshin për t'u bërtitur fqinjëve të tyre, duke kontrolluar nëse ishin gjallë.
Volodymyr qëndroi në Irpin më gjatë se ajo, duke ndihmuar me evakuimet, por ishte një sfidë; gomat u copëtuan shpejt nga copëzat në tokë. Me komunikimin jashtë funksionit, Iryna mund ta kontaktonte atë vetëm me mesazhe me tekst. "Unë munda të shihja se ai mori mesazhet, por ai nuk mund të përgjigjej", thotë ajo. “Nuk e dija për ditë të tëra për fatin e tij dhe kjo ishte e frikshme.”
Përfundimisht, fqinjët e moshuar e bindën të largohej për hir të djalit të tij 14-vjeçar. Djali tani strehohet tri orë larg Lvivit me gjyshen e tij, në një vend më të sigurt pa sirena sulmi ajror fare.
Iryna dhe Volodymyr ndajnë apartamentin e tyre në katin e gjashtë me katër të rritur të tjerë nga Irpin, të gjithë kolegë në kompaninë farmaceutike ku çifti punon. Është shumë e vështirë të jetosh me të tjerët, thotë Iryna, por "ne e dimë se shumë njerëz humbën gjithçka".
Edhe
Rrëfimet e grave ukrainase për dhunën seksuale nga ushtarët rusë
Çifti nuk do t'ua bëjë të ditur të tjerëve se vijnë nga Irpin. Ata nuk duan të duken si viktima. Ata duan të shkojnë në shtëpi, sado e shkatërruar të jetë dhe të rindërtojnë.
Më shumë se çdo gjë, thotë Iryna, "Unë dua të kthehem në kohë dhe të zgjohem më 24 shkurt", para se të fillonte gjithçka. Ajo përlotet përsëri.
Tavani i kuzhinës po zhvishet. Shtrati është dyshek me ajër. Dhomat janë kryesisht të zbrazura. Por vajza 8-vjeçare e Olya Shlapak, Zlata, është duke bërë piruete në dhomën e saj të gjumit me një mikeshë të re dhe u thotë prindërve të saj: "Le të qëndrojmë në Lviv".
Olya, 28, dhe bashkëshorti i saj, Sasha, shqetësohen se nuk kanë shumë për t'u kthyer në Kharkiv dhe në shtëpinë që e blenë vetëm gjashtë muaj më parë. Në ditën e parë të pushtimit të Rusisë, ata e lanë atë për të kërkuar siguri në metro, së bashku me qindra banorë të tjerë.
Olya kujton "frika më e madhe në jetën time", duke zgjuar vajzën e saj për t'i thënë asaj se lufta kishte filluar. Për fat, thotë ajo, Zlata nuk ka parë shumë përleshje, por “kur dëgjon zhurma të forta, ajo përpiqet të fshihet”.
Udhëtimi drejt Lvivit
Një javë më vonë, ata udhëtuan me makinë për në Lviv, duke menduar se do të qëndronin një ose dy ditë. Ata jetojnë me qenin e tyre, Letti, në një apartament në katin e tetë të gjetur nga "një mik i një shoku të një shoku të një miku". Sigurimi i një vendi në Lviv të mbushur me njerëz ishte i vështirë; disa pronarë kundërshtuan qenin, apo edhe Sashën. "Shumë njerëz thonë se burri duhet të jetë në front", duke luftuar, thotë Olya.
Sasha vazhdon të punojë në teknologjinë e informacionit. Olya nuk mund ta detyrojë veten të kërkojë një punë. Kjo do të nënkuptonte se ata pranojnë se mund të mbesin në Lviv përgjithmonë. "Unë jam duke pritur", thotë ajo. "Kjo nuk është jeta për mua tani."
Vite më parë, Olya u largua nga rajoni Donetsk në Ukrainën lindore mes luftimeve atje. Kjo përvojë e mësoi atë të mos panikohej. Por ajo është tronditur nga efektet e propagandës ruse të luftës te njerëzit që ajo do. Ajo mezi mund të flasë me prindërit e saj në Donetsk, për vite me radhë nën ndikimin rus, për luftën. Është e vështirë për t'i bindur ata se Ukraina nuk po sulmon popullin e saj.
Miqtë në Rusi dërguan mesazhe të ngjashme, ose më keq. "Ju ukrainasit meritoni të vdisni", shkroi njëri. Olya i tha asaj të linte drogën dhe alkoolin. Dukej se ishte përgjigja më e mirë në atë kohë.
Për vite me radhë, ajo i ishte shmangur të shikonte lajmet. Tani ajo e shikon me orë të tëra. Ajo gatuan. Ajo luan me vajzën e saj. Ajo bën punë vullnetare, duke ndihmuar njerëzit e tjerë të zhvendosur.
Sa për të kaluar kohën, familja po vendos një enigmë në dysheme. Por qeni ka ngrënë disa nga copat dhe mund të mos plotësohet kurrë.
Olha Salivonchuk nuk është një person i zhvendosur, megjithëse është përgatitur prej kohësh të jetë e tillë.
Ndryshe nga shumë ukrainas, ajo e mori seriozisht bisedën në Perëndim për një pushtim rus dhe mbushi një "çantë" me rroba, ilaçe, ushqime dhe dokumente në nëntor. Më 24 shkurt, burri i saj e zgjoi: "Ka filluar". Duke kujtuar atë moment, ajo është përlotur.
Kreu i shoqatës lokale të pronarëve të apartamenteve, Olha, e pa ndërtesën të zbrazet në fillim të luftës. “Njerëzit që jetonin këtu, veçanërisht me fëmijë, u zhdukën në një moment”, thotë ajo. “Ishte si një ndërtesë bosh. Nuk ka dritë në mbrëmje. Nuk ka makina në parking. Ishte shumë e frikshme.”
Por më pas, duke kuptuar që Lviv nuk ishte në vijën e parë, njerëzit u kthyen. Dhe në ditët dhe javët që pasuan, Olha, 41 vjeç, pa teksa ukrainasit vinin nga vende, si: Chernihiv dhe Kharkiv, duke u strukur në apartamente me miqtë, familjen dhe bashkëpunëtorët.
Vetë Olha priti një mikeshë të dashur nga Kievi në apartamentin e saj në katin e nëntë për disa ditë përpara se ta ndihmonte të zhvendosej. Në katin e tetë, një familje nga Kievi u vendos dhe pyeti se çfarë mund të bënin për të ndihmuar. Ata u futën për të bërë rrjetat kamufluese që mbulojnë pikat e kontrollit në qytet, duke përdorur pëlhurë rezervë.
Olha nuk e ka menduar kurrë të largohej, edhe kur një sulm ajror rus bëri që ndërtesa e tyre të dridhej. Familja e saj ka jetuar në qytet prej brezash dhe ajo ka vite të tëra në atë banesë.
Sa herë që bie sirena e sulmit ajror, ajo, burri i saj dhe vajza 13-vjeçare, Solomiya, i çojnë çantat e tyre në strehën e tyre të improvizuar në korridorin e tyre. Ajo ka vendosur shirit në dritaret e saj pasi ka parë njerëzit që ishin larguar nga Ukraina lindore duke e bërë këtë. "Ndoshta ata dinë diçka", thotë ajo.
Olha është e vetëdijshme për brishtësinë nervore të njerëzve të sapo shpërngulur rreth saj. "Unë thjesht them 'Ti je e re këtu'", thotë ajo. “Nuk dua të bëj pyetje. Nuk jam i sigurt se ata janë të etur të flasin për luftën. Por nëse ata fillojnë këtë bisedë, unë jam duke dëgjuar.”
Pak duhet bërë për të krijuar një shtëpi të re, thotë ajo: Çaj, batanije, foto dhe bisedë. Të ardhurit po e mësojnë këtë tani.
Edhe
Banorët e kryeqytetit ukrainas përballen me sulmet ruse e dimrin e pamëshirshëm
"Ata janë të njëjtë tani, ata janë ukrainas", thotë Olha. Ata flasin me mall për komunitetet e lëna pas, por "ata e kuptojnë se edhe këtu e kanë një shtëpi".
Përktheu Artinë Rexhepi