Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Policia merr masa për 16 shtatorin: Mund të ketë kufizime të përkohshme të trafikut

policia

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë për zhvillimet e parapara më 16 shtator, kur pritet të shpallet verdikti përfundimtar i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Sipas Policisë, masat kanë për qëllim garantimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve që mund të zhvillohen në këtë datë.

Në kuadër të përgatitjeve, bëhet e ditur përmes një komunikate për media se menaxhmenti i Policisë së Kosovës ka zhvilluar takime informuese dhe koordinuese me drejtues të departamenteve, divizioneve dhe drejtorive rajonale, si dhe me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë KFOR-in, EULEX-in, përfaqësues të Ambasadës së SHBA-së, Zyrës së BE-së dhe OSBE-së.

Policia ka bërë të ditur se do të angazhojë njësi të ndryshme policore për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe zhvillimin e qetë të aktiviteteve. Në varësi të situatës, mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugët ku mund të zhvillohen aktivitete apo tubime.

Për këtë arsye, janë paraparë edhe angazhime të njësive patrulluese të trafikut, të cilat, në rast nevoje, do të bëjnë riorientimin e qarkullimit drejt rrugëve alternative.

Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve në aktivitete që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë, të tregojnë kujdes dhe të kontribuojnë që çdo aktivitet të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe të sigurt.

Sipas Policisë, planifikimi dhe zbatimi i masave të sigurisë në rastet kur priten tubime, aktivitete apo pjesëmarrje e madhe e qytetarëve janë pjesë e procedurave të rregullta policore dhe synojnë garantimin e sigurisë së përgjithshme.

“Siguria e qytetarëve dhe mbarëvajtja e aktivitetit janë prioritete të Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ambasada amerikane në Prishtinë ka paralajmëruar shtetasit amerikanë që të shmangin lëvizjet në afërsi të vendeve, ku siç thuhet, janë paralajmëruar demonstrata për të mërkurën e 16 shtatorit, ditën kur do të merret vendimi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë.

Gjykata Speciale të mërkurën më 16 shtator do të marrë vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Vesli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.