Qindra gra dhe vajza ukrainase kanë përjetuar dhunë seksuale nga trupat ruse gjatë luftës, duke lënë pas trauma të mëdha fizike dhe emocionale. Shumë prej tyre kanë mbetur shtatzëna ose janë detyruar të jetojnë me kujtime të përjetshme të tmerrit, ndërsa disa kanë vendosur të flasin dhe të kërkojnë drejtësi, duke thyer heshtjen për të denoncuar përdorimin e dhunës si armë lufte
Qindra gra dhe vajza ukrainase kanë raportuar dhunë seksuale nga trupat ruse gjatë gati katër vjetëve të luftës në Ukrainë, sipas autoriteteve ukrainase dhe organizatave humanitare. Megjithatë, sipas mbrojtësve të të drejtave të njeriut, numri i vërtetë i viktimave besohet të jetë shumë më i madh.
Disa nga gratë tregojnë se kanë mbetur shtatzëna si pasojë e abuzimeve dhe sot rrisin fëmijë që u kujtojnë vazhdimisht përjetimet e tyre të dhimbshme. Të tjera thonë se janë detyruar të shërbejnë kundër vullnetit të tyre për grupe të tëra ushtarësh rusë. Ka edhe nga ato që rrëfejnë se jeta e tyre u kthye në një makth të përditshëm pasi u dhunuan ndërsa ishin të pafuqishme për të reaguar.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“The New York Times” ka folur me disa gra që thonë se janë abuzuar seksualisht nga trupat ruse.
Shumica e tyre kërkuan që identiteti i plotë të mos bëhej publik, për të mbrojtur privatësinë e tyre.
Edhe pse detajet e pretendimeve të tyre nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur, gazeta shqyrtoi kallëzime penale dhe dokumente mjekësore që lidhen me shumë prej rasteve, si dhe bisedoi me përfaqësues organizatash që janë në dijeni të historive të tyre.
Kremlini ka deklaruar se shumë nga raportimet e grave ukrainase për dhunë seksuale janë të pabazuara. Për Ukrainën, dhuna seksuale mbetet një plagë e fshehur. Aktivistët thonë se shumë gra hezitojnë të denoncojnë rastet, për të shmangur stigmatizimin dhe rikthimin e kujtimeve të dhimbshme, ose sepse jetojnë ende në territore të pushtuara nga Rusia dhe nuk kanë shpresë për drejtësi.
Megjithatë, disa gra kanë vendosur të flasin. Të mbështetura nga grupe të mbijetuarish ose të motivuara për të treguar atë që e quajnë përdorim të dhunës si armë lufte, ato kanë thyer heshtjen.
Më poshtë janë disa nga historitë e tyre.
Lesya: “Mendova se gjithçka mbaroi për mua”
Më 7 mars 2022, dy javë pas nisjes së pushtimit rus, Lesya, ekonomiste 53-vjeçare, dhe bashkëshorti i saj, Sasha, dëgjuan një trokitje në derën e shtëpisë së tyre në një fshat pranë Kievit, kryeqytetit të Ukrainës. Sipas saj, dy ushtarë rusë hynë me forcë brenda.
Njëri prej tyre e kapi dhe e tërhoqi në shtëpinë e një fqinji. “Më dhunoi menjëherë”, rrëfen Lesya. “Ndërsa kjo po ndodhte, ushtari tjetër qëlloi bashkëshortin tim në bark dhe në këmbë”.
Ajo tregon se katër ushtarë të tjerë rusë iu afruan shtëpisë ku po mbahej. “Mendova se aty do të mbaronte jeta ime, kishin thika, pushkë dhe granata”, kujton ajo. Por, sipas saj, ushtarët e ndaluan agresorin dhe e larguan.
Më pas, Lesya nisi të kërkonte bashkëshortin. Ajo e gjeti të shtrirë në dyshemenë e një shtëpie tjetër, duke humbur gjak, ndërsa fqinjët po përpiqeshin t’i jepnin ndihmën e parë.
Ajo iu lut ushtarëve rusë që ta lejonin ta çonte në spital me makinë, por ata nuk e lejuan të përdorte automjetin.
Sasha vdiq në krahët e saj dy ditë pas plagosjes. Një nga fjalët e fundit që ai tha ishte: “Falë Zotit që babai im nuk jetoi për ta parë këtë”, kujton Lesya, e tronditur nga kujtimi.
Një mjek që hetoi rastin konfirmoi se ai kishte ndërruar jetë si pasojë e plagëve me armë zjarri në bark gjatë periudhës së pushtimit rus. Lesya ka paraqitur një kallëzim në zyrën e prokurorit të përgjithshëm, duke akuzuar forcat ruse për përdhunim, dhe hetimet penale kanë nisur.
Ajo thotë se humbja e bashkëshortit ishte edhe më e rëndë se vetë dhuna që përjetoi.
Lesya vazhdon të jetojë në shtëpinë e tyre. Makina e saj ishte vjedhur dhe më pas u kthye pasi ushtria ukrainase largoi forcat ruse nga rajoni i Kievit. Në të ishte shënuar shkronja “V”, një simbol i përdorur nga Rusia në luftë. Që nga ajo kohë, ajo nuk e ka drejtuar më atë makinë.
Svitlana: “Doja ta ndërprisja shtatzëninë”
Svitlana, 31 vjeçe, ishte tashmë e shqetësuar për djalin e saj 4-javësh, i cili kishte lindur me shëndet të brishtë dhe kishte mbetur pa kujdes mjekësor pasi ushtria ruse pushtoi fshatin e saj në jug të Ukrainës. Më pas, sipas saj, ushtarë rusë hynë me forcë në shtëpinë e saj dhe e kërcënuan se do t’ia merrnin foshnjën për ta çuar në Rusi.
Ajo ndërhyri dhe, sipas rrëfimit të saj, ushtarët u tërhoqën. Por pas asaj ngjarjeje të rëndë në mars 2022, partneri i saj, babai i foshnjës, nisi të afrohej me trupat ruse. “Ai, që kishte simpati për Rusinë, i ftonte shpesh në shtëpi dhe pinte me ta”, tregon ajo.
Një ditë, ndërsa burrat ishin mbledhur, partneri i saj e detyroi të hipte në një furgon të bardhë me dy ushtarë. Sipas saj, ata i vendosën një maskë në fytyrë dhe e çuan në një fshat aty pranë. Partneri qëndroi në mjet, ndërsa një nga ushtarët e futi me forcë në një dyqan dhe e dhunoi dy herë. Ajo kujton se ata mbanin me vete armë.
Më pas, partneri e shoqëroi në shtëpi pa thënë asnjë fjalë.
Gjashtë muaj më vonë, Svitlana u largua me foshnjën dhe katër fëmijët e tjerë nga lidhje të mëparshme në një fshat tjetër. Ajo dhe partneri ishin ndarë. Pas pak kohe, ajo vuri re se barku i saj po rritej. Testi i shtatzënisë rezultoi pozitiv.
“Doja ta ndërprisja shtatzëninë”, kujton ajo. “Shkova në spital, por më thanë se ishte vonë. Isha 23 javëshe”.
Djali i saj, Yaroslav, lindi më 8 mars 2023.
Zyra rajonale e prokurorisë bëri të ditur se po heton rastin dhe se kishte marrë një raport nga gjinekologia që e trajtoi Svitlanan.
Ajo thotë se djali i ngjan personit që e dhunoi. Aktualisht po merr mbështetje psikologjike për ta përballuar situatën.
Sot, ajo thotë: “Yaroslav po zhvillohet më shpejt se fëmijët e tjerë. Ai tashmë flet rrjedhshëm.
Ndonjëherë mendoj për vendimin që doja të merrja, por e dua pothuajse si fëmijët e mi të tjerë”.
Tetiana: “Ishte burgu më i tmerrshëm”
Kur trupat ruse pushtuan qytetin e Berdyanskut në juglindje të Ukrainës, në natën e 26 shkurtit 2022, Tetiana Tipakova vendosi të kundërshtonte.
Tetiana, 53 vjeçe, ish-drejtues studentesh dhe sipërmarrëse, u mbështoll me flamurin ukrainas dhe organizoi protesta kundër pushtimit. Ajo mbajti fjalime para bashkisë dhe publikoi video në rrjetet sociale.
Më pak se një muaj më vonë, sipas saj, ushtarë rusë hynë në shtëpinë e saj dhe e arrestuan. Tetë burra të armatosur, me fytyra të mbuluara, e prangosën, i vendosën një thes në kokë dhe e çuan në një koloni burgu.
“E njihja atë vend - ishte burgu më i tmerrshëm në Berdyansk”, kujton ajo.
Aty, për shtatë ditë, ajo thotë se iu nënshtrua dhunës dhe torturës. Ditën e katërt, sipas saj, e nxorën jashtë ambientit të burgut dhe inskenuan një ekzekutim me pushkatim për ta frikësuar.
Gjatë ndalimit, ajo tregon se u përball me marrje në pyetje të dhunshme, me abuzim fizik dhe psikologjik, rrahje dhe goditje me rrymë elektrike. Pas përdorimit të rrymës, ajo kujton se për një kohë të gjatë ndiente erë djegieje.
Ajo thotë gjithashtu se u dhunua seksualisht nga rojet e burgut.
Sipas saj, qëllimi ishte ta thyenin psikologjikisht, ta detyronin të heshtte dhe të përhapte propagandë ruse në qytet.
Abuzimet, thotë ajo, vazhduan derisa pranoi të regjistronte një video në rrjetet sociale ku deklaronte se protestat kundër Rusisë kishin qenë gabim. Pas kësaj, u lirua dhe u largua drejt qytetit të Zaporizhzhias, ku sot drejton një organizatë bamirësie që ndihmon personat e zhvendosur brenda vendit.
Historia e Tetianës është bërë e njohur në Ukrainë dhe është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale. Ajo është ftuar të dëshmojë në Hagë për shkeljet e të drejtave të njeriut në territoret e pushtuara nga Rusia. Merr pjesë rregullisht në konferenca ndërkombëtare dhe bashkëpunon me një organizatë ukrainase që mbledh dëshmitë e grave të mbijetuara të dhunës gjatë luftës. Ajo shpreson që përmes zërit të saj të ndihmojë në zbardhjen e krimeve të luftës dhe në vendosjen e drejtësisë.
Maria: “Dy ushtarë më dhunuan”
Maria, një juriste, kishte ofruar shpesh ndihmë ligjore për ukrainasit që jetonin në territoret e pushtuara nga Rusia pas ndërhyrjes së parë në vitin 2014. Kur nisi lufta e plotë në vitin 2022 dhe trupat ruse morën kontrollin e qytetit të saj në rajonin jugor të Khersonit, ajo thotë se u akuzua sipas ligjit rus si “kërcënim për sigurinë e Federatës Ruse”.
Maria, e cila kërkoi të identifikohej me pseudonim, rrëfen se në janar 2023 u arrestua me dhunë nga një grup burrash me fytyra të mbuluara. Asaj iu tha se do të dëbohej nga rajoni.
Sipas saj, ajo dhe një i ndaluar tjetër mashkull u dërguan drejt vijës së frontit në rajonin e Zaporizhzhias. Gjatë rrugës, ajo dëgjoi një bisedë në radio ku një ushtar i tha tjetrit: “Merre burrin; do të hapë llogore dhe do të presë dru për ty. Për gruan, bëj çfarë të duash”.
Maria, 50 vjeç, thotë se u shty brenda një shtëpie të vogël fshati, ku ndodheshin shumë ushtarë rusë. Aty, sipas saj, u detyrua të qëndronte në kushte çnjerëzore dhe të përballej me abuzime nga ushtarët, përpara se ata të dërgoheshin në luftime të ashpra.
“Atë ditë u dehën, më rrahën dhe dy ushtarë më dhunuan”, rrëfen ajo.
Të nesërmen në mëngjes, sipas saj, mbërriti një major rus, i cili e gjeti të plagosur dhe të shtrirë pa lëvizur në dysheme. Ai i tha se ishte përhapur fjala për praninë e një gruaje pranë vijës së frontit.
Sipas rrëfimit të saj, majori i tha se mënyra e vetme për t’u larguar ishte të kalonte në këmbë drejt zonës së kontrolluar nga Ukraina. “Më tha: ‘Nëse ia del, ndiz një qiri për mua. Askush nuk ka arritur deri tani’”, kujton Maria.
Ajo tregon se eci mes fushave të minuara, kaloi mes rrënojave të një ure të shkatërruar dhe arriti në një pikë kontrolli ukrainase vonë në mbrëmje.
“Kur pashë postbllokun e parë, rashë në gjunjë,” thotë ajo. “Përqafova ushtarët dhe qava”.
Iryna Dovgan, drejtuese e organizatës SEMA Ukraine, e cila ndihmon viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, ka konfirmuar se Maria ka dhënë dëshmi në zyrën e prokurorit të përgjithshëm, duke akuzuar forcat ruse për përdhunim, dhe se janë nisur procedura penale.
Për shkak të plagëve, Maria thotë se për disa javë nuk mund të ecte. Ajo ishte gjithashtu e rraskapitur emocionalisht. Së fundmi, i është bashkuar një grupi mbështetës për të mbijetuarat e dhunës seksuale. Për javë të tëra qëndroi e mbyllur në shtëpi, derisa një anëtare e grupit e ndihmoi të dilte dhe të kërkonte ndihmë. “Isha mbyllur plotësisht në vetvete”, thotë ajo.