Me zhurmën e raketave dhe në acarin e një dimri të pamëshirshëm, banorët e Kievit po luftojnë një betejë tjetër, atë për mbijetesë. Sulmet ndaj infrastrukturës energjetike kanë shndërruar apartamentet në streha të ftohta, ku ngrohtësia krijohet me mjete improvizuese dhe shpresa mbahet gjallë me vullnet. Ky është rrëfimi i një qyteti që dridhet nga i ftohti, por refuzon të thyhet
Svitlana Zinovieva fshiu akullin nga xhami i dritares së dhomës së ndenjës dhe bëri me gisht drejt një oxhaku të lartë që dilte nga sistemi qendror i ngrohjes së pallatit ku jeton. Pikërisht atje, në distancë, ajo kishte parë disa ditë më parë një raketë ruse që fluturoi me shpejtësi dhe shpërtheu.
“Ishte si fishekzjarrë”, tha ajo. “Por e dija se shumë shpejt do të vinte të ftohtit”.
Jo shumë kohë më pas, dimri më i acartë i dekadës së fundit në Kiev, kryeqytetin e Ukrainës, filloi të depërtonte në apartamentin e saj. Zinovieva, ashtu si mijëra ukrainas të tjerë që po përballen me sulmet e pandërprera ruse ndaj sistemeve të energjisë dhe ngrohjes, u detyrua ta përshtaste mënyrën e jetesës.
Pa rrymë dhe frigoriferin të padobishëm, ballkoni i mbyllur me xhama u shndërrua në frigorifer të natyrshëm, ndërsa temperaturat brenda shtëpisë ranë ndjeshëm. Para se të flinte, Zinovieva, 73 vjeçe, dikur regjisore filmi, por tash në pension, ngrohte ujë në stufë dhe e hidhte në shishe bosh vere. Më pas, i vendoste ato brenda një tende të vogël që kishte ngritur mbi shtratin e saj dhe futej brenda.
“Është vërtet shumë komode”, tha ajo, duke përshkruar ndjesinë e ngrohtësisë brenda tendës së improvizuar.
Ukrainasit kanë përjetuar fitore dhe humbje në fushëbetejë, kanë fjetur në bodrume gjatë alarmeve ajrore, kanë mbajtur zi për ata që kanë humbur dhe kanë shprehur zhgënjim për humbjen e Shteteve të Bashkuara si një aleat i besueshëm. Tani, ndërsa i afrohen përvjetorit të katërt të pushtimit të plotë rus, ata janë të mbështjellë në shtëpitë e tyre me triko, të brendshme termike dhe disa palë çorape për ta përballuar të ftohtin.
Valët e sulmeve ruse me raketa dhe dronë shpërthyes kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës nuk kanë për qëllim vetëm të shkaktojnë shqetësim dhe vuajtje. Ato synojnë gjithashtu ta paralizojnë ekonominë ukrainase dhe të demoralizojnë popullsinë, duke nxitur përçarje të brendshme.
Njëkohësisht, këto sulme rrisin presionin mbi Ukrainën gjatë bisedimeve për paqe, të ndërmjetësuara nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump.
Kremlini u përpoq për herë të parë ta detyronte Ukrainën të dorëzohej përmes të ftohtit në vitet 2006 dhe 2010, duke ndërprerë furnizimet me gaz natyror gjatë dimrit. Edhe pse zyrtarisht mosmarrëveshja lidhej me çmimet, synimi i vërtetë ishte ushtrimi i presionit ndaj qeverisë properëndimore të asaj kohe.
Moska e provoi sërish këtë strategji gjatë tre dimrave të parë pas pushtimit të shkurtit 2022, duke sulmuar objektet energjetike me raketa. Këtë vit, një seri goditjesh intensive që nisën më 4 janar e kanë lënë më në fund Kievin të ngrirë.

“Mos na harroni”
Të hënën, pas bombardimeve më të fundit, rreth 1.400 pallate banimi në Kiev mbetën pa ngrohje, sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. Temperaturat gjatë natës ranë në minus 20 gradë celsius. Në një moment gjatë janarit, rreth gjysma e popullsisë së qytetit prej tre milionë banorësh ishte pa ngrohje, sipas kryebashkiakut Vitali Klitschko.
Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar i Hetimit për Ukrainën, një organ i Kombeve të Bashkuara që heton shkeljet e të drejtave të njeriut, i ka cilësuar sulmet e mëparshme ruse ndaj centraleve të energjisë dhe ngrohjes, si krime lufte. Gjykata Ndërkombëtare Penale ka ngritur akuza ndaj një ish-ministri rus të Mbrojtjes dhe tre gjeneralëve për sulme ndaj infrastrukturës civile.
Edhe pse Kievi është një qytet modern dhe i shtrirë, për banorët e pallateve më të prekura jeta i ngjan kampimit në një shkretëtirë urbane të ngrirë. Banorët përpiqen vetë të sigurojnë ngrohje, energji elektrike dhe ujë.
Disa apartamente kanë mbetur pa këto shërbime bazë për javë të tëra. Në shumicën e lagjeve, një shërbim ose tjetri ndërpritet për orë apo ditë, përpara se të rikthehet përkohësisht.
Në një sërë intervistash të zhvilluara në apartamente të errëta, disa banorë të Kievit thanë se do ta përballojnë çdo vështirësi për të mos iu nënshtruar Moskës. Të tjerë, megjithatë, shfaqën pakënaqësi në rritje ndaj udhëheqjes ukrainase.
Natalia Kazak, 76 vjeçe, jetonte pa drita, pa ngrohje dhe pa një stufë funksionale. Ajo rrinte e mbështjellë me disa triko për t’u mbajtur ngrohtë dhe varej nga ndihma e fqinjëve, të cilët i sillnin ushqim të ngrohtë dhe ujë për çaj. Kur u pyet se si po ia dilte, ajo shpërtheu në lot.
“Nuk e mendoja kurrë se pleqëria ime do të ishte kështu”, tha ajo. “Ju lutem, mos na harroni”.
Përpjekjet për t’u adaptuar janë të shumta. Tetiana Keleinikova, 72 vjeçe, zgjohet në orën 1 të mëngjesit për të pjekur bukë dhe ushqime në furrën elektrike, pasi energjia i vjen vetëm gjatë natës dhe vetëm për disa orë.
Ndërtesa ku gjendet apartamenti i saj nuk ka ashensor, ndaj ajo nuk mund të zbresë në bodrum gjatë alarmit ajror. Në vend të kësaj, ajo rri ulur në korridor dhe vështron ndërsa nipërit dhe mbesat flenë.
“Nga dritarja i shoh duke gjuajtur”, tha ajo, duke iu referuar përplasjes së natës mes mbrojtjes ajrore dhe raketave e dronëve që vijnë. “I dëgjoj raketat që kalojnë mbi kokë. Rri e qetë. Fëmijët flenë, dhe unë jam në rojë”.
Ndërsa zyrtarët ukrainas zhvillojnë bisedime me delegacione ruse dhe amerikane për një fund të luftës, ajo tha: “Ne shpresojmë për paqe çdo ditë”.
Lidia Prylypkova, 87 vjeçe, kujtoi se si kishte jetuar në një bodrum gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur ishte ende fëmijë. Ajo u shpreh e fyer nga fakti që Rusia sot e përvetëson fitoren ndaj Gjermanisë naziste si një arritje ekskluzivisht të sajën.
“Mendo sa shumë ukrainas kanë luftuar edhe në atë luftë”, tha ajo. Sipas saj, Ukraina sot duhet të vazhdojë rezistencën kundër Rusisë, ashtu siç ka bërë më parë në histori.
“Mos u ndalni”, tha ajo, ndërsa lëvizte me vështirësi nëpër apartamentin e saj të akullt, e veshur me pantofla dhe disa shtresa rrobash të trasha. “Mos u tërhiqni as nga një qytet i vetëm. Ata nuk e meritojnë këtë”.
Volodymyr Matveyev, 68 vjeç, ish-këshilltar i një ministri të qeverisë ukrainase, përpiqej të mbante ngrohtë babanë e tij 99-vjeçar duke vendosur shishe me ujë të nxehtë në shtratin e të moshuarit. Ai tha se Rusia ishte përgjegjëse për shkatërrimin e centraleve elektrike. Por, sipas tij, edhe presidenti ukrainas Zelensky kishte faj, sepse nuk kishte arritur t’i mbronte ato.
“Ne e kuptojmë që është luftë dhe të gjitha këto”, tha Matveyev. “Por burokratët janë të korruptuar dhe njerëzit nuk duan të punojnë. Nëse nuk e kupton këtë, atëherë nuk kupton asgjë nga ky vend”.
Ndërsa i ftohti shtrëngonte qytetin, presidenti Zelensky fajësoi kryetarin e bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, një rival i vjetër politik - për mungesë përgatitjeje, duke thënë se qyteti nuk kishte siguruar burime rezervë për ngrohje dhe energji. Nga ana e tij, Klitschko deklaroi se bashkia po instalonte tre gjeneratorë energjie nëpër parqe të qytetit.

Festë në luftë
Por jo të gjithë po e përballonin të ftohtin në heshtje. Gjatë fundjavës, në një parking dhe mbi akullin e ngrirë të lumit Dnipro, të rinj u mblodhën për të kërcyer, për të shkelur fort tokën dhe për të brohoritur, duke organizuar një festë improvizuese në ambient të hapur si shenjë sfide ndaj kushteve ekstreme.
“Kjo është më mirë sesa të rrish në shtëpi dhe të qash, ta themi troç”, tha Anastasia Bychkovska, 28 vjeçe, e cila kishte ardhur për të kërcyer bashkë me një kolege nga salloni i ondulimit ku punon.
Një pjesëmarrës ishte veshur me një kostum pinguini. Një tjetër, Ella Ponomorenko, tha: “Lufta ta merr jetën”.
“Është shumë e rëndësishme t’u ngremë moralin njerëzve, që ata të duan të vazhdojnë të jetojnë”, shtoi ajo.
Zinovieva, regjisore filmi tash në pension, që prej ditësh flinte në një tendë të ngritur brenda apartamentit të saj, e mbante vazhdimisht nën vëzhgim oxhakun e fabrikës që dukej nga dritarja. Avulli që dilte prej tij do të ishte një shenjë e mirë.
Banorët e pallatit të saj kishin përdorur një grup komunikimi online për të organizuar një përpjekje të përbashkët: çdo orë, përfshirë edhe gjatë natës, ata derdhnin ujë të ngrohur nëpër shkarkimet e vaskave, për të shmangur ngrirjen dhe plasjen e tubave.
Ekipet e riparimit kishin ardhur nga e gjithë Ukraina dhe kishin punuar pa ndërprerje, ditë e natë, për ta rregulluar centralin. Më në fund, oxhaku nisi të nxirrte avull. Impianti ishte rikthyer në funksion.
“Po i kryqëzoj gishtat”, tha Zinovieva. “Dhe po e shikoj atë oxhak”.