Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se është arrestuar një i dyshuar për vrasjen e ish-kryetarit të parlamentit ukrainas, Andriy Parubiy.
"I dyshuari ka dhënë një dëshmi fillestare”, ka shkruar Zelensky në aplikacionin e mesazheve Telegram.
"Veprimet urgjente hetimore janë duke u zhvilluar aktualisht për të përcaktuar të gjitha rrethanat e kësaj vrasjeje”, ka shtuar Zelensky.
Parubiy, 54 vjeç, është qëlluar për vdekje në qytetin perëndimor të Lvivit të shtunën ndërsa Zelensky e ka quajtur "një vrasje e tmerrshme" dhe një "çështje sigurie në një vend në luftë", raporton The Guardian.
Ai kishte qenë kryetar parlamenti nga prilli 2016 deri në gusht 2019 dhe ishte një nga udhëheqësit e protestave në vitet 2013-14 që bënin thirrje për lidhje më të ngushta me Bashkimin Evropian.
"Falënderoj forcat e rendit për punën e tyre të shpejtë dhe të koordinuar. Të gjitha rrethanat e kësaj vrasjeje të tmerrshme duhet të zbulohen”, ka thënë Zelensky.
I dyshuari për vrasje është ndaluar gjatë natës në rajonin Khmelnytskyi në Ukrainën perëndimore, ka thënë Ihor Klymenko, ministri i Punëve të brendshme, në Telegram.
“Shumë detaje nuk mund të ndahen në këtë kohë. Do të them vetëm se krimi ishte planifikuar me kujdes: lëvizjet e viktimës u studiuan, u hartua një rrugë dhe u mendua mirë një plan arratisjeje”, ka thënë Klymenko.