Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Përleshje me armë në Kiev mes shërbimeve sekrete ukrainase, reagon Zelensky

Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

Disa persona janë plagosur në një shkëmbim zjarri në qendër të Kievit mes dy degëve të shërbimeve të sigurisë së Ukrainës, një incident që presidenti, Volodymyr Zelensky e ka cilësuar si “të turpshëm”.

Shkëmbimi i zjarrit ka ndodhur të mërkurën në mëngjes në një zonë qendrore të kryeqytetit dhe përfshinte oficerë të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, SBU, dhe të Drejtorisë së Inteligjencës Ushtarake, HUR.

SBU-ja ka thënë në një deklaratë të enjten se shkëmbimi i zjarrit “nuk duhej të kishte ndodhur kurrsesi” dhe se po bashkëpunonte me hetuesit shtetërorë.

Përplasja duket se u shkaktua nga arrestimi i fundit nga SBU-ja i një shtetasi rus që luftonte për Ukrainën nën mbikëqyrjen e HUR-it. Mediat lokale raportuan se, ndërsa SBU-ja po kontrollonte një apartament të lidhur me hetimin, në vend mbërritën oficerë të HUR-it dhe u hap zjarr. Tre oficerë të HUR-it u plagosën.

Në një deklaratë, SBU-ja ka thënë se oficerët e saj ishin sulmuar me armë gjatë kryerjes së hetimit dhe se kishin përdorur armët në përgjigje të sulmit.

Të enjten, SBU-ja ka publikuar një video të shtetasit rus që luftonte për Ukrainën dhe që ishte arrestuar muajin e kaluar. Në video, burri thotë se ishte kontaktuar nga një person nga Rusia, që vepronte në emër të shërbimit të inteligjencës së Moskës dhe që donte ta rekrutonte për të vrarë pjesëtarë të mbrojtjes ukrainase dhe persona të tjerë. Avokati i tij u ka thënë mediave lokale se videoja ishte regjistruar nën presion dhe po publikohej për të “zhbërë përgjegjësinë” për shkëmbimin e zjarrit.

Burri është liruar më pas nga ndalimi i SBU-së.

Disa orë pas shkëmbimit të zjarrit, Zelensky ka shkarkuar kreun e departamentit të SBU-së për mbrojtjen e sekreteve shtetërore, Oleh Khramov.

“Qitja me armë këtu në Ukrainë lejohet vetëm kundër pushtuesve rusë, në mbrojtje të Ukrainës. Shteti ynë nuk do ta konsiderojë kurrë të pranueshëm asnjë shkëmbim tjetër zjarri”, ka shkruar Zelensky në një postim në rrjetet sociale.

Incidenti ka ndodhur në një moment delikat për Zelenskyn. Ai është përballur së fundmi me thirrjet e një ish-ministri të shkarkuar të Mbrojtjes për mbajtjen e zgjedhjeve gjatë luftës. Kërkesa, e bërë nga Mykhailo Fedorov, shkarkimi i të cilit shkaktoi një valë protestash, përbënte sfidën më të madhe ndaj autoritetit të Zelenskyt brenda Ukrainës që nga fillimi i pushtimit rus.

Zelensky gjithashtu ka shkarkuar së fundmi një zëvendësshef të kabinetit presidencial, mes raportimeve se ajo po hetohej në lidhje me një skemë të dyshuar pastrimi parash.

Presidenti ka thënë se të shtënat e së mërkurës duhet të hetohen si nga SBU-ja, ashtu edhe nga HUR-i.

Agjencia kryesore hetimore e Ukrainës ka nisur gjithashtu një hetim.

Në një incident të veçantë, një 71-vjeçar është qëlluar me armë jashtë një klinike mjekësore të enjten në mëngjes në Kiev dhe ndodhet në “gjendje të rëndë”, sipas prokurorisë së qytetit të Kievit. Është nisur një hetim për tentativë vrasjeje.

Shkëmbimet e zjarrit kanë ndodhur ndërsa Kievi po përballet me një periudhë intensive të bombardimeve ruse. Alarmet për sulme ajrore kanë qenë aktive për periudha të gjata si gjatë ditës, ashtu edhe gjatë natës në kryeqytet. Në të gjithë vendin, të paktën pesë persona janë vrarë nga sulmet e së mërkurës në mbrëmje.

Ukraia po përballet me mungesë të interceptorëve amerikanë Patriot, të aftë për të rrëzuar raketat balistike ruse.

Ukraina gjithashtu ka rritur përdorimin e dronëve me rreze të gjatë për të goditur objektiva thellë brenda territorit rus. Këtë javë, Zelensky ka thënë se hapësira ajrore ruse po bëhej e pasigurt për linjat ajrore komerciale për shkak të numrit në rritje të sulmeve me dronë.