Botë

Turqia bllokon chatbotin e Muskut për fyerje ndaj Erdoganit

Recep Tayyip Erdogan dhe Elon Musk

Recep Tayyip Erdogan dhe Elon Musk

Foto: Associated Press

Një gjykatë turke ka bllokuar qasjen në Grok, chatbot-in e inteligjencës artificiale të zhvilluar nga kompania xAI e themeluar nga Elon Musku, pasi ai gjeneroi përgjigje që autoritetet thanë se përfshinin fyerje ndaj presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Çështjet e paragjykimeve politike, gjuhës së urrejtjes dhe saktësisë së chatbot-eve të inteligjencës artificiale kanë qenë shqetësuese të paktën që nga lançimi i ChatGPT të OpenAI në vitin 2022, raporton Reuters.

Ndërkohë “Grok” është akuzuar për përmbajtje antisemite dhe lëvdata për Adolf Hitlerin.

Zyra e kryeprokurorit të Ankarasë ka bërë të ditur se ka nisur një hetim formal për incidentin, duke shënuar një ndalim të parë parë të tillë të Turqisë për qasjen në një mjet të inteligjencës artificiale.

As X dhe as pronari i saj Elon Musk nuk kanë komentuar mbi vendimin.

Muajin e kaluar, Musku ka premtuar një përmirësim në Grok.

Grok, i cili është i integruar në X, thuhet se gjeneroi përmbajtje fyese për Erdoganin kur iu bënë pyetje të caktuara në turqisht, kanë raportuar mediat.

Autoriteti i Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit (BTK) i Turqisë ka miratuar ndalimin pas një urdhri gjykate, duke përmendur shkeljet e ligjeve të Turqisë që e bëjnë fyerjen ndaj presidentit një vepër penale, të dënueshme deri në katër vjet burgim.

Kritikët thonë se ligji përdoret shpesh për të shtypur mospajtimin, ndërsa qeveria pohon se është i nevojshëm për të mbrojtur dinjitetin e detyrës.