Lideri i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, ka deklaruar se përfshirja e trupave të Koresë së Veriut në luftën në Ukrainë, do të nënkuptonte përshkallëzim të konfliktit.
Në një intervistë për BBC-në, në kuadër të samitit të BRICS-it që po mbahet në Kazan të Rusisë, Lukashenko ka thënë se trupat e NATO-s do të mund të dislokoheshin në Ukrainë, në përgjigje të hyrjes së trupave të një vendi tjetër atje.
“Do të ishte një hap drejt përshkallëzimit të konfliktit nëse forcat e armatosura të ndonjë vendi, qoftë edhe Bjellorusisë, do të ishin në vijën e kontaktit. Edhe sikur të përfshiheshim në luftë, kjo do të ishte një rrugë drejt përshkallëzimit. Pse? Sepse ju, anglo-saksonët, do të thoni menjëherë se një vend tjetër është përfshirë nga njëra anë, kështu që trupat e NATO-s do të dislokoheshin në Ukrainë”, është shprehur Lukashenko.
Ai ka shtuar se duke njohur karakterin e presidentit rus, Vladimir Putin, ai kurrë nuk do të përpiqej të bindte një vend tjetër që të përfshijë ushtrinë e tij në operacionin special të Rusisë në Ukrainë.
Sipas tij, Putini asnjëherë nuk e ka kërkuar përfshirjen e trupave bjelloruse në luftë.
LEXO EDHE:
-
Lukashenko i bën thirrje SHBA-së t’i heqë armët bërthamore nga vendet euroaziatike
-
Zelensky u bën thirrje aleatëve t'i përgjigjen përfshirjes së Koresë së Veriut në luftë
-
Lukashenko: Rrezik i lartë për incidente ushtarake përgjatë kufirit me Ukrainën
-
Ukraina sanksionon Lukashenkon për mbështetjen e luftës së Rusisë
-
Paralajmërimi i Putinit: Trupat perëndimore në Ukrainë do të jenë objektiva legjitime për Rusinë