Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka urdhëruar një bllokadë "totale dhe të plotë" të të gjitha cisternave të naftës të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga Venezuela.
Në një postim në Truth Social, ai ka thënë se qeveria e udhëheqësit venezuelian, Nicolas Maduro, është përcaktuar si një organizatë terroriste e huaj dhe e akuzoi atë për vjedhjen e aseteve amerikane, si dhe për "Terrorizëm, Kontrabandë Droge dhe Trafikim Qeniesh Njerëzore".
"Prandaj, sot, po urdhëroj një bllokadë totale dhe të plotë të të gjitha cisternave të sanksionuara të naftës, që hyjnë dhe dalin nga Venezuela”, ka shkruar ai.
Vendimi i tij ka ardhur një javë pasi SHBA-ja ka sekuestruar një cisternë nafte në brigjet e Venezuelës.
Në një deklaratë, qeveria e Venezuelës ka thënë se ka hedhur poshtë "kërcënimin grotesk" të Trumpit.
Trumpi ka akuzuar gjithashtu qeverinë e Maduros për përdorimin e naftës së vjedhur për të “financuar veten, terrorizmin e drogës, trafikimin e qenieve njerëzore, vrasjen dhe rrëmbimin”.
Administrata Trump e ka akuzuar vazhdimisht Venezuelën për kontrabandë droge, dhe që nga shtatori, ushtria amerikane ka vrarë të paktën 90 persona në sulme ndaj anijeve që pretendohet se transportonin fentanil dhe droga të tjera të paligjshme në SHBA.
Në muajt e fundit, SHBA-ja ka zhvendosur gjithashtu anije luftarake në rajon.
Venezuela - shtëpia e disa prej rezervave më të mëdha të provuara të naftës në botë, nga ana tjetër ka akuzuar Uashingtonin se kërkon të vjedhë burimet e saj.
SHBA-ja, nën drejtimin e Trumpit dhe ish-presidentit Joe Biden, kanë kundërshtuar qeverinë Maduro për vite me radhë dhe kanë bërë presion që ai të largohet duke vendosur sanksione të rrepta.
Javën e kaluar, SHBA-ja ka vendosur sanksione të reja ndaj gjashtë anijeve të tjera që thanë se transportonin naftë venezueliane.
Sanksione u vendosën gjithashtu ndaj disa të afërmve të Maduros dhe ndaj bizneseve të lidhura me atë që SHBA-të e quajtën regjimin e tij të paligjshëm.