Botë

Maduro dërgohet në SHBA, Trumpi thotë se SHBA-ja do e drejtojë Venezuelën

nicolas maduro

Presidenti venezuelas, Nicolas Maduro, ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuza penale, pasi u kap gjatë një operacioni ushtarak të kryer gjatë natës. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ky veprim do t’i hapte rrugë SHBA-së për të “menaxhuar” vendin e Amerikës së Jugut dhe për të shfrytëzuar rezervat e mëdha të naftës për t’i shitur ato shteteve të tjera.

Maduro zbarkoi të shtunën në mbrëmje në një aeroport të vogël në Nju Jork, pas operacionit të zhvilluar pas mesnate, gjatë të cilit ai dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, u nxorën nga shtëpia e tyre brenda një baze ushtarake në kryeqytetin Caracas, veprim që qeveria e Maduros e cilësoi si “imperialist”. Çifti përballet me akuza në SHBA për përfshirje në një komplot të narkoterrorizmit.

Ky veprim dramatik kurorëzoi një fushatë intensive presioni nga administrata Trump kundër liderit autokratik të Venezuelës dhe disa muaj planifikimesh të fshehta, duke shënuar ndërhyrjen më të ashpër amerikane për ndryshim regjimi që nga pushtimi i Irakut në vitin 2003. Ekspertë ligjorë ngritën pikëpyetje mbi ligjshmërinë e operacionit, i cili u krye pa miratimin e Kongresit. Ndërkohë, zëvendëspresidentja e Venezuelës, Delcy Rodriguez, kërkoi që Shtetet e Bashkuara ta lirojnë Maduron dhe e quajti atë udhëheqësin legjitim të vendit, teksa gjykata e lartë e Venezuelës e emëroi atë presidente të përkohshme.

Sipas Rodriguez, gjatë operacionit u vranë disa civilë venezuelianë dhe pjesëtarë të ushtrisë, pa dhënë shifra të sakta. Trump deklaroi se disa forca amerikane u plagosën, por nuk pati të vrarë.

Duke folur për gazetarët disa orë pas kapjes së Maduros, Trump zbuloi planet e tij për të shfrytëzuar boshllëkun e krijuar në udhëheqje për të “rregulluar” infrastrukturën e naftës së vendit dhe për të shitur “sasi të mëdha” nafte në tregjet ndërkombëtare.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se SHBA-ja do ta udhëheqë Venezuelën pas kapjes së presidentit Nicolas Maduro.

“Ne do ta udhëheqim shtetin deri kur të mund të bëjmë tranzicion të sigurt, të duhur dhe të mençur”, ka thënë ai në një konferencë për media të shtunën.

Trumpi po ashtu ka paralajmëruar këdo në Venezuelë se duhet ta kuptojnë se “ajo që i ka ndodhur Maduros, do t’u ndodhë edhe atyre, po që se sfidojnë dëshirën amerikane për shtet me lidership që i shërben popullit”.

Trumpi e ka quajtur diktator e terrorist Maduro. “Ka marrë fund”, ka thënë ai.

Trump ka thënë po ashtu se forcat amerikane kanë mundur edhe ta vrasin Maduron, po që se kjo do të ishte e domosdoshme.

“Ka mundur të ndodhte. Ai po përpiqej të futej në një vend të sigurt. Në një vend të sigurt, por ai nuk arriti të shkonte te dera sepse djemtë tanë ishin shumë të shpejtë”, ka thënë ai.