Botë

Trumpi thotë se Modi është pajtuar të mos blejë naftë ruse

Narendra Modi dhe Donald Trump

Narendra Modi dhe Donald Trump, 2025

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se kryeministri indian, Narendra Modi ka rënë dakord të ndalojë blerjen e naftës ruse.

SHBA-ja kërkon të ushtrojnë presion ekonomik mbi Kremlinin si pjesë e përpjekjeve për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Trumpi u ka thënë gazetarëve se kishte marrë siguri nga Modi se India do të ndalonte blerjet e saj "brenda një periudhe të shkurtër kohore", të cilën ai e quajti "një ndalesë e madhe".

Një zëdhënëse e ambasadës indiane në Uashington DC nuk pranoi të komentonte. Presidenti amerikan është përpjekur të shfrytëzojë blerjet e naftës ruse nga India në luftën e tij tregtare, por Delhi ka rezistuar, duke krijuar një përçarje diplomatike.

Nafta dhe gazi janë eksportet më të mëdha të Rusisë, dhe klientët më të mëdhenj të Moskës përfshijnë Kinën, Indinë dhe Turqinë.

"Tani duhet ta bëj Kinën të bëjë të njëjtën gjë”, ka thënë Trumpi në Zyrën Ovale të mërkurën, si pjesë e shtytjes më të gjerë të administratës së tij për të ndërprerë financimin e energjisë së Moskës.

Administrata Trump po e shtyn gjithashtu Japoninë të ndalojë importimin e naftës dhe gazit nga Rusia, dhe sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, ka thënë se ia kishte komunikuar këtë "pritje" ministrit japonez të Financave, Katsunobu Kato.

India nuk mund të ndalojë "menjëherë" dërgesat e naftës, ka thënë ndërkohë Trumpi, duke shtuar se ndryshimi do të jetë "një proces paksa i gjatë, por procesi do të përfundojë së shpejti".

Administrata Trump ka vendosur tarifa prej 50% për mallrat nga India, taksa që Trumpo i ka karakterizuar si ndëshkim kundër Delhit për blerjen e naftës dhe armëve ruse.

Tarifat të cilat kanë hyrë në fuqi në gusht dhe janë ndër më të lartat në botë - përfshijnë një gjobë prej 25% për transaksionet me Rusinë që janë një burim kyç fondesh për luftën e saj në Ukrainë.