Presidenti amerikan Donald Trump u ka kërkuar liderëve evropianë të ndalojnë blerjet e naftës nga Rusia, duke i cilësuar si financime indirekte të luftës në Ukrainë.
Në një takim virtual me aleatët, Trump ka kërkuar që BE-ja të tregojë më shumë vendosmëri dhe të shtrëngojë pozicionin ekonomik ndaj Kinës, e cila, sipas tij, po mbështet luftën e Kremlinit në mënyrë të tërthortë, raporton Reuters.
Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë ai këto deklarime i ka bërë në një telefonatë që e ka zhvilluar me udhëheqësit evropianë në takimin e “Koalicionit të të vullnetshmëve”.
Ai këtë bisedë e ka zhvilluar të enjten pas takimit që zhvilluan mbështetësit e Kievit në Paris.
“Presidenti Trump theksoi se Evropa duhet të ndalë blerjen e naftës ruse që po financon luftën – pasi Rusia mori 1.1 miliard euro nga shitjet e karburanteve për Bashkimin Evropian brenda një viti”, citohet të ketë thënë zyrtari.
Gjithashtu, ai thuhet se ka kërkuar që vendet evropiane të intensifikojnë presionin ekonomik ndaj Kinës, siç thuhet për shkak të mbështetjes që Kina po i jep Rusisë në konfliktin aktual.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ishte gjithashtu pjesëmarrës në takimin virtual. Ai ka shprehur pakënaqësinë për blerjet që disa vende – si Hungaria dhe Sllovakia – vazhdojnë t’i bëjnë nga Rusia.
Njëzet e gjashtë aleatë perëndimorë janë zotuar zyrtarisht për të dislokuar trupa “nga toka, deti ose ajri” në Ukrainë një ditë pasi të arrihet një marrëveshjeje armëpushimi, ka thënë presidenti francez, Emmanuel Macron.
Duke folur pas samitit të 35 vendeve, të quajtur “Koalicioni i të vullnetshmëve”, presidenti francez ka akuzuar Rusinë se po përpiqet të vonojë procesin e paqes për të fituar më shumë kohë për të pushtuar më shumë territor ukrainas.