Njëzet e gjashtë aleatë perëndimorë janë zotuar zyrtarisht për të dislokuar trupa “nga toka, deti ose ajri” në Ukrainë një ditë pasi të arrihet një marrëveshjeje armëpushimi, ka thënë presidenti francez, Emmanuel Macron.
Duke folur pas samitit të 35 vendeve, të quajtur “Koalicioni i të vullnetshmëve”, presidenti francez ka akuzuar Rusinë se po përpiqet të vonojë procesin e paqes për të fituar më shumë kohë për të pushtuar më shumë territor ukrainas.
Shpresat për një samit Ukrainë-Rusi për t’u dhënë fund luftimeve janë zbehur që kur presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, u takua me presidentin amerikan, Donald Trump në Alaska muajin e kaluar.
Trumpi ka folur me aleatët perëndimorë të enjten, e Macroni ka thënë se mbështetja e SHBA-së do të zyrtarizohet në ditët në vijim. Megjithatë, presidenti amerikan ishte gjithashtu kritik ndaj vendeve të Bashkimit Evropian që vazhduan të blinin naftë ruse, u ka thënë gazetarëve presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Bashkimi Evropian me 27 anëtarë ka vendosur një objektiv për t'i dhënë fund të gjitha importeve të gazit dhe naftës deri në fund të vitit 2027. Hungaria dhe Sllovakia, udhëheqësit e të cilave shihen si të afërt me Rusinë, janë ndër importuesit më të mëdhenj të naftës ruse në BE.
Pak vende kanë premtuar hapur të vendosin trupa në terren në Ukrainë në rast të një marrëveshjeje, dhe SHBA-ja tashmë e ka përjashtuar një veprim të tillë. Diplomatët evropianë kanë sugjeruar se angazhimi i trupave në këtë pikë ndoshta do të ndihmonte narrativën e Putinit kundër Perëndimit.
Moska e ka bërë të qartë se asnjë forcë perëndimore nuk duhet të vendoset në Ukrainë dhe ka këmbëngulur që ajo duhet të jetë një nga vendet që veprojnë si “garantuese” - një ide e refuzuar nga Kievi dhe aleatët e tij, shkruan BBC.
Presidenti francez ka thënë se nuk e ka “asnjë dyshim” për gatishmërinë e SHBA-së për të qenë pjesë e garancive të sigurisë për Ukrainën.
Trump kohët e fundit ka paralajmëruar se mbështetja e SHBA-së mund të vijë “ndoshta” në formën e mbështetjes ajrore. Detajet deri më tani janë të paqarta, por mbështetja ajrore mund të përfshijë ndihmë me mbrojtjen ajrore ose inteligjencën.
Rusia vazhdon të dërgojë trupa në Ukrainë pavarësisht përpjekjeve të fundit për të vendosur bisedime për armëpushim, ka shtuar Macron.
Sipas një zëdhënëseje të qeverisë britanike, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka thënë se aleatët perëndimorë tani kanë bërë një “betim të pathyeshëm” ndaj Ukrainës, të mbështetur nga SHBA-ja dhe duhet ta shtyjnë Rusinë që t’i japë fund luftës.
Keir, i cili bashkëkryesoi samitin e Parisit nga distanca, ka thënë se Putinit nuk mund t'i besohet.
Ukraina dhe aleatët e saj besojnë se një armëpushim duhet të arrihet para çdo përpjekjeje për të siguruar një marrëveshje më të gjerë paqeje, megjithëse Rusia nuk është dakord.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, pas takimit ka thënë se përparësia e parë është të sigurohet një armëpushim në një samit që përfshinte presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe më pas të ofroheshin “garanci të forta sigurie”.
Zyrtarët e lartë të presidentit ukrainas, të enjten, kanë zhvilluar bisedime në Paris me të dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff.
Më shumë se tre vjet e gjysmë pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, Putin ka thënë këtë javë se ka “një dritë në fund të tunelit” dhe se “ka opsione për të garantuar sigurinë e Ukrainës në rast se konflikti përfundon”.
Një takim i drejtpërdrejtë në mes të Putinit dhe Zelenskyt është bërë gjithnjë e më i pamundur që kur propozua muajin e kaluar nga presidenti amerikan.
Putini këtë javë ka propozuar një takim me Zelenskyn në Moskë për bisedime, ide kjo e quajtur e papranueshme nga Kievi. Udhëheqësi ukrainas ka thënë se kjo tregon se Rusia nuk donte vërtet që takimi të zhvillohej.
Trump i ka thënë “CBS News” të mërkurën se ai mbetet i përkushtuar për të arritur një marrëveshje për t'i dhënë fund luftës dhe ka shtuar se vazhdon të ketë marrëdhënie të mirë si me Putinin ashtu edhe me Zelenskyn.
“Mendoj se do të zgjidhim gjithçka”, ka thënë ai.
E lider rus, që e kaloi të mërkurën me presidentin e Kinës, Xi Jinping, dhe liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka deklaruar se ushtria e shtetit të tij po shtyn përpara në të gjitha frontet në Ukrainë. Ai ka paralajmëruar se pa një marrëveshje, Moska është e gatshme “t’i zgjidhë të gjitha çështjet ushtarakisht”. Rusia ka refuzuar idenë e një armëpushimi paraprakisht, duke thënë se fushata s’do të përfundonte pa një marrëveshje të plotë të paqes.
Një burim në Pallatin Elysee ka sugjeruar se në prag të bisedimeve të të enjtes, ka pasur fjalë edhe për shembuj historikë të armëpushimeve që kanë zgjatur edhe pa marrëveshje të plotë paqeje. Burimi ka thënë se është përmendur edhe demarkimi në mes të Koreve, ku një armëpushim zgjati për vite të tëra, deri kur vendosja ushtarake amerikane i dha sinjal Koresë së Veriut. Ky koncept ishte shumë i rëndësishëm për ukrainasit, sipas burimit të BBC-së.