Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka deklaruar se shpreson që lufta në Ukrainë të përfundojë deri në fund të mandatit të tij.
Gjatë paraqitjes para mediave bashkë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në Paris të hënën, Macroni ka përmendur disa "pika të vërteta kthese" në muajt e fundit, ndërsa aleatët e Ukrainës i përafruan qëndrimet e SHBA-së dhe Evropës për Ukrainën dhe vazhdojnë të ushtrojnë më shumë presion mbi Rusinë, duke përfshirë sanksionet ndaj kompanive të naftës dhe më shumë përpjekje kundër flotës ruse në hije.
Por ai thotë se ajo që nevojitet më pas është një marrëveshje më e gjerë që garanton "paqe të fortë dhe të qëndrueshme" në Ukrainë.
“Nëse Ukraina nuk është e fortë dhe e besueshme, Rusia do të shkelë përsëri detyrimet e saj”, ka thënë Macroni.