Botë

Ukraina nënshkruan blerjen e 100 avionëve luftarakë francezë "Rafale"

Volodymyr Zelensky dhe Emmanuel Macron

Foto: Associated Press

Kievi zyrtar ka nënshkruar një dokument përmes të cilit synohet blerja e deri në 100 avionëve luftarakë "Rafale" nga Franca, kanë bërë të ditur Ambasada ukrainase dhe zyra e presidentit francez.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe presidenti francez Emmanuel Macron nënshkruan dokumentin të hënën, duke deklaruar se Ukraina po shqyrton mundësinë e blerjes së pajisjeve franceze të mbrojtjes, duke përfshirë avionët luftarakë Rafale, ka njoftuar zyra e Macronit. Ajo nuk ka dhënë detaje të mëtejshme.

Zelensky po qëndron të hënën në Francë, në vizitën e tij të nëntë në Paris që nga pushtimi i plotë i Rusisë në shkurt 2022. 

Vizita e tij ka për qëllim forcimin e mbrojtjes së Ukrainës, ndërsa vendi hyn në një dimër tjetër nën bombardimet ruse të infrastrukturës së saj energjetike dhe objektivave të tjerë.

Të hënën në mëngjes, Macroni dhe Zelensky kanë vizituar një bazë ajrore në periferi të Parisit, përpara se të shkonin në selinë e një force shumëkombëshe, të quajtur "koalicioni i të vullnetshmëve", që

Franca dhe Britania e Madhe kanë krijuar me më shumë se 30 vende të tjera për të siguruar një armëpushim përfundimtar në Ukrainë.

Zelensky ka shkruar në X të dielën se ai mezi priste një "marrëveshje historike me Francën në Paris për të forcuar aviacionin tonë luftarak dhe mbrojtjen ajrore". 

Muajin e kaluar, Ukraina dhe Suedia nënshkruan një marrëveshje që shqyrton mundësinë e blerjes së deri në 150 avionëve luftarakë Gripen të prodhuar në Suedi,  gjatë dekadës së ardhshme ose më shumë.

Ukraina tashmë ka marrë avionët F-16 të prodhuar në Amerikë dhe “Mirage” në Francë. 

Macroni shpreson që lufta në Ukrainë të përfundojë deri në fund të mandatit të tij

40 min. më parë / 17 nën 2025 14:18
Emmanuel Macron dhe Volodymyr Zelensky

Photo: Associated Press

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka deklaruar se shpreson që lufta në Ukrainë të përfundojë deri në fund të mandatit të tij. 

Gjatë paraqitjes para mediave bashkë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në Paris të hënën, Macroni ka përmendur disa "pika të vërteta kthese" në muajt e fundit, ndërsa aleatët e Ukrainës i përafruan qëndrimet e SHBA-së dhe Evropës për Ukrainën dhe vazhdojnë të ushtrojnë më shumë presion mbi Rusinë, duke përfshirë sanksionet ndaj kompanive të naftës dhe më shumë përpjekje kundër flotës ruse në hije.

Por ai thotë se ajo që nevojitet më pas është një marrëveshje më e gjerë që garanton "paqe të fortë dhe të qëndrueshme" në Ukrainë.

“Nëse Ukraina nuk është e fortë dhe e besueshme, Rusia do të shkelë përsëri detyrimet e saj”, ka thënë Macroni.