Botë

Ukraina e do SHBA-në të përfshirë në përpjekjet për paqe

Zelensky Trump

Udhëheqësit evropianë kanë diskutuar në Londër rreth mënyrave për të forcuar mbështetjen ndaj Ukrainës, përfshirë mbrojtjen ajrore, furnizimin me raketa me rreze të gjatë veprimi dhe për garancitë pas përfundimit të luftës. E presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se në përpjekjet për paqe në Ukrainë e përfshirë duhet të jetë edhe SHBA-ja

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se shteti i tij dëshiron që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mbesin të involvuara në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës, pas një takimi që ka pasur me aleatët perëndimorë në Londër pa praninë e presidentit amerikan Donald Trump.

Lideri ukrainas ka zgjedhur të mos flasë për çështjen e furnizimit me raketat “Tomahawk” në një takim me më shumë se 20 liderë kryesisht evropianë nga “koalicioni i të vullnetshmëve” por në vend të kësaj theksoi nevojën që Perëndimi të punojë bashkë.

“Ne nuk jemi duke gjetur dhe duke kërkuar se si ta ndalim Putinin dhe si ta përfundojmë këtë pa punuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë ai në fund të takimit që kishte për cak diskutimin se si të rritet presioni mbi liderin rus para dimrit.

Presidenti ukrainas po ashtu ka thënë se kur bëhet fjalë për garancitë e sigurisë pas luftës për shtetin e tij “duhet të jetë edhe SHBA-ja”.

Duke paralajmëruar se “Putini dëshiron të na ndajë”, Zelensky e ka thënë këtë teksa Trumpi ka refuzuar të japë dritën e gjelbër për të furnizuar Ukrainën me “Tomahawka”, ndërsa shtetet tjera perëndimore “përparuan bashkë” duke ofruar raketat anglo-franceze.

E paraprakisht, gjatë takimit, kryeministri britanik Keir Starmer ka thënë se beson që “ka ende më shumë që mund të bëhet në kapacitetet, sidomos ato me rreze të gjatë” duke sinjalizuar se Mbretëria e Bashkuar dëshiron që aleatët ta mbështesin Ukrainën me raketa me rreze të gjatë dhe të ndihmojnë Kievin të godasë caqet ruse përtej vijës së frontit.

Zelensky ka thënë se Rusia po përpiqet të shkaktojë “krizë humanitare” këtë dimër. “Jemi falënderues ndaj jush që nuk na lini të vetëm në këtë situatë – që nga fillimi i luftës por sidomos tani, është shumë e rëndësishme”, ka thënë ai.

Në mesin e të pranishmëve në takimin e organizuar nga Starmeri ishin edhe Mark Rutte, sekretar i përgjithshëm i NATO-s, kryeministrat e Danimarkës dhe ai i Holandës. Të tjerët u mblodhën online.

Takimi ndodhi një ditë pasi liderët e BE-së dështuan të vendosin nëse 140 miliardë eurot e ngrira të aseteve ruse për të financuar mbrojtje ukrainase.

Rusia ndërkohë ka intensifikuar bombardimin e infrastrukturës energjetike të Ukrainës. Rryma dhe furnizimi me ujë janë ndërprerë në Kiev dhe Chernihiv gjatë javës.

Liderët evropianë po shpresojnë që gradualisht tani ta shfrytëzojnë edhe ndryshimin e qëndrimeve në Shtëpinë e Bardhë. Më herët gjatë javës, Trumpi anuloi një samit të planifikuar me presidentin rus Vladimir Putin në Budapest, e të mërkurën SHBA-ja sanksionoi kompanitë më të mëdha ruse të naftës.

Presidenti amerikan po ashtu ka bërë thirrje për armëpushim në vijën aktuale të frontit, duke refuzuar kërkesat ruse për më shumë territor në Ukrainë. Por ai ka mohuar të pajtohet me kërkesën e Ukrainës për “Tomahawka”, pas një takimi me Zelenskyn në Washington javën e shkuar.

Presidenti rus deri më tani ka refuzuar të hyjë në negociata për paqe me Zelenskyn, duke pretenduar se pushtimi i plotë i Ukrainës është i ligjshëm.

Ky qëndrim i Putinit ka zhgënjyer udhëheqësit perëndimorë. Para takimit me presidentin ukrainas, Starmer ka deklaruar se pavarësisht se udhëheqësit evropianë i kanë ofruar Putinit mundësinë që ta ndalë luftën, ai i  ka refuzuar vazhdimisht të gjitha propozimet.