Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA-ja dhe India arrijnë marrëveshje tregtare

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se ka rënë dakord për një marrëveshje tregtare me kryeministrin e Indisë, Narendra Modi, sipas së cilës SHBA-ja do t’i ulë tarifat për mallrat nga India në 18% nga 25% sa i kishte deri më tash, raporton “BBC”. 

Në një postim në Truth Social, Trump tha se India do t’i ulë barrierat tregtare në zero dhe gjithashtu do ta ndalojë blerjen e naftës ruse. Një ndëshkim shtesë tarifor prej 25%, i vendosur për shkak të refuzimit të New Delhit për ta ndalur blerjen e naftës nga Rusia, do të hiqet.

Njoftimi vjen më pak se një javë pasi India dhe Bashkimi Evropian shpallën një marrëveshje historike tregtare, e cila i dha fund gati dy dekadave bisedimesh.

Modi shkroi në rrjetin social “X” se është “i kënaqur” që është arritur një marrëveshje me SHBA-në.

Në postim, Trumpi tha se një telefonatë në mëngjes me Modin përfshinte diskutime mbi tregtinë dhe luftën Rusi-Ukrainë.

“Ai ra dakord ta ndalojë blerjen e naftës ruse dhe të blejë shumë më tepër naftë nga Shtetet e Bashkuara dhe, potencialisht, nga Venezuela”, shkroi Trump në “Truth Social”.

Trump shtoi se, me kërkesë të Modit, ai menjëherë “ra dakord për një marrëveshje tregtare” që do ta sillte uljen e tarifave dhe reduktimin e tarifave dhe barrierave jotarifore të Indisë në zero.

Edhe Trumpi thotë se Modi është pajtuar të mos blejë naftë ruse Botë Trumpi thotë se Modi është pajtuar të mos blejë naftë ruse

Gjithashtu, Trump tha se Modi u angazhua të blejë më shumë se 500 miliardë dollarë mallra amerikane, përfshirë produkte të energjisë, teknologjisë, bujqësisë dhe qymyrit.

Marrëdhëniet tregtare mes SHBA-së dhe Indisë kanë qenë të tensionuara që kur SHBA vendosi tarifa prej 50% mbi mallrat nga India — më të lartat për një vend në Azi — në gusht, përfshirë një penalitet prej 25% të lidhur me blerjen e naftës ruse nga India.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i konfirmoi BBC-së se tarifat e lidhura me naftën ruse do të hiqen si pjesë e marrëveshjes dhe se tarifat e tjera do të ulen për ta çuar normën në 18%.