Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë të hënën se India ka ofruar të ulë tarifat e saj për mallrat amerikane në zero.
Teksa e ka quajtur marrëdhënien e SHBA-së me Indinë “të njëanshme”, Trumpi ka shkruar në platformën e tij Truth Social se “ata tani kanë ofruar të ulin tarifat e tyre në zero, por po bëhet vonë. Duhet ta kishin bërë këtë vite më parë”.
Ambasada indiane në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë komenteve të Trump, të cilat vijnë pas zbatimit të tarifave totale deri në 50% për mallrat indiane që kanë ngritur pyetje në lidhje me të ardhmen e marrëdhënieve SHBA-Indi.
Komenti i Trumpit erdhi teksa Modi po qëndron në Kinë për një samit të më shumë se 20 udhëheqësve të vendeve jo-perëndimore të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, një iniciativë e mbështetur nga Kina.