Presidenti amerikan, Donald Trump ka shpërndarë një mesazh të cilin ia kishte dërguar shefi i NATO-s, Mark Rutte, në të cilin ai e uronte presidenti për marrjen e “veprimeve të prera” ndaj Iranit.
"Urime dhe faleminderit për veprimin tuaj të prerë ndaj Iranit, që ishte vërtet i jashtëzakonshëm dhe diçka që askush tjetër nuk guxoi ta bënte. Na bën të gjithëve më të sigurt", thuhet në mesazh.
Nuk është deklaruar në mënyrë të qartë se për cilin veprim të presidentit amerikan, Rutte, po i referohej.
Gjatë fundjavës, Trumpi ka urdhëruar një sulm ndaj centraleve bërthamore iraniane dhe në 24 orët e fundit ka ushtruar presion si ndaj Izraelit ashtu edhe ndaj Iranit për të arritur një armëpushim.
Një pamje e ekranit që tregon disa mesazhe nga Rutte është ndarë në platformën Truth Social të Trumpit. NATO-ja ka konfirmuar se mesazhet janë të vërteta.
Mesazhi vazhdon duke lavdëruar Trumpin për presionin ndaj anëtarëve të tjerë të NATO-s që të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen.
Duket se i është dërguar direkt presidentit amerikan, por nuk është e qartë nëse ishte menduar të shihej më gjerësisht.
Trumpi është rrugës për një samit të NATO-s në Holandë, ku do të takohet me Rutte dhe udhëheqës të tjerë nga blloku i sigurisë prej 32 vendesh.
