Botë

Armëpushimi i Trumpit nuk zgjat as dy orë

Donald Trump

Edhe pse ishte paraparë të hynte në fuqi në mëngjesin e së martës, armëpushimi Iran-Izrael i shpallur nga presidenti amerikan, Donald Trump, nuk ka zgjatur as dy orë. Të dyja shtetet kanë sulmuar njëra-tjetrën e Trump ka dënuar veprimet e të dyjave.

CNN: Vlerësimi fillestar i inteligjencës sugjeron se SHBA-ja nuk i shkatërroi objektet bërthamore në Iran

1 muaj më parë / 24 qer 2025 21:17
Iran

Sulmet amerikane ndaj tri objekteve bërthamore në Iran në fundjavë, s’kanë shkatërruar komponentët kryesorë të programit bërthamor iranian, dhe me shumë gjasa e kanë shtyrë vetëm disa muaj prapa programin, thuhet në vlerësimet fillestare të inteligjencës amerikane, raporton “CNN”. 

Vlerësimi është bërë nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes, një krah i inteligjencës i Pentagonit. Ai bazohet në një vlerësim të dëmeve që është bërë nga Komanda Qendrore e SHBA-së pas sulmeve amerikane ndaj objekteve bërthamore në Fordow, Isfahan dhe Natanz, tha një nga burimet. 

Analiza e dëmeve në objekte dhe ndikimi i sulmeve në ambiciet bërthamore të Iranit po vazhdon të vlerësohet, dhe mund të ndryshojë pasi më tepër inteligjencë të bëhet e disponueshme. Por, gjetjet fillestare janë në kundërshtim me pretendimet e vazhdueshme të presidentit amerikan se sulmet “shkatërruan plotësisht” objektet e pasurimit bërthamor të Iranit. Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, tha gjithashtu të dielën se ambiciet bërthamore të Iranit “janë zhdukur”.

Dy persona të njohur me vlerësimin thanë se rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit nuk janë shkatërruar. Njëri nga personat tha se centrifugat janë kryesisht të “paprekura”. 

“Pra, vlerësimi i DIA-s është se SHBA-ja shtyu ndoshta për disa muaj prapa programin”, tha burimi. 

Shtëpia e Bardhë ka pranuar ekzistencën e këtij vlerësimi, por shtoi se nuk pajtohet me të. 

Sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, i tha CNN-it se ky vlerësim i supozuar është “krejtësisht i gabuar dhe u klasifikua si ‘top sekret’”. 

“Por, prapëseprapë u zbulua për CNN nga një dështak anonim i nivelit të ulët në komunitetin e inteligjencës. Rrjedhja e këtij vlerësimi të supozuar është një përpjekje e qartë për ta poshtëruar presidentin Trump dhe për t'i diskredituar pilotët e guximshëm luftarakë që drejtuan një mision të ekzekutuar në mënyrë të përsosur për ta zhdukur programin bërthamor të Iranit. Të gjithë e dinë se çfarë ndodh kur hedhni 14 bomba 30 mijë pound (mbi 13 mijë e 607 kg) në mënyrë të përsosur mbi objektivat e tyre: zhdukje totale”, ka thënë Leavitt. 

Ushtria amerikane ka thënë se operacioni shkoi sipas planit dhe ishte “një sukses i jashtëzakonshëm”. 

Është ende herët që SHBA-ja të ketë një pamje gjithëpërfshirëse të ndikimit të sulmeve, pasi asnjë nga burimet nuk e përshkroi se si vlerësimi i DIA-s krahasohet me pikëpamjen e agjencive tjera në komunitetin e inteligjencës. SHBA-ja vazhdon të mbledhë informata, përfshirë nga brenda Iranit për ta vlerësuar dëmin. 

Izraeli kishte kryer sulme ndaj objekteve bërthamore të Iranit me ditë të tëra, para operacionit ushtarak amerikan, por pretendoi se kishte nevojë për bombat bunker-shkatërruese të SHBA-së për ta përfunduar punën. 

Bombarduesit amerikanë B-2 hodhën 14 bomba bunker-shkatërruese në dy objekte bërthamore të Iranit, në Fordow dhe Natanz. Por, në vlerësim thuhet se bombat nuk i eliminuan plotësisht centrifugat dhe uraniumin shumë të pasuruar të Iranit.

Në vend të kësaj, ndikimi në tri objektet bërthamore ishte kryesisht i kufizuar në strukturat mbitokësore, që u dëmtuan rëndë, thanë burimet. Kjo përfshin infrastrukturën e energjisë të atyre vendeve dhe disa objekte mbitokësore të përdorura për ta shndërruar uraniumin në metal për prodhim të bombave.

“Bazuar në çdo gjë që kemi parë, dhe unë i kam parë të gjitha, fushata jonë e bombardimeve zhduku aftësinë e Iranit për të krijuar armë bërthamore. Bombat tona masive goditën saktësisht vendin e duhur në secilin objektiv dhe funksionuan në mënyrë perfekte...Kushdo që thotë se bombat nuk ishin shkatërruese thjeshtë po përpiqet ta minojë presidentin dhe misionin e suksesshëm”, tha Hegseth. 

Të martën presidenti amerikan Trump përsëriti besimin se dëmi nga sulmet ishte i konsiderueshëm. 

“Mendoj se është shkatërruar plotësisht”, tha Trump. 

I pyetur për mundësinë që Irani ta rindërtojë programin bërthamor, Trump u përgjigj: “Ai vend është nën shkëmb, është shkatërruar”. 

Derisa Trump dhe Hegseth kanë qenë optimistë për suksesin, shefi i shtatmadhorisë së SHBA-së, Dan Caine, tha të dielën se ndërsa vlerësimi i dëmit ishte ende duke u bërë, është “shumë herët” për të komentuar nëse Irani ende ka aftësi bërthamore. 

Më herët të martën, janë anuluar takimet informuese të klasifikuara për Dhomën e Përfaqësuesve dhe për Senatin mbi operacionin. 

Ky takim është shtyrë për të enjten, kanë thënë dy burime të njohura me çështjen. 

Netanyahu e quan “fitore historike” armëpushimin me Iranin

1 muaj më parë / 24 qer 2025 21:08
Netanyahu

Photo: Associated Press

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu e ka përshkruar armëpushimin midis Iranit dhe Izraelit si një "fitore historike".

Në një adresim publik të martën në mbrëmje, Netanyahu ka thënë se "fitorja do të mbahet mend për breza”.

“Ne eliminuam dy kërcënime të menjëhershme ekzistenciale - një kërcënim bërthamor dhe një kërcënim me raketa balistike. Nëse nuk do të kishim vepruar, së shpejti do të përballeshim me rrezikun e asgjësimit", ka thënë Netanyahu.

Netanyahu është shprehur se Forca Izraelite e Mbrojtjes ka "eliminuar komandën e lartë të Iranit", duke përfshirë tre shefa të shtabeve, shkencëtarë bërthamorë dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Fushata e Izraelit ka shkatërruar gjithashtu objekte bërthamore në Isfahan, Natanz dhe Arak, sipas Netanyahut.

Ai gjithashtu ka përshëndetur përfshirjen e presidentit të SHBA-së, Donald Trump në luftën mes Izraelit dhe Iranit.

"Miku ynë presidenti Trump na ka qëndruar pranë në një mënyrë të paparë. Nën drejtimin e tij, ushtria amerikane ka shkatërruar vendin e pasurimit të thellë në Fordow", ka thënë  Netanyahu.

Netanyahu ka paralajmëruar se Izraeli do të sulmojë sërish nëse Irani rindërton programin bërthamor.

“Ne e kemi çmontuar programin bërthamor iranian. Nëse dikush në Iran mendon ta rindërtojë, atëherë do të godasim sërish”, tha Netanyahu.   

Ushtria izraelite thotë se tani po kthen fokusin në Gazë

1 muaj më parë / 24 qer 2025 20:53
Gaza

Photo: Associated Press

Ushtria izraelite ka lëshuar një deklaratë ku thotë se pranon armëpushimin me Iranin dhe shton se "tani fokusi kthehet në Gazë".

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Lejtnant, Eyal Zamir, ka deklaruar se ushtria ka "përfunduar një fazë të rëndësishme, por fushata kundër Iranit nuk ka mbaruar".

"Po hyjmë në një fazë të re bazuar në arritjet e fazës aktuale. E kemi kthyer projektin bërthamor të Iranit me vite prapa, dhe e njëjta gjë vlen edhe për programin e tij të raketave", ka thënë ai. 

Ai i ka përshkruar veprimet e ndërmarra nga ushtria izraelite si një "arritje fenomenale", duke shtuar se tani fokusi kthehet në Gaza “për të sjellë pengjet në shtëpi dhe për të çmontuar regjimin e Hamasit".

Çka dihet për marrëveshjen e armëpushimit Izrael-Iran

1 muaj më parë / 24 qer 2025 19:45 Nga: BBC
Tel Aviv

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka paralajmëruar Izraelin kundër nisjes së sulmeve të mëtejshme ndaj Iranit, disa orë pasi ka njoftuar se një armëpushim midis dy palëve ka hyrë në fuqi.

Presidenti amerikan ka përdorur një fjalë të pahijshme teksa kritikonte të dyja palët, pasi secila akuzonte tjetrën për shkelje të armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe Katari.

Kjo ka ndodhur pasi Izraeli ka thënë se Irani kishte shkelur marrëveshjen dhe është zotuar të përgjigjej me "sulme të fuqishme".

Irani ka mohuar se ka lëshuar ndonjë raketë drejt Izraelit dhe organi më i lartë i sigurisë i vendit është zotuar të përgjigjet ndaj çdo agresioni të mëtejshëm izraelit.

Kur ka hyrë në fuqi armëpushimi?

Menjëherë pas orës 05:00 të martën, Trumpi ka njoftuar se armëpushimi ka hyrë në fuqi.

"Ju lutem mos e shkelni!”, ka kërkuar ai nga të dyja palët në një postim në platformën e tij “Truth Social”.

Qeveria izraelite ka thënë se kishte rënë dakord me propozimin e armëpushimit të SHBA-së menjëherë pas orës 06:00 të martën, pasi Irani kishte thënë se do të ndalonte sulmet nëse Izraeli bënte të njëjtën gjë.

Megjithatë, disa orë më vonë, Izraeli akuzoi Iranin për nisjen e sulmeve të mëtejshme në territorin e tij.

Trumpi ka thënë fillimisht se për armëpushimin kishte “pajtim të plotë” në një postim pak as orës 22:00 të hënën, i cili sipas tij do t'i jepte fund asaj që ai e ka quajtur "lufta 12-ditore".

Kjo ka ndodhur pasi Irani ka lëshuar raketa në një bazë amerikane në Katar të hënën, duke e quajtur një hakmarrje për sulmet amerikane kundër lokacioneve të tij bërthamore gjatë fundjavës.

Çfarë ka thënë Trumpi?

Në një postim më vonë të martën në “Truth Social” Trumpi i ka kërkuar Izraelit “të mos i hidhte bombat” mbi Iranin.

Duke folur me gazetarët jashtë Shtëpisë së Bardhë pak më vonë, Trumpi ka thënë se nuk ishte i kënaqur me Izraelin.

"Pati një raketë që mendoj se u qëllua jashtë detit pas afatit kohor dhe tani Izraeli po largohet. Këta njerëz duhet të qetësohen", ka thënë ai.

Mirëpo, në një shpërthim të zemërimit të tij, presidenti amerikan ka thënë se të dy vendet nuk dinin çfarë po bënin.

E në një postim të mëvonshëm ai ka thënë se "Armëpushimi është në fuqi."

Si kanë reaguar Irani dhe Izraeli?

Dy orë pasi Izraeli ka thënë se ka rënë dakord për armëpushimin, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë thënë se kishin identifikuar raketa të lëshuara nga Irani.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz ka akuzuar Iranin për një "shkelje të plotë" të kushteve, duke shtuar se ai kishte udhëzuar ushtrinë të "vazhdonte aktivitetin intensiv të sulmit ndaj Teheranit për të penguar objektivat e regjimit dhe infrastrukturat terroriste".

Ushtria iraniane e ka mohuar se kishte lëshuar raketa pasi armëpushimi kishte hyrë në fuqi.

Më vonë, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) i Iranit ka thënë se "në momentet e fundit para se armëpushimi t'i imponohej armikut", kishte goditur "qendra ushtarake dhe logjistike" në Izrael.

Agjencia e lajmeve Tasnim, e lidhur me IRGC-në, ka raportuar se Izraeli kishte nisur një sulm ushtarak "trefazor" në territorin e tij pas armëpushimit.

Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare i Iranit ka thënë më parë se sulmet izraelite do të "përballeshin me një përgjigje vendimtare, të fortë dhe në kohë nga Irani".

A është thyer armëpushimi?

Zyra e kryeministrit izraelit ka akuzuar Iranin për lëshimin e raketave drejt territorit të tij pasi armëpushimi ka hyrë në fuqi të martën, gjë që Irani e ka mohuar. Zyra ka shtuar se ushtria izraelite është përgjigjur duke goditur një "radar pranë Teheranit".

Përpara se të fillonte armëpushimi, Irani dhe Izraeli kanë shkëmbyer sulme të rënda.
IDF-ja ka thënë se disa runde sulmesh kanë goditur vendit nga nata e së hënës e deri të martën.

Punonjësit e shpëtimit kanë thënë se katër persona janë vrarë dhe 22 janë plagosur në qytetin Beersheba.

Në atë kohë, media shtetërore iraniane ka raportuar se Irani kishte nisur "një rund të fundit raketash" kundër Izraelit.

Gjatë natës, televizioni shtetëror iranian ka raportuar se kryeqyteti, Teherani, po përjetonte disa nga përplasjet më të forta të mbrojtjes ajrore që nga shpërthimi i luftës më 13 qershor, teksa banorët i kanë thënë BBC Persian se kishin dëgjuar shpërthime të forta.

IDF-ja ka thënë se ka goditur dhe shkatërruar lëshuesit e raketave në Iranin perëndimor që thanë se ishin "gati për t'u lëshuar në territorin izraelit".

Teherani ka thënë se një shkencëtar tjetër bërthamor është vrarë para se marrëveshja të hynte në fuqi.

Pse e ka sulmuar Izraeli Iranin?

Izraeli ka sulmuar vendet bërthamore dhe ushtarake në Iran të premten, më 13 qershor, duke pretenduar se Irani ishte afër ndërtimit të një arme bërthamore.

Izraeli ka thënë se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të bombardonte Iranin, pasi bisedimet diplomatike që synonin frenimin e programit bërthamor të vendit ngecën.

Ofensiva izraelite është zhvilluar mes shqetësimit ndërkombëtar në rritje se Irani ka rritur prodhimin e uraniumit të pasuruar - një komponent kyç në prodhimin e armëve bërthamore.

Megjithatë, nuk ka konsensus ndërkombëtar se sa afër ishte afruar Irani me ndërtimin e armëve të veta bërthamore.

Në ditët në vijim, Izraeli ka shënjestruar infrastrukturën iraniane për të cilën ka thënë se mund të përdoret për "zhvillimin e armëve bërthamore".

SHBA-ja më vonë i është bashkuar sulmeve, duke hedhur të ashtuquajturat bomba bunkerësh në vendin Fordoë, një strukturë pasurimi bërthamor e ndërtuar thellë nën një mal jashtë Teheranit.

Në një përditësim të martën, një zëdhënës i ministrisë së Shëndetësisë së Iranit ka thënë se 610 persona janë vrarë dhe 4,746 janë plagosur në sulmet izraelite që nga fillimi i konfliktit.

Sipas ministrisë së Shëndetësisë së Izraelit, katër persona janë vrarë të martën, duke e çuar numrin e të vdekurve që nga 13 qershori në 28.

Cilat janë aftësitë bërthamore të Iranit?

Irani thotë se po operon një program bërthamor tërësisht paqësor për qëllime civile.

Megjithatë, organi mbikëqyrës bërthamor i OKB-së ka paralajmëruar muajin e kaluar se Irani ka pasuruar mbi 400 kg uranium në pastërti 60% - një pastërti pothuajse e nivelit të armëve, që është shumë mbi nivelin e përdorur për qëllime civile.

Zyrtarët amerikanë thonë se sulmet SHBA-Izrael të kryera kundër centraleve bërthamore të Iranit e kanë dëmtuar ndjeshëm perspektivën e Teheranit për të ndërtuar një armë bërthamore.

Megjithatë, Hassan Abedini, zëvendësdrejtori politik i transmetuesit shtetëror të Iranit, pretendonte se tri centralet e synuara nga SHBA-ja ishin evakuuar "pak kohë më parë" dhe se Irani "nuk ka pësuar një goditje të madhe sepse materialet ishin nxjerrë tashmë".

Armëpushimi Izrael-Iran po respektohet pas shpërthimit të Trumpit ndaj të dyja palëve

1 muaj më parë / 24 qer 2025 19:03
Trump

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kritikuar të martën Izraelin dhe Iranin, teksa ka akuzuar të dyja palët për shkelje të armëpushimit.

Izraeli ka bërë të ditur se ka goditur një radar iranian, por është "përmbajtur nga sulme të mëtejshme" pasi kryeministri Benjamin Netanyahu kishte zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin amerikan, Donald Trump.

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian ka thënë se Teherani do ta respektojë armëpushimin me kusht që Izraeli të mos e shkelë atë.

Kushtet e këtij armëpushimi mbeten të paqarta dhe statusi i tij mbetet i brishtë, por është në fuqi, raportojnë gazetarët në Jerusalem.

Ndërkohë, Trumpi pritet të mbërrijë së shpejti në samitin e NATO-s në Hagë, ku do të takohet me udhëheqës botërorë.

Gjatë udhëtimit me Air Force One, presidenti ka ndarë një mesazh nga shefi i NATO-s, Mark Rutte, i cili e përgëzon atë për ndërmarrjen e "veprimeve vendimtare" në Iran.

JD Vance sugjeron se rezervat e uraniumit të Iranit janë ende të paprekura

1 muaj më parë / 24 qer 2025 18:59
JD Vance

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, JD Vance, tha se bombardimet amerikane ndaj objekteve bërthamore në Iran ishin “sukses”, por ka sugjeruar se rreth 400 kilogramë rezerva të uraniumit të pasuruar të Iranit, që janë afër të nivelit që duhet për prodhim të armës bërthamore, mbetën të paprekura, transmeton "The Guardian". 

Duke folur për “Fox News”, Vance tha se vendndodhja e uraniumit nuk është pyetja, por pyetja është se: “A mund ta pasurojë Irani uraniumin në nivelin e armëve dhe a mund ta shndërrojë atë karburant në armë bërthamore?”

Rezervat e uraniumit besohet se ndodheshin kryesisht në Isfahan, që strehon një strukturë që e kthen uraniumin në formën që mund të futet në centrifuga për pasurim. 

Shefi i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Energji Atomike, Rafael Grossi, tha në ditët  e fundit se rezervat janë zhvendosur. Inspektorët e tij nuk kanë qenë në gjendje t’i vizitojnë vendet bërthamore iraniane që nga fillimi i luftës. 

SHBA-ja bombardoi të shtunën objektet bërthamore në Fordow, Natanz dhe Isfahan, në përpjekje për ta shkatërruar programin bërthamor të Iranit. 

Por, raportohet sugjerojnë se pavarësisht dëmtimeve masive fizike të vendeve bërthamore, rezervat e uraniumit mund të jenë zhvendosur diku tjetër. 

“Qëllimi ishte të varrosej uraniumi dhe unë mendoj se uraniumi është varrosur”, tha Vance. 

Për SHBA-në, ai tha se qëllimi i bombardimit ishte “të eliminonte pasurimin dhe t’i eliminonte aftësitë e tyre për ta kthyer atë karburant të pasuruar në një armë bërthamore”. 

“Ne nuk duam që ai uranium i pasuruar 60 % të bëhet uranium i pasuruar 90%. Ky është shqetësimi i vërtetë”, tha Vance. 

Por, Vance insistoi se nuk ishte shqetësim që Irani mund t’i ketë zhvendosur rezervat dhe pretendoi se bombardimi përfaqësonte “mision të suksesshëm”. Ai tha se Irani më nuk ka kapacitetet për ta kthyer rezervën në uranium të gradës së armëve bërthamore. 

“Ky ishte vërtetë qëllimi”, tha Vance. 
 

Hapësira ajrore iraniane rihapet pjesërisht për fluturime ndërkombëtare

1 muaj më parë / 24 qer 2025 18:43
Teheran

Photo: Associated Press

Hapësira ajrore iraniane është rihapur pjesërisht të martën, pas arritjes së armëpushimit me Izraelin pas 12 ditësh luftime, sipas kompanisë së monitorimit të aviacionit FlightRadar24.

"Hapësira ajrore iraniane tani është e hapur për mbërritjet dhe nisjet ndërkombëtare për në/nga Teherani me leje paraprake”, ka shkruar Flightradar24 në X.

Kompania ka shtuar se edhe hapësira ajrore irakiane është rihapur.

Çmimet e naftës bien edhe më tutje

1 muaj më parë / 24 qer 2025 18:29
Nafta

Photo: Associated Press

Çmimet e naftës po bien më tej me shpresën se lufta e Izraelit me Iranin nuk do të dëmtojë rrjedhën globale të naftës së papërpunuar.

Një fuçi nafte e papërpunuar amerikane ka rënë me 4.9% në 65.12 dollarë. Nafta e papërpunuar Brent, standardi ndërkombëtar, ka rënë me 4.8% në 67.13 dollarë, raporton AP.

Çmimet e naftës kanë rënë aq shumë në dy ditët e fundit saqë janë nën nivelin ku ishin para se Izraeli të sulmonte Iranin gati dy javë më parë.

Irani është një prodhues i madh i naftës së papërpunuar dhe ditëve të fundit raportohej se mund të përpiqet të bllokojë Ngushticën e Hormuzit pranë bregdetit të tij.

Atje kalojnë me anije 20% e nevojave ditore botërore për naftë.

Trumpi shpërndan mesazhin e shefit të NATO-s lidhur me Iranin

1 muaj më parë / 24 qer 2025 16:59
Donald Trump dhe Mark Rutte

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump ka shpërndarë një mesazh të cilin ia kishte dërguar shefi i NATO-s, Mark Rutte, në të cilin ai e uronte presidenti për marrjen e “veprimeve të prera” ndaj Iranit.

"Urime dhe faleminderit për veprimin tuaj të prerë ndaj Iranit, që ishte vërtet i jashtëzakonshëm dhe diçka që askush tjetër nuk guxoi ta bënte. Na bën të gjithëve më të sigurt", thuhet në mesazh.

Nuk është deklaruar në mënyrë të qartë se për cilin veprim të presidentit amerikan, Rutte, po i referohej. 

Gjatë fundjavës, Trumpi ka urdhëruar një sulm ndaj centraleve bërthamore iraniane dhe në 24 orët e fundit ka ushtruar presion si ndaj Izraelit ashtu edhe ndaj Iranit për të arritur një armëpushim.

Një pamje e ekranit që tregon disa mesazhe nga Rutte është ndarë në platformën Truth Social të Trumpit. NATO-ja ka konfirmuar se mesazhet janë të vërteta.

Mesazhi vazhdon duke lavdëruar Trumpin për presionin ndaj anëtarëve të tjerë të NATO-s që të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen.

Duket se i është dërguar direkt presidentit amerikan, por nuk është e qartë nëse ishte menduar të shihej më gjerësisht.

Trumpi është rrugës për një samit të NATO-s në Holandë, ku do të takohet me Rutte dhe udhëheqës të tjerë nga blloku i sigurisë prej 32 vendesh.

Mbi 600 të vdekur në Iran e 28 në Izrael nga luftimet gati dyjavore

1 muaj më parë / 24 qer 2025 16:38
Izrael

Photo: Associated Press

Të paktën 606 njerëz janë vrarë në Iran që kur Izraeli ka nisur sulmet ndaj armikut të tij të moqëm, më 13 qershor.

Sipas ministrisë së Shëndetësisë së Iranit, vetëm të hënën janë vrarë 107 njerëz.

Ministria ka thënë se 95% e viktimave vdiqën në vendin e sulmeve, teksa e hëna ishte dita më vdekjeprurëse të konfliktit.

Ndërkohë, në shërbimet izraelite të emergjencës kanë lëshuar të dhënat përfundimtare për viktimat e luftës, pas hyrjes në fuqi të armëpushimit midis Iranit dhe Izraelit të martën.

Sipas këtyre të dhënave, 1,347 njerëz në Izrael janë prekur nga sulmet, 28 kanë mbetur të vdekur, më shumë se 900 janë të plagosur dhe 401 të trajtuar për ankth. 

Izraeli ka vrarë 14 shkencëtarë që qëndronin pas programit bërthamor të Iranit

1 muaj më parë / 24 qer 2025 15:45
Iran

Photo: Associated Press

Dëmet e luftës që Izraeli ia ka shkaktuar Iranit, përfshijnë vrasjen e të paktën 14 shkencëtarëve, duke u konsideruar kështu një sulm i paprecedent ndaj trurit që qëndron pas programit bërthamor të Iranit.

Ekspertët e jashtëm thonë së kjo vetëm mund ta kthejë prapa Iranin, por jo ta ndalojë atë. 

Në një intervistë për Associated Press, ambasadori i Izraelit në Francë, Joshua Zarka, ka thënë se vrasjet do ta bëjnë "pothuajse" të pamundur për Iranin të ndërtojë armë nga çdo infrastrukturë dhe material bërthamor që mund t’u ketë mbijetuar gati dy javë sulmesh ajrore izraelite, dhe po ashtu bombave masive që shkatërrojnë bunkerët, të hedhura nga bombarduesit e fshehtë amerikanë.

"Fakti që i gjithë grupi u zhduk në thelb po e kthen programin prapa me disa vite”, ka thënë ambasadori Zarka.

Por analistët bërthamorë thonë se Irani ka shkencëtarë të tjerë që mund të zënë vendin e tyre. 

Qeveritë evropiane thonë se vetëm forca ushtarake nuk mund të zhdukë njohuritë bërthamore të Iranit, prandaj ata duan një zgjidhje të negociuar për të qetësuar shqetësimet në lidhje me programin iranian.

“Sulmet nuk mund të shkatërrojnë njohuritë që Irani ka fituar gjatë disa dekadave, as ndonjë ambicie të regjimit për të përdorur ato njohuri për të ndërtuar një armë bërthamore”, u ka thënë sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, ligjvënësve në Dhomën e Komunave.

Zarka i ka thënë AP-së se sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 14 fizikanë dhe inxhinierë bërthamorë, udhëheqës të lartë shkencorë iranianë që "në thelb kishin gjithçka në mendje".

Ata u vranë "jo për shkak të faktit se dinin fizikë, por për shkak të luftës në të cilën ishin përfshirë personalisht, krijimit, fabrikimit dhe prodhimit të një arme bërthamore", ka deklaruar ai.

Ushtria izraelite ka thënë se nëntë prej tyre janë vrarë në valën e parë të sulmeve të Izraelit më 13 qershor. Sipas ushtrisë, ata "posedonin dekada përvojë të akumuluar në zhvillimin e armëve bërthamore" dhe përfshinin specialistë në kimi, materiale dhe eksplozivë, si dhe fizikanë.

Të martën, televizioni shtetëror iranian ka raportuar vdekjen e një shkencëtari tjetër bërthamor iranian, Mohammad Reza Sedighi Saber, në një sulm izraelit, pasi ai i kishte mbijetuar një sulmi të mëparshëm që vrau djalin e tij 17-vjeçar më 13 qershor.

Zyra e Netanyahut thotë se Izraeli është përmbajtur nga sulme të mëtejshme mbi Iranin

1 muaj më parë / 24 qer 2025 14:53
Benjamin Neanyahu

Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ka lëshuar një deklaratë të martën ku thuhet se Izraeli ka goditur një rrjet radarësh pranë Teheranit, në përgjigje të “shkeljeve të armëpushimit nga Irani”.

Në deklaratë, zyra e Netanyahut thotë se Irani ka lëshuar një raketë drejt Izraelit në orën 07:06 sipas kohës lokale dhe dy të tjera në orën 10:25, pasi armëpushimi kishte hyrë në fuqi, raporton BBC.

Deklarata thotë megjithatë se Izraeli "është përmbajtur nga sulme të mëtejshme" pasi kryeministri izraelit ka folur me presidentin e SHBA-së, Donald Trump.

Në telefonatë, Trumpi "ka shprehur vlerësimin e tij të madh për Izraelin" i cili kishte "arritur të gjitha qëllimet e tij të luftës", thuhet më tej në deklaratë.

"Presidenti gjithashtu ka shprehur besimin e tij në stabilitetin e armëpushimit", thuhet më tej në deklaratë.

Teherani ka mohuar të ketë nisur sulme të reja pas fillimit të armëpushimit.

Raportohen sulme të reja të Izraelit mbi Iranin

1 muaj më parë / 24 qer 2025 14:39
Iran

Photo: Associated Press

Mediat iraniane dhe ato izraelite kanë raportuar të martën për sulme të reja ajrore izraelite ndaj Iranit, pavarësisht se presidenti i SHBA-së Donald Trump, ka thënë se Izraeli i kishte anuluar ato me urdhër të tij për të ruajtur armëpushimin e arritur të hënën.

Dy shpërthime janë dëgjuar në Teheran, ka raportuar agjencia e lajmeve Mizan. Ndërkaq, radioja e ushtrisë izraelite ka thënë se Izraeli kishte goditur një vend radari iranian pranë Teheranit.

Sulmet ka ndodhur disa minuta pasi Trumpi ka thënë se Izraeli e kishte anuluar sulmin e tij në përgjigje të komandës së tij.

"Të gjithë aeroplanët do të kthehen në shtëpi...Askush nuk do të lëndohet, Armëpushimi është në fuqi!" ka thënë Trump në një postim në Truth Social.

Trumpi më parë kishte akuzuar si Izraelin ashtu edhe Iranin për shkelje të armëpushimit, ndërsa ka shprehur zhgënjim të veçantë me Izraelin, i cili kishte njoftuar sulme të reja të mëdha ndaj Teheranit.

"Izrael. Mos i hidh ato bomba. Nëse e bëni, është një shkelje e madhe. Ktheni pilotët në shtëpi, tani!", ka shkruar Trump në Truth Social pak pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë për një udhëtim në një samit të NATO-s në Hagë.

Trump: Izraeli nuk do ta sulmojë Iranin, armëpushimi në fuqi

1 muaj më parë / 24 qer 2025 14:02
Trump

Photo: Associated Press

Pak pasi kritikoi dy shtetet për shkeljen e armëpushimit, presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se Izraeli është pajtuar të mos e godasë më Iranin.

“Izraeli nuk do ta sulmojë Iranin”, ka shkruar ai në TruthSocial. “Të gjithë aeroplanët do të kthehen mbrapa me një valë përshëndetëse miqësore për Iranin. Askush s’do të lëndohet. Armëpushimi është në fuqi. Ju faleminderit”.

Ai ka publikuar mesazhin nga AirForce One, me të cilin është nisur drejt Samitit të liderëve të NATO-s në Hagë.

Reagimi erdhi pasi dy shtetet shkelën marrëveshjen e dakorduar e që ishte shpallur nga vetë Trumpi. Presidenti amerikan u shpreh i pakënaqur me sjelljet e Iranit dhe Izraelit teksa u kërkoi respektim të menjëhershëm të marrëveshjes.

Trumpi shpërthen ndaj Iranit e Izraelit

1 muaj më parë / 24 qer 2025 13:56
D. Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, teksa ka kërkuar direkt nga Izraeli “që të qetësohet” pasi tha se Irani dhe Izraeli kanë shkelur armëpushimin e dakorduar falë tij, ka përdorur terme jo të zakonshme për liderë politikë.

“Kemi dy shtete që po luftojnë kaq gjatë dhe kaq ashpër, saqë nuk e dinë se çka dreqi janë duke bërë”, ka thënë ai teksa u largua nga Shtëpia e Bardhë në drejtim të Samitit të NATO-s.

Tutje ai ka thënë se nuk është i lumtur me sjelljen e Izraelit.

“Ka qenë një raketë që supozoj se është hedhur pas limitit kohor dhe tani Izraeli po hidhet në sulm. Ata duhet të qetësohen. Nuk më pëlqen fakti që Izraeli ka shpërthyer menjëherë pasi bëmë marrëveshjen. Nuk kanë pasur nevojë”, ka shtuar ai.

Trumpi i kërkon Izraelit të qetësohet

1 muaj më parë / 24 qer 2025 13:29
Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka kërkuar Izraelit që të qetësohet, pasi më herët deklaroi se të dyja shtetet e kanë shkelur armëpushimin të cilin ai u përpoq ta ndërmjetësonte.

“Duhet ta qetësoj Izraelin”, ka thënë presidenti amerikan derisa u largua nga Shtëpia e Bardhë, ka raportuar Reuters.

“Izraeli, sapo bëmë marrëveshjen, doli dhe hodhi një sasi bombash si asnjëherë më parë, ngarkesa më e madhe që kemi parë”, ka vazhduar presidenti amerikan. “Në thelb kemi dy vende që kanë luftuar kaq gjatë dhe kaq ashpër, saqë nuk dinë më çfarë po bëjnë fare”.

Trump: Izraeli dhe Irani kanë shkelur armëpushimin

1 muaj më parë / 24 qer 2025 12:53
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar të martën se të dyja vendet, si Izraeli ashtu dhe Irani, e kanë shkelur marrëveshjen e dakorduar disa orë më parë të armëpushimit.

Ai ka shprehur pakënaqësi, veçanërisht ndaj Izraelit.

Duke folur për gazetarët para se të nisej për në samitin e NATO-s në Hagë të Holandës, Trumpi ka thënë se Izraeli sulmoi menjëherë pasi pranoi marrëveshjen. Sa i përket Iranit, Trumpi ka thënë se kapacitetet bërthamore të shtetit persik janë shkatërruar tërësisht dhe se ata nuk do të rindërtojnë më kurrë programin bërthamor.

E vetëm disa minuta pasi deklaroi se Izraeli dhe Irani e kanë shkelur marrëveshjen e armëpushimit, presidenti amerikan përmes një shkrimi në rrjetin social “Truth Social”, e ka paralajmëruar Izraelin që të mos lëshojë më bomba në drejtim të Iranit.

“Izrael. Mos i gjuaj ato bomba. Nëse e bën atëherë do të jetë shkelje e madhe. Ktheji pilotët në shtëpi, tani”, ka shkruar Trump.

Armëpushimi dramatik, gjithçka mbetet në mjegull

1 muaj më parë / 24 qer 2025 11:58
Iran

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar të hënën në mbrëmje se është arritur armëpushim “i plotë” në mes të Izraelit dhe Iranit. Por ky armëpushim është në mjegull pak orë pasi Trumpi e shpalli. Izraeli në mëngjesin e të martës ka akuzuar Iranin se e ka shkelur marrëveshjen dhe se do t’i “përgjigjet me forcë”. Ndërkaq, një zyrtar i lartë në Iran i ka thënë CNN-it se pas mesnatës nga Irani “nuk është hedhur as një raketë”.

Gjithçka që dihet deri tash:

Trumpi shpall armëpushimin e befasishëm: “Dua të uroj të dyja shtetet, Izraelin dhe Iranin, për guximin dhe inteligjencën, për t’i dhënë fund asaj që do të quhet ‘Lufta 12-ditëshe’”.

Irani dhe Izraeli njoftuan pastaj publikisht se janë pajtuar me marrëveshjen që ishte paraparë që të hynte në fuqi në mëngjes.

Izraeli akuzon Iranin për shkelje të marrëveshjes: E të martën në mëngjes, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka thënë se shteti i tij “do t’i përgjigjet me forcë” Iranit “pas shkeljes flagrante” të armëpushimit. Ushtria e Izraelit ka ndalur dy raketa të lëshuara prej Iranit, sipas Ushtrisë së Izraelit.

Irani mohon akuzat: Mediat e pushtetit në Iran kanë mohuar se Irani ka sulmuar Izraelin. Një zyrtar i lartë i sigurisë në Iran ka shtuar se pas orës 7:30 në mëngjes “asnjë raketë nuk është lëshuar në drejtim të armikut”. “Nëse Izraeli bën gabim, të gjitha territoret e pushtuara do të sulmohen, sikur një orë para se lufta të ndalej”, ka thënë zyrtari.

Bota shikon: Njoftimi i Trumpit për ndërprerje të luftës u prit me lehtësim e optimizëm të matur. Katari ka ndihmuar Iranin që të bindet, ndërsa liderët e rajonit e lavdëruan marrëveshjen. Kina ndërkohë ka thënë se shpreson që marrëveshje do të zbatohet. Por armëpushimet në rajon janë gjithmonë të brishta dhe mundësia e përshkallëzimit ngelet.

Marrëveshja pas sulmit të Iranit: Çdo armëpushim, edhe një fragjil, dukej larg para 24 orëve, kur SHBA-ja u përball me hakmarrjen iraniane pasi Trumpi urdhëroi sulmin në tri fabrikat bërthamore të këtij shteti. Por lëvizja e Iranit u hesht: Katari ndali raketat iraniane që ishin drejtuar kah bazat amerikane.

A e ka radhën prapë Gaza? Yair Lapid, lider opozitar izraelit, ka thënë se pas njoftimit të Trumpit për armëpushim “tani është momenti që ta mbyllim frontin” në Gazë. “Të kthejmë pengjet, t’i japim fund luftës. Izraeli duhet të nisë të rindërtohet”, ka thënë ai. Mbi 55 mijë njerëz janë vrarë nga sulmet e Izraelit kundër Hamasit në enklavë e dhjetëra pengje izraelite mbesin të kapura. “Ata që mund të arrijnë armëpushim me Iranin, mund t’i japin fund edhe luftës në Gazë”, ka thënë Forumi i Familjeve të Pengjeve dhe të Zhdukurve në një deklaratë të martën.

Rusia pesimiste për kohëzgjatjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Iranit

1 muaj më parë / 24 qer 2025 11:28
Lavrov

Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergei Lavrov, ka thënë të martën se Moska zyrtare e mbështet armëpushimin e arritur ndërmjet Izraelit dhe Iranit, porse është e vështirë të konstatohet se mund të zgjasë, ka raportuar Reuters.

“Është shumë e vështirë të nxirren përfundime tani për tani”, është shprehur Lavrov, në reagimin e parë të shtetit rus ndaj marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga presidenti amerikan, Donald Trump.

“Por, pasi që është shpallur, ka pasur raportime për sulme, për shkëmbime të sulmeve mes Izraelit dhe Iranit. Rrjedhimisht, të mos dalim në përfundime që bazohen vetëm në informacione të pjesshme”, ka shtuar ai.

Rusia, e cila ka nënshkruar një marrëveshje të partneritetit strategjik me Republikën Islamike të Iranit në fillim të vitit, i ka dënuar sulmet e Izraelit dhe të SHBA-së kundrejt bazave bërthamore dhe ushtarake të vendit persik, tek i ka kualifikuar ato si ilegale dhe të paprovokuara.

Nga ana tjetër, Irani është kundërpërgjigjur duke sulmuar qytetet izraelite dhe së fundmi bazën ushtarake amerikane në Katar.

Irani mohon ta ketë shkelur armëpushimin

1 muaj më parë / 24 qer 2025 10:30
Irani

Media shtetërore iraniane i ka mohuar akuzat e zyrtarëve të lartë izraelitë sa u përket pretendimeve për shkeljen e armëpushimit mes dy vendeve, ka transmetuar BBC.

Në njoftimin e transmetuesit publik, akuzat e lartcekura janë hedhur poshtë, dhe se është bërë e ditur se s’janë lëshuar raketa në drejtim të Izraelit, pas hyrjes në fuqi të armëpushimit.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka deklaruar të martën se i ka urdhëruar Forcat Mbrojtëse të Izraelit që “t’i përgjigjen fuqishëm shkeljes së armëpushimit nga ana e Iranit, me sulme intenzive kundrejt shënjestrave të regjimit në zemër të Teheranit”.

Izraeli e akuzon Iranin për shkelje të armëpushimit, zotohet për kundërpërgjigje të fuqishme

1 muaj më parë / 24 qer 2025 09:42
Izrael-iran

Në ushtrinë izraelite kanë njoftuar të martën se janë identifikuar raketa të lëshuara nga Irani, dy orë pasi armëpushimi i shpallur nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka hyrë në fuqi, raporton AP.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka deklaruar të martën se i ka urdhëruar Forcat Mbrojtëse të Izraelit që “t’i përgjigjen fuqishëm shkeljes së armëpushimit nga ana e Iranit, me sulme intenzive kundrejt shënjestrave të regjimit në zemër të Teheranit”, ka raportuar BBC.

Sipas ushtrisë izraelite, sistemet e mbrojtjes ajrore janë “në funksion për të ndërprerë kërcënimin”, teksa qytetarëve u është kërkuar të futen në strehimore dhe të qëndrojnë aty deri në njoftimin e radhës.

Detajet mbi sulmin e raportuar me raketa mbeten ende të paqarta, kurse nuk ka konfirmim nga ana e Iranit për këtë sulm.

Ky zhvillim ka ndodhur pasi zyrtarët izraelitë kanë deklaruar se e kanë pranuar armëpushimin.

Më herët, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Aragchi, ka thënë se vendi i tij do të ndalojë sulmet me kushtin që Izraeli të veprojë njësoj.

Pas armëpushimit, të gjithë po e shpallin fitoren

1 muaj më parë / 24 qer 2025 09:34
trump

Photo: Associated Press

Vetëm disa orë pas hakmarrjes së mirë planifikuar nga Irani ndaj sulmeve ajrore në shkallë të gjerë në objektet bërthamore, presidenti amerikan shpalli armëpushim mes Izraelit dhe Iranit pas 12 ditëve luftë.

Të gjithë po e shpallin fitoren. Të dyja palët kanë arsye që ta respektojnë armëpushimin.

Izraeli po e feston suksesin e fushatës për të dëmtuar kapacitetin bërthamor dhe ushtarak të Iranit dhe vrasjes së zyrtarëve të lartë ushtarakë dhe shkencëtarëve iranianë.

Gjithashtu ia doli ta bindë Trumpin të bëjë atë që disa presidentë amerikanë kanë refuzuar më herët.

Armëpushimi do ta heq presionin nga izraelitët pas pothuajse dy vitesh luftë, derisa konflikti kundër Hamasit në Gaza po vazhdon pa një plan të qartë daljeje, duke u lejuar autoriteteve të rihapin ekonominë e vendit.

Për Iranin, kjo do të thotë lehtësim për një popullsi që ishte nën bombardime pothuajse të vazhdueshme, me dhjetëra mijëra njerëz të zhvendosur. Tani, ka një rrugë të gjatë për të rindërtuar disa nga ato që janë shkatërruar, përfshirë infrastrukturën thelbësore, jo një detyrë e lehtë për një vend në një krizë të thellë ekonomike dhe nën sanksione të rënda ndërkombëtare.

Izraeli konfirmon armëpushimin

1 muaj më parë / 24 qer 2025 08:23
Netanyahu dhe Trumpi

Photo: Associated Press

Qeveria e Izraelit ka deklaruar se është pajtuar me propozimin e presidentit amerikan Donald Trump për armëpushim me Iranin.

Në një deklaratë thuhet se: “Izraeli do të përgjigjet fuqishëm nëse armëpushimi prishet”.

Qeveria izraelite ka thënë se është pajtuar me propozimin e armëpushimit pasi ka arritur "objektivat” e  sulmeve në Iran.

Sipas deklaratës, Izraeli ka hequr “kërcënimin e dyfishtë ekzistencial” të Iranit nga armët bërthamore dhe raketat balistike.

Gjithashtu thuhet se Izraeli “i ka shkaktuar dëme të rënda udhëheqjes ushtarake dhe ka shkatërruar dhjetëra objektiva qendrore të qeverisë iraniane”.

Deklarata vazhdon duke thënë se forcat izraelite, në ditën e fundit, kanë “goditur rëndë objektiva qeveritare në zemër të Teheranit, duke eliminuar qindra operativë të Basij” - një milici që qeveria iraniane shpesh e përdor për të shtypur protestat - dhe duke “eliminuar një tjetër shkencëtar të lartë bërthamor’.

“Izraeli falënderon Presidentin Trump dhe Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e tyre në mbrojtje dhe pjesëmarrjen e tyre në eliminimin e kërcënimit bërthamor iranian”, shton deklarata.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka konfirmuar se Izraeli ka pranuar marrëveshjen e armëpushimit me Republikën Islamike të Iranit në koordinim me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, raporton AP.

Netanyahu ka thënë në orët e vona të së hënës se i kishte raportuar kabinetit të sigurisë së Izraelit, që vendi i ka arritur të gjitha objektivat e tij ushtarake në operacionin 12-ditor kundër Iranit.

Sipas tij, Izraeli gjithashtu ka dëmtuar lidershipin ushtarak të Iranit, disa objekte qeveritare dhe ka arritur të kontrollojë hapësirën ajrore të Teheranit.

Trump: Armëpushimi hyri në fuqi, mos e shkelni

1 muaj më parë / 24 qer 2025 08:02
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shkruar në mëngjesin e së martës se armëpushimi mes Izraelit dhe Iranit tani ka hyrë në fuqi.

“Ju lutem mos e shkelni”, ka shkruar ai në “Truth Social”.

Në orët e para të së martës, presidenti amerikan shpalli armëpushimin në disa afate kohore e deri në përfundim të operacioneve në zhvillim.

Izraeli akoma nuk e ka pranuar publikisht propozimin e Trumpit për armëpushim. Ndërkohë televizioni shtetëror iranian ka thënë se armëpushimi “i është imponuar” Izraelit.

Po ashtu televizioni shtetëror iranian ka raportuar se Irani ka lëshuar “serinë e fundit të raketave” drejt Izraelit para se armëpushimi të hyjë në fuqi. E Izraeli ka njoftuar nga vala e raketave janë vrarë të paktën katër persona.