Botë

Trump: Los Angelesi do të digjej pa vendosjen e trupave

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka mbrojtur vendimin e tij për të vendosur mijëra trupa të Gardës Kombëtare së bashku me 700 marinsa në Los Angeles, duke thënë se nëse ai nuk do të ishte përfshirë, "Los Angelesi do të digjej”.

Duke folur nga Zyra Ovale të martën, Trumpi ka thënë se nëse protestat kundër zbatimit të ligjit ndaj imigracionit vazhdojnë në qytete të tjera përveç Los Angelesit, edhe ato do të përballen me "forcë të barabartë ose edje më të madhe".

Garda Kombëtare do të vendoset në Kaliforni për aq kohë sa të jetë e nevojshme, sipas Trumpit.

Ai ka përsëritur pa prova pretendimet se protestuesit janë "kryengritës të paguar", duke i quajtur ata "shqetësues".

Administrata Trump ka vendosur rreth 4,000 trupa të Gardës Kombëtare në Los Angeles të hënën në përgjigje të protestave kundër bastisjeve të imigracionit.

Pavarësisht se u përballën me gaz lotsjellës dhe municione të tjera gjatë fundjavës, protestuesit vazhduan të protestonin të hënën dhe familjet e emigrantëve të ndaluar kërkuan lirimin e të dashurve të tyre.

Administrata Trump fillimisht tha se 2,000 anëtarë të Gardës Kombëtare po dërgoheshin në Los Angeles, por guvernatori i Kalifornisë, Gavin Neësom, më vonë të hënën njoftoi se ishte informuar se zyrtarët federalë po dërgonin 2,000 trupa shtesë edhe pse, sipas tij, vetëm 300 janë vendosur deri tani.

Newsom ka kundërshtuar këto masa, duke konsideruar se qyteti po përdoret si “eksperiment”.