Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar të mërkurën se i ka bërë të ditur zyrtarëve të Kanadasë se nëse ata duan të bëhen pjesë e sistemit të mbrojtjes ajrore “Kupola e Artë”, atëherë kjo do t’i kushtojë 61 miliardë dollarë. “Në rastin më të mirë”, Trump tha, se Kanadaja mund t’i bashkohet programit falas nëse pranon të bëhet shteti numër 51 i SHBA-së.
Sipas Trumpit, oferta e parashtruar “është duke u konsideruar”, pretendim i cili nuk përkon me kundërshtimet e mëparshme të liderëve kanadezë lidhur me dëshirën e SHBA-së për ta aneksuar vendin, ka shkruar The Guardian.
“I thashë Kanadasë, e cila dëshiron shumë që të bëhet pjese e sistemit tonë të mrekullueshëm ‘Kupola e Artë’, se do t’i kushtojë 61 miliardë dollarë nëse ata qëndrojnë të ndarë, porse do t’i kushtojë ZERO DOLLARË nëse bëhet shteti ynë numër 51. Ata po e konsiderojnë ofertën!” - ka shkruar presidenti amerikan në “Truth Social”.
Sistemi i mbrojtjes, të cilin Trump planifikon ta shpalosë në fundin e mandatit të tij, ka për qëllim t’i parandalojë dhe t’i adresojë kërcënimet ajrore ndaj SHBA-së, përfshirë raketat balistike dhe ato lundruese.
Trump, e pati zbuluar planin për sistemin e ri të mbrojtjes raketore javën e kaluar, ndërsa pati thënë se ky program do të kërkonte një investim fillestar prej 25 miliardë dollarësh, ndërkaq deri në fund pritet që të arrijë shifrën totale prej 175 miliardë dollarësh.
Qeveria kanadeze pati bërë të ditur javën e kaluar se është në bisedime me SHBA-në për t’iu bashkuar sistemit të paralajmëruar të mbrojtjes ajrore “Kupola e Artë”, që synon t’u kundërvihet kërcënimeve ajrore të “gjeneratës së ardhshme”.
Sistemi është pjesërisht i frymëzuar nga “Kupola e Hekurt” e Izraelit, sistem që është përdorur për të ndaluar raketa e predha që nga viti 2011.